Puna jonë

Në gjysmën e dytë të viteve të 90-ta, filloi të marrë formë një ide, e që ishte nevoja urgjente për themelimin e një institucioni ombrellë që në mënyrë proaktive dhe me dedikim të plotë do të angazhohej për ta nxitur zhvillimin e shoqërisë civile. Përkundër sfidave të shumta, një grup i përkushtuar intelektualësh/esh dhe aktivistësh/esh punuan pareshtur për ta çuar përpara këtë ide. Ëndrra e tyre u bë realitet pas konferencës së donatorëve në Suedi në qershor të vitit 1998, duke kulmuar me themelimin e Qendrës për Zhvillimin e Shoqërisë Civile (CeDeCis) në Prishtinë në tetor të vitit 1998. Ky institucion më vonë do të shndërrohej në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), e që zyrtarisht do të regjistrohej në dhjetor 1999.

Gjatë këtyre 25 viteve, jemi angazhuar për krijimin dhe zhvillimin e një shoqërie demokratike pjesëmarrëse dhe është bërë organizatë udhëheqëse në mbështetjen e zhvillimit të shoqërisë civile në Kosovë dhe më gjerë. Kemi kontribuar ndjeshëm në politikëbërje të bazuar në dëshmi, kemi zgjeruar hapësirën qytetare, kemi promovuar kampionët e demokracisë, kemi mbështetur financiarisht mbi 750 nisma qytetare me mbi 30 milion euro, si dhe i kemi ngritur njohuritë dhe shkathtësitë e aktivistëve/eve të shoqërisë civile në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor përmes më shumë se 1,100 sesioneve trajnuese.

Në periudhën 2024-2028 punojmë në qëllimin strategjik për një angazhim kuptimplotë dhe të qëndrueshëm të shoqërisë civile, për t’i kontribuar vizionit tonë për ta parë Kosovën si një vend të begatë, gjithëpërfshirës dhe me shoqëri demokratike, si dhe me proces të përparuar të integrimit në BE. Këtë e bëjmë duke u angazhuar që shoqëria civile të ketë qasje të përshtatshme në burime financiare diverse, së bashku me kapacitete të domosdoshme për t’i shfrytëzuar si duhet ato burime financiare, si dhe për ta ndërtuar angazhimin e shoqërisë civile mbi një bazë përkrahje të fuqishme dhe legjitime e që është e rrënjosur në marrëdhënie të vazhdueshme dhe të vërteta me qytetarë, në emër të të cilëve ose për interes të të cilëve ky angazhim edhe ndodh. Po ashtu, vazhdojmë të angazhohemi për të krijuar parakushtet që lidhen me një ambient mundësues për shoqërinë civile, respektivisht që shoqëria civile të ketë mundësi dhe të inkurajohet për të vepruar lirshëm dhe për t’i përdorur të drejtat demokratike për t’u angazhuar në procese publike.

Arritjet Kryesore

Tregimet e suksesit

Të tjerët për ne!

Ekipi

Taulant Hoxha

Taulant Hoxha

Kontakt: taulant.hoxha@kcsfoundation.org

Taulant Hoxha shërben si Drejtor Ekzekutiv i KCSF-së nga shtatori 2018. Nga shkurti 2007, kur filloi angazhimin në KCSF, ishte angazhuar në shumë programe e nisma të KCSF-së, kryesisht në ato të lidhura me grante, hulumtim dhe avokim.

Taulanti është veprimtar i shoqërisë civile për më shumë se dy dekada, ndërsa fushat kryesore të ekspertizës së tij lidhen me zhvillimin e shoqërisë civile, veçanërisht rreth të drejtës jo-për-përfitim, pjesëmarrjes qytetare në politikë-bërje, bashkëpunimit shoqëri civile – Qeveri, si dhe financimit të shoqërisë civile. Gjithashtu, ka përvojë të konsiderueshme në dizajnimin dhe menaxhimin e programeve për përkrahje dhe financim të shoqërisë civile. Është autor i shumë studimeve që lidhen me shoqërinë civile, si dhe ka udhëhequr shumë nisma për mbrojtjen dhe përparimin e hapësirës qytetare në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Për më shumë se 10 vite ka shërbyer si Udhëheqës i Bordit të Platformës CiviKos. Aktualisht është Udhëheqës i Bordit të Rrjetit Ballkanik për Zhvillimin e Shoqërisë Civile (BCSDN).

