1. Në platformë nuk më pranohet data për aplikim, pse ndodh kjo?
Zbatimi i granteve është paraparë të fillojë në mars 2026, aplikimi me datë më herët nuk është i mundur.
2. Në platformë nuk më pranohet shuma e mjeteve për aplikim, pse ndodh kjo?
Tek shuma, formati duhet të jetë me vetëm numra, pa pikë ose presje në mes.
3. Ne kemi shkarkuar paketën e dokumenteve për thirrjen e hapur për Grante Institucionale (EJA Kosovë). Në këtë paketë kemi gjetur formularin e aplikimit narrativ dhe udhëzuesit shoqërues, por nuk kemi arritur të gjejmë formularin e buxhetit.
Formulari i buxhetit mund të shkarkohet në platformë gjatë aplikimit.
4. Organizata jonë është themeluar në janar të këtij viti dhe, si organizatë e re, ende nuk posedojmë pasqyrat financiare vjetore për dy vitet e fundit (2023 dhe 2024), ashtu siç kërkohet në udhëzues për organizatat që përzgjidhen në listën e ngushtë. Prandaj, do të dëshironim të dimë nëse mungesa e këtyre dokumenteve për shkak të kohës së shkurtër të operimit të organizatës do të na penalizojë në procesin e përzgjedhjes, apo nëse kjo nuk përbën arsye diskualifikimi.
Sa i përket pyetjes suaj, duam të ju sqarojmë se mungesa e pasqyrave financiare për organizatat e reja nuk është arsye për penalizim. Siç ceket në udhëzues, tek pjesa e fusnotave – “Pasqyrat financiare vjetore duhet në minimum të tregojnë bilancin dhe pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve. Raportet e auditimit duhet të mbulojnë dy pasqyra financiare të organizatës. Për organizatat e krijuara së fundmi, vetëm nëse është e aplikueshme”.
5. Nëse dy organizata të shoqërisë civile aplikojnë në partneritet (njëra si aplikues kryesor dhe tjetra si partner), por drejtuesit ekzekutivë të tyre kanë lidhje familjare, a konsiderohet kjo si konflikt interesi? Të dyja organizatat janë të regjistruara ligjërisht, kanë statute dhe llogari bankare të ndara, si dhe struktura vendimmarrëse të pavarura.
Dëshirojmë t’ju informojmë se në kuadër të grantit institucional nuk është e mundur të aplikoni në partneritet, pasi natyra e këtij granti parasheh mbështetje vetëm për një organizatë.
Sa i përket çështjes së konfliktit të interesit, dëshirojmë të theksojmë se praktikat ku individë me lidhje familjare aplikojnë së bashku në kuadër të thirrjeve për projekte nuk përputhen me parimet e mira të qeverisjes së brendshme. KCSF angazhohet fuqishëm për promovimin e këtyre parimeve në sektorin e shoqërisë civile dhe i konsideron ato thelbësore për ruajtjen e integritetit dhe transparencës.
6. Sistemi online i aplikimit nuk e lejon aplikimin në kohëzgjatje 36 muaj.
Sa i përket kohëzgjatjes, siç është cekur në udhëzues, organizatat mund të aplikojnë për përkrahje për një periudhë 24 deri në 34 muaj.
7. Në Logical Framework template, a duhet të vendosim vetëm pjesën e strategjisë me të cilën aplikojmë, apo tërë strategjinë e organizatës?
Në kornizën logjike duhet të reflektohet e tërë strategjia e organizatës me të cilën aplikohet, pavarësisht nëse kërkesa për mbështetje nga KCSF e mbulon vetëm një pjesë të saj.
8. Në Udhëzuesin për Aplikim potencohet se “Aktivitetet e llojit të shërbimit, si ato të ngjashme me Asistencën Teknike” dhe “Fushata ndërgjegjësuese pa veprime të duhura pasuese” janë aktivitete jo të kualifikueshme.
Do t’ju ishim mirënjohës nëse mund të na sqaroni më gjerësisht se çfarë nënkuptoni me “aktivitetet e llojit të shërbimit”, duke marrë parasysh që projektet tona fokusohen kryesisht në ofrimin e shërbimeve psikologjike, logopedike e të tjera për personat me aftësi të kufizuara.
Sa i përket “aktiviteteve të llojit të shërbimit, si ato të ngjashme me Asistencën Teknike”, nënkuptohet çdo aktivitet që ka karakter këshillimor, konsulence ose asistence të drejtpërdrejtë për institucione, biznese apo palë të treta, ku organizata luan rolin e ofruesit të një shërbimi teknik apo profesional për palë të jashtme, pa përfshirje domethënëse të qytetarëve apo komunitetit.
