Granti bazë nga Suedia

Granti Bazë për KCSF-në është përkrahje për KCSF-në nga Suedia, me qëllim të ndihmojë zbatimin e Kornizës Strategjike të KCSF-së për periudhën 2024-2028. Ky grant ofron përkrahje institucionale fleksibile që përfshin të gjitha aktivitetet themelore dhe funksionet programore të KCSF-së, si dhe aspektet zhvillimore organizative. Gjithashtu, Granti Bazë në vete përfshin edhe kontributin e Suedisë për programin EJA Kosovë – Faza 2, si një nga programet kryesore strategjike të KCSF-së. Shuma totale e Grantit Bazë për KCSF-në është 31,000,000 SEK (përafërsisht 2.6 milion EUR), nga të cilat rreth 1 milion EUR janë kontribut për programin EJA Kosovë – Faza 2.

Fushëveprimi i përkrahjes së Grantit Bazë për KCSF-në do të shfrytëzohet nga KCSF për të 1) mobilizuar burime për shoqërinë civile, dhe 2) për të ndërtuar kapacitete për shoqërinë civile, në mënyrë që shoqëria civile të angazhohet në mënyrë pjesëmarrëse dhe të ketë një përfaqësim legjitim të qytetarëve, komuniteteve dhe nevojave të tyre. Gjithashtu, Granti Bazë do të shfrytëzohet nga KCSF për të punuar me aktorët relevantë institucional dhe të tjerë për të krijuar dhe mbrojtur bazën ligjore dhe hapësirën për veprimtari të lirë të shoqërisë civile, si dhe për angazhimin e saj në procese publike

Të fundit nga Granti bazë nga Suedia

Thirrjet e hapura për Granti bazë nga Suedia

Arritjet Kryesore

Tregimet e suksesit

Pytjet më të shpeshta

LEGJISLACIONI PËR SHOQËRI CIVILE

1. Çka nënkuptojmë me legjislacionin për shoqëri civile?

Meqenëse karakteristikë kryesore e sektorit civil është parimi i mosshpërndarjes së fitmit, korniza ligjore që përcakton parimet rregullative të këtij sektori zakonisht njihet me termin “e drejta e sektorit jo për përfitim”.

Organizatat e shoqërisë civile veprojnë në pajtueshmëri me rendin juridik dhe kornizën ligjore të aplikueshme në vendin në të cilin ato veprojnë, sikurse edhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare. Në nivelin ndërkombëtar janë disa dokumente që i përcaktojnë parimet kryesore të së drejtës së sektorit jo për përfitim, duke filluar nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, Rekomandimi CM/Rec(2007)14 i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës për shtetet anëtare rreth statusit ligjor të organizatave joqeveritare në Europë, etj. Legjislacioni kombëtar duhet të jetë në përputhje me parimet e këtyre dokumenteve ndërkombëtare.

2. Cila është baza ligjore për shoqërinë civile në Kosovë?

E drejta dhe liria e asociimit është kategori kushtetuese në Kosovë, dhe për ta gëzuar këtë të drejtë regjistrimi nuk është i obligueshëm. Duke u nisur nga fakti që shumica e OShC-ve në Kosovë janë të regjistruara si OJQ, do t’i referohemi Ligjit nr.06/L- 043 për Liri të Asociimit në OJQ, si baza kryesore ligjore për shoqërinë civile. Ky ligj përfshin elementet bazë të funksionimit të OJQ-ve, duke filluar nga regjistrimi, organizimi i brendshëm, statusi për përfitim publik dhe shuarja e OJQ-së.

Ligjet e tjera të rëndësishme të cilat prekin sektorin e shoqërisë civile janë ligjet që rregullojnë çështjet fiskale, përkatëisht obligimet tatimore dhe të doganës: Ligji për Tatim në të Ardhura Personale, Ligji për Tatim në të Ardhura të Korporatës, Ligji për TVSH, si dhe ligjet dhe rregulloret që e përcaktojnë mënyrën e punës së institucioneve me të cilat OshC-të ndërveprojnë: Rregullorja e Punës e Kuvendit të Kosovës, Rregullorja e Punës e Qeverisë së Kosovës, Ligji për Vetëqeverisje Lokale dhe Statutet e Komunave, Ligji për Qasje në Dokumente Publike, Ligji për Nisma Legjislative, etj.

3. Çfarë është liria e asociimit?

Liria e asociimit është e drejtë themelore e njeriut, e garantuar nga Deklarata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe konventa të tjera ndërkombëtare dhe europiane për të drejtat dhe liritë e njeriut. Liria e asociimit nënkupton të drejtën e secilit person për themeluar një organizatë me qëllim të promovimit, adresimit dhe mbrojtjes së interesave të përbashkëta të grupit pa pasur nevojë për leje të vençantë. Liria e asociimit garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila në nenin 44 përcakton që: “Liria e asociimit ngërthen të drejtën e secilit për të themeluar një organizatë pa pasur nevojë të sigurojë leje, për të qenë apo për të mos qenë anëtar i një organizate, si dhe për të marrë pjesë në aktivitetet e një organizate”

4. Çfarë trajton Ligji për Liri të Asociimit në OJQ?

Ligji për Liri të Asociimit në OJQ trajton elementet kryesore të themelimit, organizimit, qeverisjes së brendshme, çregjistrimit dhe shuarjes së OJQ-ve, si dhe elementet kryesore të Statusit për Përfitim Publik.