Para KCSF-së ka qenë i angazhuar në organizata e nisma të ndryshme qytetare në Kosovë, si dhe në Këshillin e Europës. Ka diplomuar në Shkenca Politike.

Dren Puka

Dren Puka

Kontakt: dren.puka@kcsfoundation.org

Dren Puka është Drejtor për Hulumtim dhe Avokim në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Ai ka mbi 10 vjet përvojë në dizajnim të modeleve empirike dhe teorike të analizës dhe hulumtimit, zhvillimin dhe realizimin e hulumtimeve që synojnë të prodhojnë argumente dhe evidence për krijim të politikave publike përmes pjesëmarrjes qytetare. Duke punuar me shumë organizata dhe duke marrë pjesë në iniciativat kyçe të politikave të lidhura me zhvillimin e shoqërisë civile, puna e Drenit është e fokusuar posaçërisht në krijimin e një mjedisi që synon të theksojë grupet dhe zërat e ndryshëm dhe të margjinalizuar për të formuar një sferë publike refleksive dhe gjithëpërfshirëse. Ai ka përfunduar studimet e tij të magjistraturës në Politika të Edukimit dhe Lidership, me specializim në Metoda të Hulumtimit në Universitetin e Rochesterit. 

Edona Krasniqi

Edona Krasniqi

Kontakt: edona.krasniqi@kcsfoundation.org

Edona Krasniqi është me KCSF-në tash e 7 vite dhe aktualisht është Drejtoreshë e Departamentit të Ri-Grantimeve. Ajo ka më shumë se 15 vjet përvojë pune të kombinuar në institucione joqeveritare, akademike dhe private. Ajo ka punuar si studiuese dhe vlerësuese në organizata vendore dhe ndërkombëtare dhe është autore e punimeve mbi çështje arismore dhe shoqërinë civile. Ajo ka përfunduar studimet Master në Ekonomi, e specializuar në Ekonomi dhe Politikë nga Universiteti i Freiburgut. Ajo gjithashtu ka studiuar dhe është diplomuar në drejtimin Menaxhment dhe Politika Publike në Universitetin Amerikan në Kosovë dhe po ashtu është ka një certifikatë të diplomuar në Politikë Arsimore nga Universiteti Georgetown. Interesat e saj janë në ekonominë politike dhe sillen rreth eksplorimit të kryqëzimit midis sistemeve ekonomike, pabarazisë socio-ekonomike, pjesëmarrjes qytetare dhe krizës urgjente ekologjike të kohës sonë.

Rron Zajmi

Rron Zajmi

Ahmet Rushiti

Ahmet Rushiti

Kontakt: ahmet.rushiti@kcsfoundation.org

Ahmet Rushiti ka më shumë se 16 vjet përvojë pune në organizata ndërkombëtare dhe vendore që promovojnë gjithëpërfshirjen dhe pjesëmarrjen qytetare. Menaxhimi i projektit, përfshirja në mobilizimin e komunitetit, avokimi, ngritja e kapaciteteve për OSHC-të dhe krijimi i politikave janë disa nga fushat kryesore të ekspertizës së tij. Ahmeti gjithashtu ka fituar përvojë dhe njohuri të mëdha për kontekstin lokal duke punuar me partitë politike, rininë, autoritetet lokale dhe kombëtare. Ai ka qenë i përfshirë në monitorimin dhe vëzhgimin e zgjedhjeve, monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës dhe punën me komunitetet dhe zonat zgjedhore në zonat lokale dhe rurale. Përveç kësaj, ai është bashkëautor i disa studimeve mbi sjelljen e votuesve, transparencën komunale dhe përfshirjen e komunitetit.