9. Po ashtu, do të vlerësonim një sqarim më të detajuar edhe mbi kuptimin e “veprimeve të duhura pasuese” pas fushatave ndërgjegjësuese. 
Me “veprime të duhura pasuese” nënkuptojmë veprime që sjellin ndryshime domethënëse dhe të matshme në komunitet, të cilat nuk kufizohen vetëm në informim, por përfshijnë ndërveprim të drejtpërdrejtë me komunitetin dhe adresojnë realisht nevojat dhe sfidat e tij. 
 10. A duhet që buxheti të paraqitet në detaje për secilën aktivitet, apo mjafton një buxhet i përgjithshëm? Gjithashtu, a është buxheti i detajuar i destinuar më shumë për thirrjen specifike për propozime, apo për strategjinë e përgjithshme institucionale të organizatës aplikuese?   
 Buxheti duhet të plotësohet për secilin aktivitet të paraparë në propozim, duke u përshtatur me natyrën e instrumentit. Meqenëse ky është një grant institucional, buxheti duhet të jetë në përputhje dhe të mbështesë objektivat strategjike të përgjithshme të organizatës. Është e rëndësishme që aktivitetet e propozuara dhe buxheti përkatës të kontribuojnë në mënyrë domethënëse në qëllimet më të gjera institucionale, dhe jo të kufizohen vetëm në kuadrin e një thirrjeje të vetme për propozime. 
  11. Udhëzimet përmendin se aplikuesit nuk duhet të kenë një kontratë aktive në kuadër të programit EJA Kosovë në kohën kur pritet të fillojë zbatimi i grantit institucional. A zbatohet kjo vetëm për thirrjen për Grantet Institucionale, apo për çdo kontratë që lidhet me KCSF? A mund të sqaroni çfarë nënkuptohet me “kontratë aktive” në këtë kontekst?    
Një kontratë aktive i referohet një kontrate granti ndërmjet KCSF-së dhe një grantisti, e cila është aktualisht në fuqi dhe e zbatueshme. Kjo përfshin të gjitha kontratat për grante në kuadër të programit EJA.   
12. A mund të elaboroni më shumë se çfarë nënkuptohet me “shoqata kulturore amatore”? A i referohet kjo vetëm grupeve kulturore të bazuara në komunitet, apo përfshin edhe nisma të pavarura kulturore si ato në fushën e arteve pamore, skenike apo multidisiplinare? 
“Shoqata kulturore amatore” i referohet organizatave të përbëra nga praktikues kulturorë joprofesionistë (amatorë) të cilët promovojnë ose ushtrojnë forma të ndryshme të artit. Kjo nuk kufizohet vetëm te organizatat kulturore të bazuara në komunitet dhe mund të përfshijë edhe nisma që përfshijnë arte multidisiplinare. 
13. A ka një numër të saktë sa staf duhet të ketë organizata?
Jo. Nuk ka një numër të përcaktuar të stafit. Organizata duhet të ketë kapacitete minimale për të zbatuar propozimin në mënyrë efektive.
14. Tek pjesa e veto-s së donatorëve, thuhet se donatori mund ta ushtroj të drejtën e veto-s dhe ta përjashtoj organizatën nga lista e rekomanduar për financim. Nëse ne aplikojmë tash në këtë grant, a na penalizon kjo që të mos mund të aplikojmë te Sida apo SDC? P.sh. pas një viti a mund të aplikojmë edhe në grantet e tyre?
Donatorët kanë të drejtën e vetos për çdo aplikant në listën e rekomanduar nëse konsiderohet se
(a) bien ndesh me vlerat e promovuara nga donatori.
(b) nëse mbivendosen me ndërhyrje të tjera të ngjashme të financuara nga donatori përkatës.
(c) nëse organizata mbështetet me grant institucional/themelor nga Sida gjatë periudhës që kërkon mbështetje nga EJA Kosovë.
E drejta e veto –s zbatohet në kuadër të këtij procesi të vlerësimit. Aplikimi në EJA nuk ju pengon të aplikoni në thirrjet e ardhshme të Sida apo SDC. Megjithatë, çdo vendim për përdorimin e veto-s mbetet në diskrecion të donatorëve.
15. Një pikë potencon se strategjia duhet të jetë për tri vitet e ardhshme ose për pjesën më të madhe kohore. Ne e kemi strategjinë edhe për dy vite vijuese, a kemi të drejtë të aplikojmë për program për tri vite?
