Në gjysmën e dytë të viteve të 90-ta, filloi të marrë formë një ide, e që ishte nevoja urgjente për themelimin e një institucioni ombrellë që në mënyrë proaktive dhe me dedikim të plotë do të angazhohej për ta nxitur zhvillimin e shoqërisë civile. Përkundër sfidave të shumta, një grup i përkushtuar intelektualësh/esh dhe aktivistësh/esh punuan pareshtur për ta çuar përpara këtë ide. Ëndrra e tyre u bë realitet pas konferencës së donatorëve në Suedi në qershor të vitit 1998, duke kulmuar me themelimin e Qendrës për Zhvillimin e Shoqërisë Civile (CeDeCis) në Prishtinë në tetor të vitit 1998. Ky institucion më vonë do të shndërrohej në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), e që zyrtarisht do të regjistrohej në dhjetor 1999.
Gjatë këtyre 25 viteve, jemi angazhuar për krijimin dhe zhvillimin e një shoqërie demokratike pjesëmarrëse dhe është bërë organizatë udhëheqëse në mbështetjen e zhvillimit të shoqërisë civile në Kosovë dhe më gjerë. Kemi kontribuar ndjeshëm në politikëbërje të bazuar në dëshmi, kemi zgjeruar hapësirën qytetare, kemi promovuar kampionët e demokracisë, kemi mbështetur financiarisht mbi 750 nisma qytetare me mbi 30 milion euro, si dhe i kemi ngritur njohuritë dhe shkathtësitë e aktivistëve/eve të shoqërisë civile në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor përmes më shumë se 1,100 sesioneve trajnuese.
Në periudhën 2024-2028 punojmë në qëllimin strategjik për një angazhim kuptimplotë dhe të qëndrueshëm të shoqërisë civile, për t’i kontribuar vizionit tonë për ta parë Kosovën si një vend të begatë, gjithëpërfshirës dhe me shoqëri demokratike, si dhe me proces të përparuar të integrimit në BE. Këtë e bëjmë duke u angazhuar që shoqëria civile të ketë qasje të përshtatshme në burime financiare diverse, së bashku me kapacitete të domosdoshme për t’i shfrytëzuar si duhet ato burime financiare, si dhe për ta ndërtuar angazhimin e shoqërisë civile mbi një bazë përkrahje të fuqishme dhe legjitime e që është e rrënjosur në marrëdhënie të vazhdueshme dhe të vërteta me qytetarë, në emër të të cilëve ose për interes të të cilëve ky angazhim edhe ndodh. Po ashtu, vazhdojmë të angazhohemi për të krijuar parakushtet që lidhen me një ambient mundësues për shoqërinë civile, respektivisht që shoqëria civile të ketë mundësi dhe të inkurajohet për të vepruar lirshëm dhe për t’i përdorur të drejtat demokratike për t’u angazhuar në procese publike.