Nita Bicurri

Nita Bicurri

Kontakt: nita.bicurri@kcsfoundation.org

Nita Bicurri është Udhëheqëse e Programit për Angazhim Qytetar. Ajo ka më shumë se 10 vjet përvojë në proceset zhvillimore ndërkombëtare dhe të demokratizimit. Fokusi i saj kryesor është nxitja e proceseve gjithëpërfshirëse të vendim-marrjes dhe krijimi i mundësive kuptimplota për zëra të ndryshëm për të kontribuar në avancimin e demokracisë në Kosovë. Gjatë eksperiencës së saj, Nita ka bashkëpunuar me organizatat e shoqërisë civile, partitë politike, insititucionet qeveritare, mediat dhe komunitetin e biznesit për të siguruar që proceset e zhvillimit të politikave të jenë gjithpërfshirëse dhe demokratike. Përpjekjet e saj janë përqëndruar sidomos në përfshirjen aktive të grave dhe të rinjve në jetën politike dhe publike. Nita ka përfunduar studimet master në Administratë Publike me fokus në Administrimin e Zhvillimit Ndërkombëtar dhe Certifikatë për Studime të Avancuara për Organizatat e Shoqërisë Civile nga Maxwell School of Citizenship and Public Affairs, Syracuse University në New York. Ndërsa studimet bachelor i ka përfunduar në Shkenca Politike në Cornell College në Iowa.

Teuta Purrini Xhabali

Teuta Purrini Xhabali

Kontakt: teuta.p.xhabali@kcsfoundation.org

Teuta ka përvojë pune mbi 20 vjeçare në sektorë të ndryshëm, përfshirë sektorin bankar, atë të edukimit dhe punës me organizata vendore dhe ndërkombëtare. Është e diplomuar në Ekonomi dhe ka njohuri dhe përvojë në fushën e ekonomisë dhe shoqërisë civile. Teuta ka përvojë të dëshmuar në menaxhim të programeve dhe projekteve dhe ka kontribuar në realizim të hulumtimeve dhe analizave të ndryshme, si dhe në përgaditje dhe vlerësim t? projekteve.

Yllka Hoxha

Yllka Hoxha

Kontakt: yllka.hoxha@kcsfoundation.org

Yllka Hoxha është Menaxhere Financiare në KCSF dhe mbikëqyrë operacionet financiare për Aktivitetin e Angazhimit Qytetar. Me mbi 11 vjet përvojë në shoqërinë civile, ajo ka mbajtur role në financa, burime njerëzore dhe administratë. Ajo ka diplomë Bachelor dhe Master në Marketing nga Universiteti i Prishtinës. Yllka është anëtare e Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SHKÇAK), me titullin Kontabiliste e Çertifikuar dhe aktualisht është në përfundim të procesit për tu certifikuar si Auditore.

Vjollca Sllamniku

Vjollca Sllamniku

Kontakti: vjollca.sllamniku@kcsfoundation.org

Vjollca Sllamniku është Zyrtare e lartë e financave në KCSF. Që nga nëntori 2006 kur ka filluar angazhimin në KCSF, Vjollca ka qenë përgjegjëse për menaxhimin financiar e kontabilitetin e organizatës, ndërsa deri në vitin 2015 gjithashtu ka udhëhequr edhe ekipin e administratës.

Më herët ka punuar si Zyrtare e financave në OJQ ODA (Organizata për aktivitete zhvillimore) gjatë viteve 2003-2006, si dhe në Oxfam GB – Zyra në Kosovë gjatë viteve 1999-2003.

Blerta Aliu

Blerta Aliu

Kontakt: blerta.aliu@kcsfoundation.org

Blerta Aliu ka përvojë profesionale mbi 13 vjeçare në fushën e komunikimit, marrëdhënieve me publikun dhe medias. Ajo ka nisur karrierën e saj në të përditshmen Koha Ditore, ku ka punuar si gazetare në sektorin e sigurisë dhe politikës për gati pesë vite. Angazhimin e saj e ka vazhduar në fushën e marrëdhënieve me publikun në sektorin publik, privat e organizata të shoqërisë civile.

Është angazhuar si këshilltare për media dhe PR në Ministrinë e Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës për afro dy vite, tutje ka punuar si zyrtare për PR dhe komunikim në Institutin Demokratik të Kosovës/Transparency International Kosova për mbi tri vite dhe më pas këshilltare për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Njëkohësisht Blerta nga viti 2017 është asistente në Degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.
Nga shkurti i vitit 2022 i është bashkuar ekipit të KCSF-së, fillimisht si zyrtare e projektit për të vazhduar kontributin e saj si koordinatore për marrëdhënie me publikun dhe komunikim.

