GRANTET PËR PËRFAQËSIM

THIRRJE PER APLIKIM PËR GRANTET PËR PËRFAQËSIM RAJONAL/NDËRKOMBËTAR TË ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), me qëllim të fuqizimit të rolit të shoqërisë civile në  hartim dhe zbatim të politikave të cilat prekin komunitetin dhe publikun e gjerë përmes nxitjes së veprimeve të përbashkëta me partnerët, ofron përkrahje financiare për përfaqësim rajonal/ndërkombëtar të organizatave joqeveritare.

KUSH MUND TË APLIKOJË?

Për këto grante mund të aplikojnë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare vendore, përveç kategorive të OJQ-ve të përjashtuara si më poshtë:

  • Përkundër statusit të tyre juridik, klubet sportive, federatat sportive, shoqatat kulturore amatore ose organizatat fetare, që janë të regjistruara si OJQ, nuk janë synim i granteve të KCSF-së.
  • Ngjashëm, OJQ-të që përfaqësojnë biznese ose subjekte të ngjashme për të cilat është e qartë që kanë aftësi financiare për të mbuluar shpenzimet e organizatës së tyre ose për të përkrahur aktivitetet e tyre, nuk janë synim i granteve të KCSF-së.
  • Po ashtu, degët e OJQ-ve të huaja dhe ndërkombëtare të regjistruara në Kosovë nuk kanë të drejtë të aplikojnë.

Për këtë thirrje, përfaqësues të organizatave konsiderohen stafi i organizatës sipas autorizimit për përfaqësim të nënshkruar nga pozitat kompetente në kuadër të organizatës. Organizata aplikuese nuk duhet të jetë e udhëhequr nga Persona të Ekspozuar Politikisht (PEP)

KRITERET E PËRZGJEDHJES

Që aplikanti të mund të jetë përfitues i këtij granti, përfaqësimi duhet të synojë së paku njërën nga pikat e mëposhtme:

  • Prezantimi i punës së organizatës para një audience rajonale/ndërkombëtare;
  • Prezantimi ose avokimi për çështje të caktuara me interes për organizatën apo vendin në forume rajonale/ndërkombëtare;
  • Krijimi i mundësive për rrjetëzim, apo bashkëpunime strategjike me organizata dhe donatorë të tjerë rajonalë/ndërkombëtarë;
  • Prezantimi i përvojave dhe praktikave të funksionimit të organizatës apo trajtimit të çështjeve me interes për vendin apo organizatën;

CILAT AKTIVITETE PËRKRAHEN?

Përfaqësimi në kongrese, konferenca, seminare, punëtori, simpoziume, festivale, takime strategjike, takime të ndryshme të rrjeteve (kuvendet e anëtarëve, bordet, komisionet), takime avokuese.

Të gjitha informatat rreth kritereve për aplikim, përfshirë udhëzuesit dhe format për aplikim mund t’i gjeni më poshtë.

Të gjitha pyetjet lidhur me këto grante mund t’i dërgoni në postën elektronike kcsfsida@kcsfoundation.org.