Po, sepse e përfshin pjesën më të madhe të kohës. Pra strategjia e përfshin më shumë se gjysmën e periudhës së zbatimit të grantit.
16. A mundemi ta përfshijmë edhe hartimin e strategjisë për vitet vijuese tek ngritja e kapaciteteve?
Po, mundeni.
17. Nëse zbatimi i grantit planifikohet të zgjatë 30 muaj, a mund të shfrytëzohet buxheti total?
114,000 euro është për 34 muaj, për më pak, shuma duhet të përpjesëtohet. Pra për 12 muaj mund të shfrytëzohen 40,000 mijë euro, për 10 muaj  34,000 euro. Shifra 40,000 duhet të pjesëtohet për muajt e zbatimit.
18.Tek shpenzimet e pakualifikueshme përmendet se nuk mund të transferohet granti te palët e treta. Ne mendojmë ta bëjmë një garë në mes të grupeve përfituese, ku fituesi e merr një shumë financiare simbolike, por të menaxhuara nga organizata, pa i bartur mjetet financiare tek palët e treta, a është në rregull si procedurë?
Po, kjo është e lejuar. Përderisa fondet nuk transferohen drejtpërdrejt te palët e treta dhe menaxhimi financiar mbetet në kuadër të organizatës suaj.
19.A mundet programi të ketë bashkëfinancim me ndonjë donator tjetër?
Po, është e definuar edhe në formën e buxhetit, njëra kolonë është përqindja e kërkuar për financim nga EJA dhe në kolonën tjetër nëse ka përkrahje nga ndonjë donator tjetër. Por nuk lejohet aplikimi në partneritet mes dy organizatave.
20. A mund të aplikojmë si organizatë e re e themeluar në 2024?
Po, mund të aplikoni.
21. Gjatë aplikimit, a ruhen informatat si draft, apo duhet të përfundohet i gjithë aplikimi menjëherë?
Është e mundur të ruhet si draft, përderisa nuk e përfundoni në fund si dorëzim, mund të ktheheni mbrapa dhe të bëni ndryshime. Nëse ju ndihmon, mund të shkarkoni formularin në format Word, të punoni në atë dokument para se të klikoni në ‘Apliko’ ku nuk mund të bëhen më ndryshime.
22. Te fushat e ndërhyrjes dhe popullata e synuar, përmendni rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve, forcimin e rolit te shoqërisë civile ne avokim, fuqizimin e të rinjve për formësimin e politikave dhe edukimin qytetar mbi të drejtat e njeriut. Në anën tjetër, nuk lejohet aktiviteti i fushatave vetëdijësuese. Meqenëse gati të gjitha fushat e intervenimit mund të kenë elemente të vetëdijesimit (ndonjëherë e pashmangshme), a keni shembuj të aktiviteteve të cilat kanë kontribuar zhvillimit të këtyre fushave, pos fushatave vetëdijësuese.(p.sh.trajnime, punëtori, qasje tjera)?
Një sqarim shtesë, kur themi se nuk lejohen fushatat vetëdijësuese, themi se nuk lejohen si aktivitete në vetvete, pra nëse ka veprime të duhura pasuese të cilat i japin kuptim asaj fushate, dhe nuk kufizohet vetëm në informim të qytetarëve, por ka ndërveprim të njëmend dhe kuptimplotë me qytetarët, komunitetin apo grupet e synuara me të cilat punoni, atëherë me këto elemente plotësuese, lejohet.
23.A ka kufizim të numrit të shkronjave (karaktereve) në përgjigje në platformë? A është i paraqitur numri i shkronjave edhe në formatin Word?
Numri i shkronjave (karaktereve) që lejohet për përgjigje është i cekur në platformën online si dhe në formatin Word.
24.A ka preferencë për përqindje të buxhetit që mund të shkojë për burime njerëzore të brendshme dhe kontraktorë të jashtëm? A ka ndonjë kufizim apo e vendosim ne?
Ky vendim është në dorën tuaj, përpos 15% që parashihet për zhvillim organizativ, nuk ka kufizime të tjera. Pastaj efektiviteti i kostos së buxhetit vlerësohet nga Ekipi vlerësues i granteve, pra sa është realist, i aplikueshëm dhe sa i ndihmon organizatës, por nuk ka ndarje të përqindjes së pagave ose aspekteve tjera.
25.A ka mundësi një shpjegim më të detajuar për studimet përgatitore, në çfarë kuptimi nuk përkrahen, nëse organizata që aplikon nuk i përdor për qëllim të grantit por vetëm si analizë për grupet e synuara, a përkrahet në këtë rast?