Blerta është duke vijuar studimet e doktoraturës për Media dhe Komunikim në Universitetin e Evropës Juglindore në Maqedoninë e Veriut. Ka mbaruar studimet Bachelor dhe Master në fushën e Gazetarisë dhe Marrëdhënieve me Publikun në Universitetin e Prishtinës. Është fituese e disa çmimeve vendore edhe ndërkombëtare për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mirëqenien e fëmijëve dhe arsim. Po ashtu është autore dhe bashkëautore e shumë raporteve analitike si dhe punimeve akademike të cilat i ka publikuar dhe prezantuar në konferenca shkencore ndërkombëtare për fushën e medias dhe komunikimit.

Bordi aktual

1 2 4
Ardita Zejnullahu

Ardita Zejnullahu

Ardita Zejnullahu shërben si Drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës së Mediave Transmetuese në Kosovë – AMPEK. Ajo është një profesioniste e arrirë e medias me mbi 14 vjet përvojë të gjerë në të gjithë spektrin e ligjeve të lirisë së medias dhe komunikimit nga perspektiva rregullatore dhe komerciale private si dhe nga perspektiva e sektorit publik.

Ardita ka diplomë baçelor në Ekonomi dhe Menaxhim dhe diplomë master në të Drejtën Ndërkombëtare nga Universiteti i Prishtinës; Diplomë M.Stud.kërkimore

(Programi në të Drejtën dhe Politikat e Mediave Krahasuese) nga Universiteti i Oksfordit; Diplomë LLM në të Drejtën Krahasuese Evropiane dhe Ndërkombëtare nga Instituti Universitar Evropian në Firence dhe MSx në Lidership nga Universiteti Stanford.

Para se t’i bashkohej AMPEK-ut, Ardita ka punuar si Menaxhere Financiare për Save the Children në Kosovë dhe si Këshilltare Financiare për NCSC/DPK Consulting; Partner implementues i USAID-it në projektin e administrimit të gjykatave në Kosovë.

Ajo ka shërbyer si anëtare e Bordit për disa organizata të shoqërisë civile në Kosovë.

Filloreta Bytyçi

Filloreta Bytyçi

Filloreta Bytyçi është me profesion juriste dhe ka diplomuar në Studime Bashkëkohore Evropiane nga Universiteti Sussex (MB). Ajo ka përvojë të gjerë të punës në projekte të ndryshme donatorësh në fushat e zhvillimit të komunitetit, shoqërisë civile, medias dhe administratës publike. Që nga viti 2004, si konsulente, ajo mbështet zhvillimin e politikave dhe reformat e planifikimit në Qeverinë e Kosovës. Aktualisht ajo është Zëvendës Udhëheqëse e Ekipit/Specialiste për Zhvillimin e Politikave për projektin e financuar nga Sida për të mbështetur zhvillimin e kapaciteteve në fushën e zhvillimit dhe koordinimit të politikave në Kosovë, duke ofruar këshilla dhe mbështetje për stafin e Sekretariatit Koordinues Qeveritar në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës dhe ministrive të linjës, për të ngritur vazhdimisht kapacitetet e tyre për zhvillimin dhe koordinimin e politikave. Përvoja e saj profesionale qëndron në mënyrë të konsiderueshme edhe në fushën e medias. Ajo ka qenë këshilltare për ligjin për median për Programin e Pavarur të Zhvillimit të Mediave të USAID/REX për çështje që lidhen me ligjin për media dhe rregulloret e medias. Përveç kësaj, ajo ka vepruar si këshilltare e dy shoqatave të mediave lokale dhe gazetarëve. Ajo dy herë është nominuar dhe emëruar nga Kuvendi si anëtare e Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media të Kosovës.

Ajo gjithashtu ka kontribuar në zhvillimin e disa studimeve: Studimi Krahasues Rajonal i OECD/SIGMA për Vlerësimin e Ndikimit Rregullator (VNR), Studimin e Fizibilitetit  për Zyrën Zviceran për Bashkëpunim në Kosovë për Sistemin e Zhvillimit të Kapaciteteve Komunale për Kosovën, Studimi i Sidas që përshkruan fushat e mundshme dhe çështjet për mbështetjen e administratës publike në Shqipëri dhe Kosovë 2014-2020, Studimi i Sida-s për Vlerësimin e Opsioneve për Mbështetjen e Vazhduar Suedeze për një Shoqëri Civile pluraliste në Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë dhe Raporti diagnostik i GIZ në fushat e koordinimit të politikave, planifikimit strategjik, legjislacionit, menaxhimit të integrimit evropian dhe zbatimin e rishikimeve funksionale në Qeverinë e Kosovës.

Kristof Bender

Kristof Bender

Kristof Bender është Zëvendës Kryesues i ESI-së. Ai drejton projekte të ndryshme kërkimore ESI mbi zgjerimin e BE-së dhe për Evropën Juglindore. I shkolluar për sociologji në Vjenë dhe Paris, ai ka punuar në Evropën Juglindore në cilësi të ndryshme që nga viti 1997, duke përfshirë menaxhimin e projekteve të arsimit të lartë në Bosnje për Shërbimin Universitar Botëror, si Atashe për Çështjet Humanitare në Ambasadën Austriake në Beograd, si studiues për Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migracionit dhe si konsulent për institucione të ndryshme, duke përfshirë Kancelarinë Federale të  Austrisë, DFID dhe SIDA. Duke qenë pjesë e ekipit të ESI-t që nga fillimi i vitit 2000, Kristof jeton në Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi dhe aktualisht ndodhet në Vjenë.

Anamari Repic

Anamari Repic

Anamari Repic është korrespondente e Radio Televizionit të Kosovës nga Beogradi. Ajo ka njëzet vjet në gazetari, komunikim dhe menaxhim mediatik. Ajo u diplomua në Fakultetin e Edukimit të Mësimdhënëseve dhe kreu studimet Master në gazetari. Nga viti 2010 – 2016, në dy mandate, ishte zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme e RTK-së, kur mori pjesë në themelimin e një kanali televiziv në gjuhën serbe dhe zhvillimin e programeve të komuniteteve pakicë. Për gati dhjetë vjet ajo punoi si korrespondente e Radios Evropa e Lirë nga Prishtina dhe është nënkryetare e Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës. Ajo ishte një studiuese e programit të bursave për gratë udhëheqëse në Uashington. Anamari merret me çështjet e vetërregullimit të medias, të drejtave të grave dhe trajnimit gazetaresk.



Armend Bekaj

Armend Bekaj

Armend Bekaj punon si Zyrtar i Lartë i Programit në Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore (International IDEA) në Stokholm, Suedi. Ai është pjesë e ekipit kryesor që publikon raportin e gjendjes globale të demokracisë, duke ofruar matje dhe analiza mbi demokracinë për 162 vende të botës. Armend ka më shumë se 15 vjet përvojë me organizata ndërkombëtare dhe institute kërkimore. Ekspertiza e tij qëndron në qeverisjen e mirë dhe demokratizimin, paqen dhe konfliktin, DDR dhe sigurinë, dhe integrimin politik të ish-luftëtarëve në shoqëritë tranzitore. Gjatë viteve, ai ka punuar dhe bashkëpunuar me OSBE, USAID, UNDP dhe një sërë organizatash të tjera rajonale, ndërkombëtare apo të shoqërisë civile.

Ish antarët e bordit

1 2
1
Mimika Loshi, Anëtare e Bordit (2019-2022)
2
Muhamet Arifi, Anëtar i Bordit Drejtues (2017-2018)
3
Stevo Muk, Anëtar i Bordit (2017-2019)
4
Nita Luci, Anëtare e Bordit Drejtues (2008-2022)
5
Goran Laziq, Anëtar i Bordit Drejtues (2003-2014)
1 2 3
Taulant Hoxha

Taulant Hoxha

Taulant Hoxha është emëruar Drejtor Ekzekutiv i KCSF-së në shtator 2018, pasi që më parë kishte shërbyer në pozita të ndryshme në organizatë nga viti 2007.

I diplomuar në Shkenca Politike, Taulanti ka qenë aktivist i shoqërisë civile për më shumë se dy dekada, i angazhuar në nisma e organizata të ndryshme në nivel lokal e qendror. Ka bërë programe studimi në Qendrën Europiane për të Drejtën Jo-për-përfitim – ECNL në Budapest në temën e Statusit për Përfitim Publik, si dhe në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut – CUNY në temën e filantropisë komunitare, me theks në filantropinë e diasporës. Gjithashtu, është pjesëmarrës i programeve të shumta të trajnimit në fushën e udhëheqësisë dhe menaxhimit, politikave të Bashkimit Europian, të drejtës jo-për-përfitim, zhvillimit të shoqërisë civile, etj. nga organizata e institucione të njohura vendore dhe ndërkombëtare.