Nuk përkrahen në rastin kur shumica e punës është për të prodhuar një studim për një fushë të caktuar. Në rast se organizata ka aktivitete tjera, ka përfshirje të qytetarëve, analiza të politikave publike, dhe i gjithë granti nuk është i fokusuar në studim, janë të lejueshme. Siç e thotë edhe udhëzuesi kur janë kryekëput vetëm studime përgatitore apo vetëm studime fizibiliteti, p.sh analizimi i një problemi dhe i gjithë aktiviteti bartet te ai studim, nuk janë të financueshme. Por aspekte të zhvillimit të politikave ose dokumenteve për interes qytetar, ku nuk janë të gjithë aktivitetet të fokusuara në studim, lejohet.
26.A lejohet bashkëpunimi me organizata të tjera përgjatë zbatimit të aktiviteteve? P.sh. nëse e kemi temën për integrim, demokratizim dhe involvim të komuniteteve, a mund të bashkëpunojnë OJQ të komuniteteve?
Partneriteti për zbatim të grantit në mes të dy organizatave, si buxhetimi së bashku, ndarja strikte e aktiviteteve, nuk lejohet. OJQ të tjera mund të përfshihen në aktiviteteve, por jo të implementojnë aktivitetin tuaj, pra nuk mund të jenë bartëse e aktiviteteve. Mund të keni bashkëpunim tematik por ju jeni bartëse të aktivitetit tuaj, ju i organizoni, i buxhetoni dhe jeni përgjegjës për to. Por nuk lejohet dy organizata ta krijojnë një aktivitet ku ndahet përgjegjësia, ndahet buxheti.
27.Te kriteret e vlerësimit, përvoja e mëparshme i zë 10%. A është kjo përvoja me grantet tuaja, apo me tematiken apo fushën ku kontribuojmë?
Kjo përqindje në këtë kategori e vlerëson përvojën e organizatës në fushat dhe tematikat me të cilat keni aplikuar. Pra sa keni eksperiencë dhe sa tregoni një punë të theksuar në temat në të cilat i keni shtjelluar në aplikim.
28. Kemi një pyetje lidhur me përmbajtjen e Kapitullit 4 të aplikacionit si dhe me Kornizën Logjike (Logical Framework). Në Kapitullin 4 kërkohet të shtjellohet strategjia e organizatës, objektivat strategjikë (strategic goals), si dhe pjesa mbi Main expected outcomes. A mund të na sqaroni nëse në këtë pjesë (“Main expected outcomes”) pritet të përfshihen rezultatet kryesore që rrjedhin nga programi për të cilin po aplikojmë për grant institucional, apo ato që lidhen në mënyrë më të gjerë me strategjinë e organizatës? Kjo pyetje lidhet drejtpërdrejt edhe me Kornizën Logjike, pasi aty kërkohet të listohen main expected outcomes dhe results, që nga udhëzimet duket se kanë të bëjnë më shumë me programin e propozuar, jo me strategjinë në tërësi. Me fjalë të tjera, edhe pse Kapitulli 4 i dedikohet strategjisë së organizatës, a duhet që pjesa e expected outcomes të fokusohet më tepër në rezultatet e pritshme të programit që do të mbështetet nga granti institucional?
Kapitulli 4 i aplikacionit, ashtu siç është theksuar në udhëzues, ka për qëllim të paraqesë strategjinë e përgjithshme të organizatës, objektivat strategjikë dhe mënyrën se si ato kontribuojnë në qëllimet e organizatës në afatmesëm dhe afatgjatë.
Pjesa e “Main expected outcomes” brenda këtij kapitulli, si dhe në Kornizën Logjike, duhet të reflektojë rezultatet kryesore që pritet të arrihen përmes mbështetjes që kërkohet nga granti institucional, pra rezultatet që do të mundësohen si pjesë e zbatimit të strategjisë gjatë periudhës së grantit.
Me fjalë të tjera:
•             Strategjia duhet të paraqitet në tërësi, për të kuptuar drejtimin e përgjithshëm të organizatës;
•             Ndërsa rezultatet e pritshme (main expected outcomes) në Kapitullin 4 dhe në Kornizën Logjike duhet të përqendrohen në segmentin e strategjisë që do të zbatohet me mbështetjen e EJA Kosovë.
Kjo ndarje ndihmon në vlerësimin e qartë të ndikimit që do të ketë granti institucional në arritjen e qëllimeve strategjike të organizatës.