Para angazhimit në KCSF ka shërbyer si konsulent për punë me rini në Këshillin e Europës ne vitet 2002-2004, si dhe Drejtor Ekzekutiv i parë i organizatës jo-qeveritare “Emancipimi Civil Ma Ndryshe” në periudhën 2006-2007. Gjithashtu, ka shërbyer si Kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës gjatë viteve 2008-2009, ndërsa gjithashtu edhe si U.D. Udhëheqës i Sekretariatit të Platformës CiviKos në periudhën 2010-2011. Nga viti 2012 deri në vitin 2022 ka shërbyer si Udhëheqës i Bordit të Platformës CiviKos.

Ka publikuar dhjetëra studime e artikuj në vend dhe jashtë lidhur me shoqërinë civile, ndërsa ka marrë pjesë aktive e ka udhëhequr shumë nisma për mbrojtjen dhe përparimin e hapësirës qytetare e shoqërisë civile në Kosovë dhe rajon. Ndër të tjera, ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve për hartimin e Matricës rajonale për monitorimin e ambientit për shoqëri civile, si dhe pjesë e ekipeve konsultuese të ekspertëve për hartimin e Udhëzuesit të BE-së për shoqërinë civile në vendet e zgjerimit 2014-2020, si dhe Udhëzuesit të Komisionit të Venedikut për lirinë e asocimit. Në Kosovë ka qenë pjesë aktive e dhjetëra grupeve punuese për hartimin e legjislacionit, politikave dhe strategjive që lidhen me punën e shoqërisë civile në Kosovë.

Nga viti 2020 shërben si zv. Udhëheqës i Bordit të Rrjetit Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN).

Venera Hajrullahu

Venera Hajrullahu

Venera Hajrullahu e udhëhoqi KCSF-në për 13 vite, nga shkurti i vitit 2006 e deri në shtator të vitit 2018, periudhë kjo që shënoi një zhvillim të madh të organizatës

E diplomuar për Gjuhë dhe letërsi frënge në Universitetin e Prishtinës, Venera kreu studimet pas-diplomike në Institutin Europian të Universitetit të Gjenevës në Zvicër në fillim të viteve të 90-ta. Pas një periudhe të shkurtë të angazhimit profesional në Zvicër, u kthye në Kosovë dhe në vitet 1998-1999 u angazhua në Misionin Vëzhgues të OSBE-së në Kosovë. Vetëm disa muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë në qershor 1999, ishte ndër personat kyç që ndihmuan në themelimin e transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Pas dy vitesh angazhimi në Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) në programet e përkrahjes së administratës publike dhe qeverisjes lokale, nga viti 2004 drejtoi Zyrën për Integrim Europian të themeluar në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës duke kontribuar në  krijimin e strukturave e programeve fillestare për procesin e Integrimit europian të Kosovës. Gjithashtu, ishte Kryesuese e Grupit të ekspertëve për Reformën e Administratës Publike në vitet 2006-2007 ndërsa shërbeu edhe si Këshilltare e jashtme për Integrim europian e disa Kryeministrave, si dhe Presidentes Jahjaga.

Në shkurt 2007 pranoi detyrën e Drejtores Ekzekutive të KCSF-së, në një periudhë kur organizata ishte në një periudhë krize të thellë. Duke e vazhduar punën në misionin themeltar në zhvillimin e shoqërisë civile, Venera i’a shtoi punës së KCSF-së një perspektivë të veçantë të Integrimit europian, si reflektim i hapjes së perspektivës europiane të gjithë rajonit, përfshirë Kosovën. Me një angazhim të jashtëzakonshëm të saj dhe ekipit që krijoi, Venera arriti që jo vetëm ta nxirrte KCSF-në nga kriza, por shumë shpejt ta tejkalojë nivelin e zhvillimit të deriatëhershëm të organizatës. Paralelisht me themelimin e Shkollës për Integrim Europian dhe projekteve tjera të shumta të lidhura me BE-në, nën udhëheqjen e Venerës KCSF-në riktheu programet e saj të granteve për shoqëri civile në vitin 2009, ndërsa gjithashtu krijoi dhe zhvilloi njësitë e veçanta të hulumtimit, respektivisht Qendrën e KCSF-së për ngritje të kapaciteteve të shoqërisë civile. Përgjatë periudhës së udhëheqjes së saj, KCSF u shndërrua në njërën nga organizatat kryesore të shoqërisë civile në Kosovë dhe rajon, duke menaxhuar fondet për shoqëri civile të donatorëve kryesorë bilateral, duke avokuar suksesshëm në tema të shumta të hapësirës për veprim të shoqërisë civile në Kosovë dhe drejt institucioneve të BE-së në Bruksel, si dhe duke ngritur kapacitetet e qindra organizatave e aktivistëve të shoqërisë civile.

Pas largimit të saj në vitin 2018, si eksperte e pavarur është angazhuar në projekte, nisma e botime të shumta në Kosovë, rajon dhe më gjerë, në fushat e zhvillimit të shoqërisë civile, ndërtimit të institucioneve demokratike, Integrimit Europian, Reformës së administratës publike, si dhe bashkëpunimit rajonal.

Suzana Arni

Suzana Arni

Suzana Arni ka qenë pjesë e ekipit të KCSF-së për gati 23 vite, nga themelimi në 1998 e deri në pensionimin e saj në vitin 2021, ndërsa ka shërbyer si Drejtore Ekzekutive e KCSF-së në periudhën mars 2004 – shkurt 2006.

E diplomuar si inxhiniere e teknologjisë, Suzana që nga vitet e 70-ta kishte qenë e angazhuar në laboratorin e hulumtimit të materialeve ndërtimore, deri në largimin masiv nga puna të punëtorëve shqiptarë të Kosovës në vitin 1991, kur angazhohet në sektorin e shoqërisë civile.

Në vitin 1998 do të pranonte një donacion prej tre kompjuterësh, moment i cili do të shënonte themelimin e CeDeCis (Qendrës për Zhvillimin e Shoqërisë Civile), që më vonë do të shndërrohej në KCSF. Suzi, siç njihet nga kolegët e bashkëpunëtorët e shumtë, do të angazhohej në KCSF në departamente e role të ndryshme, nga Koordinatore e projekteve te Drejtore e programeve, nga pjesë e ekipit bërthamë të njësisë së granteve te Drejtore Ekzekutive.

Përderisa roli i saj në zhvillimin e KCSF-së ishte i gjithanshëm përgjatë 23 viteve të angazhimit të saj, Suzi dha kontribut vendimtar pikërisht në periudhën 2004-2006 kur edhe e udhëhoqi KCSF-në dhe siguroi mbijetesën e organizatës në një nga periudhat më të vështira për shkak të ndryshimit të modelit të financimit nga BE-ja, si donatori kryesor i deriatëhershëm.

Lulzim Peci

Lulzim Peci

Lulëzim Peci ishte Drejtor Ekzekutiv i KCSF-së në vitet 1999 – 2003, duke marrë udhëheqjen e organizatës në periudhën menjëherë pas përfundimit të luftës së Kosovës në qershor 1999.

Bashkë me Agon Demjahën dhe Steven Sampson, Lulëzimi ishte një nga tre personat që e regjistruan organizatën më 2 dhjetor 1999, ndërsa e udhëhoqi në fillimin e punës intenzive në përkrahje të sektorit jo-qeveritar. Ishtë kjo periudha kur OJQ-të u shndërruan në kanalin më të rëndësishëm vendor për përkrahjen ndërkombëtare për tejkalimin e emergjencës dhe rindërtimin, ndërsa KCSF u identifikua dhe u përkrah nga Bashkimi Europian si organizata kryesore vendore për t’i menaxhuar fondet e BE-së për shoqëri civile në Kosovë. Gjatë periudhës së udhëheqjes së tij, me ndihmën e BE-së KCSF kishte krijuar mekanizma të zhvilluara të ndarjes së granteve dhe kishte shpërndarë mbi 2 milionë euro nëpërmjet më shumë se 200 granteve për organizata jo-qeveritare në Kosovë. Gjithashtu, KCSF kishte filluar studimet dhe botimet e para rreth shoqërisë civile në Kosovë, programin e trajnimeve bazë për OJQ, si dhe shpërndarjen e mbi 400 bursave për nxënës e studentë të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Lulzimi u largua nga KCSF në nëntor të vitit 2003, kur udhëhoqi procesin e “spin-off” të një programi të KCSF-së, duke themeluar Institutin Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave KIPRED dhe duke u bërë Drejtori Ekzekutiv i parë i KIPRED.

I diplomuar në Inxhinieri Elektrike në Universitetin e Prishtinës, Lulëzimi mban titullin MA në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti Institue Ortega y Gasset në Spanjë, si dhe titullin PhD në Shkenca Politike nga Universiteti i Europës Juglindore në Maqedoninë e Veriut.

Para angazhimit në KCSF, në vitet 1995-1998 ka shërbyer si Hulumtues në Qendrën e Kosovës për Studime Ndërkombëtare (KCIS), qendrë kjo që shërbente si ekip i politikës së jashtme pranë Zyrës së Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Gjatë viteve 2009-2013 ka shërbyer si Ambasador i Kosovës në Suedi, ndërsa ka shërbyer edhe si Anëtar i Bordit të Drejtorëve të Universitetit Amerikan në Kosovë, Ligjerues vizitor në Qendrën e Gjenevës për Politika të Sigurisë GCSP, ligjërues në lëndën e Sigurisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Prizrenit, si dhe Kryesues i Bordit të Drejtorëve të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur KFOS. Ka botuar më shumë se 70 punime dhe artikuj në Kosovë, Britani të Madhe, Holandë, Greqi, Zvicër, Austri, Gjermani dhe Singapur.

Aktualisht është Drejtor Ekzekutiv në KIPRED, ndërsa vazhdon angazhimin hulumtues me fokus në politikat e sigurisë dhe të jashtme, marrëdhëniet ndër-etnike, si dhe partitë politike.  

Agon Demjaha

Agon Demjaha

Agon Demjaha ishte Drejtori Ekzekutiv i parë i Qendrës për Zhvillim të Shoqërisë Civile (CeDeCis) që më pas do të njihej si KCSF. Edhe pse qëndroi në këtë pozitë vetëm rreth një vit, ai udhëhoqi CeDeCis në procesin e themelimit si i deleguar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, dhe pastaj në aktivitetet e para në vitin 1998 e deri në përfundimin e luftës në qershor të vitit 1999. Gjithashtu, bashkë me Lulzëim Pecin dhe Steven Sampson, ishte një nga tre personat që e regjistruan organizatën pas çlirimit, më 2 dhjetor 1999, tashmë me emrin Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).  

Agoni mbanë titullin MA në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Europiane, si dhe atë PhD në Shkenca Politike. Ka më shumë se katër dekada përvojë në fushën e mësimdhënies universitare, diplomacisë dhe sektorit jo-qeveritar. Gjatë kësaj periudhë ka botuar artikuj të shumë në fushën e shkencave politike në revista të ndryshme ndërkombëtare, ndërsa gjithashtu është autor i kapitujve të ndryshëm në libra të botuar nga shtëpi të njohura botuese si United Nations University Press, Imperial College Press dhe Palgrave Macmillan.

Gjatë viteve 2006-2010 ka shërbyer si Ambasador i Maqedonisë së Veriut në Suedi, periudhë gjatë së cilës ka mbuluar edhe Norvegjinë dhe Finlandën si ambasador jo-rezident. Në vitet 2010-2012 ishte angazhuar si këshilltar i Ministrit për Punë të Jashtme, si dhe Ministrit për Zhvillim Ekonomik në Qeverinë e Kosovës.

Aktualisht është i angazhuar si Profesor i Asociuar i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Tetovës në Maqedoninë e Veriut, ndërsa vazhdon angazhimin në fushat e marrëdhënieve etnike, parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit, bashkëpunimin rajonal, si dhe diplomacisë. 

Donatorët aktual

Donatorët paraprak

Rrjetëzimi

KCSF-ja është anëtare e rrjeteve të mëposhtme:

Raportet e auditimit

Lista e dokumenteve

Internal Documents

List of documents

1 2

Logo & Branding​

KCSF ndër vite

Projektet paraprake

Puna jonë
Arritjet Kryesore
Ekipi
Donatorët
Dokumentet
KCSF ndër vite
Projektet paraprake