5. Kush është organi përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ?

Organi përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ është Departamenti për Regjistrim dhe Ndërlidhje me OJQ (DRNOJQ), në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike.

6. Cilat janë obligimet e OJQ-ve ndaj DRNOJQ – së?

Secila OJQ është e obliguar që të informon Departamentin brenda afatit prej tridhjetë (30) ditë nga dita e ndryshimit informatave në lidhje me emrin e plotë tw organizatws apo shkurtesën, adresën, qëllimin dhe fushë-veprimtarinë e OJQ-së dhe informatat tjera kontaktuese të përfaqësuesit të autorizuar të OJQ-së.

7. Çka nënkuptojmë me Statusin për Përfitim Publik?

Statusi për Përfitim Publik është një koncept, i cili ka të bëjë me organizatat e shoqërisë civile të cilat misionin ose veprimtaritë e tyre i zhvillojnë për të mirën e përgjithshme të publikut, ose një grupi të caktuar e që është me interes të përgjithshëm publik. Ky koncept nënkupton që organizatat e tilla ofrojnë shërbime ose kryejnë punë të cilat përndryshe janë obligim i shtetit. Për këtë arsye shteti u ofron këtyre organizatave lehtësira të ndryshme, kryesisht tatimore, me qëllim të inkurajimit dhe përkrahjes së punës së tyre. Në anën tjetër, meqenëse gëzojnë lehtësira të ndryshme nga shteti, këto organizata marrin obligime shtesë të raportimit dhe llogaridhënies ndaj publikut, respektivisht ndaj shfrytëzimit të lehtësirave ose fondeve publike.

8. Si mund të merret Statusi për Përfitim Publik në Kosovë?

Në Kosovë, Statusi për Përfitim Publik mund të merret qysh në momentin e regjistrimit, apo edhe më vonë gjatë funksionimit të organizatës. OJQ-ja mund të aplikojë online për Status për Përfitim Publik, përmes sistemit elektronik të OJQ-ve, nëse aktivitetet parësore të OJQ-së janë njëra ose disa nga aktivitetet që konsiderohen për përfitim publik. Ky status është i përvjetshëm dhe për të vazhduar mbajtjen e këtij statusi, organizata duhet që t’i kryejë me sukses obligimet që dalin nga mbajtja e këtij statusi.

9. Cilat lloje të aktiviteteve konsiderohen për përfitim publik?

Bazuar në nenin 37, paragrafi 1, të Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ, për të marrë Statusin për Përfitim Publik, OJQ-ja duhet të ketë si aktivitet parësor një apo më shumë nga aktivitetet në vijim: ndihmë dhe përkrahje humanitare, përkrahje personave me aftësi të kufizuara, aktivitete bamirëse, arsim, shëndetësi, kulturë, rini, sport, ruajtje dhe përparim të mjedisit, rindërtim dhe zhvillim ekonomik, mbrojtje dhe përparim të të drejtave të njeriut, mbështetje të praktikave demokratike dhe shoqërisë civile, apo çfarëdo veprimtarie tjetër që është në funksion të së mirës së publikut. Kjo listë nuk është e mbyllur, respektivisht ka mundësi që të zgjerohet edhe me veprimtari të tjera, të cilat konsiderohen që janë në të mirë të publikut. Megjithatë, interpretimi i mundësisë për zgjerim të kësaj liste është kompetencë vetëm e DRNOJQ-së. Gjithashtu, është me rëndësi të dallohen veprimtaritë arsimore dhe shëndetësore, të cilat për t’u konsideruar si veprimtari për të mirën e publikut duhet që të ofrohen falas ose më lirë sesa vlera reale e tregut dhe madje për individë ose grupe në kushte të pavolitshme. Ngjashëm, veprimtaritë për zhvillim ekonomik mund të konsiderohen si veprimtari për të mirën e publikut vetëm nëse ndërmerren në radhë të parë për të mirën e individëve ose grupeve me kushte të pavolitshme. Ky dallim ka të bëjë me parandalimin e konkurrencës jo të drejtë që mund të bëhet në emër të lirimit nga taksat për këto fusha specifike.

10. Cilat janë përfitimet e organizatave me Status për Përfitim Publik?

Në Kosovë, qysh nga viti 2004, lehtësimet dhe përfitimet e organizatave me Status për Përfitim Publik janë gati se inekzistente. Ligji për Liri të Asociimit në OJQ parasheh që organizatat me Status për Përfitim Publik të gëzojnë të drejtën për lirim nga tatimi dhe lehtësi tatimore dhe fiskale, me përjashtim të atyre që në esencë janë detyrime për shërbimet publike komunale. Megjithatë, këto lirime dhe lehtësira tatimore duhet të përcaktohen dhe operacionalizohen saktë me ligjet tjera në fuqi që janë specifike, si p.sh. Ligji për TVSH, Ligji për Tatimin në të ardhura personale, Ligji për Tatimin në të ardhurat e korporatave, etj. Këto ligje ofrojnë një numër shumë të kufizuar të lehtësirave tatimore. Konkretisht mundësohet lirimi nga tatimi në të ardhura të korporatave, me kusht që të ardhurat të shfrytëzohen vetëm për qëllime të përfitimit publik; lirimi nga tatimi në pronë të paluajtshme, përveç kur kjo pronë shfrytëzohet për veprimtari komerciale ose krijim të fitimit. Gjithashtu, lirimi nga tatimi në të ardhura personale dhe të korporatave mundësohet për subjektet private që kontribuojnë për qëllime humanitare, shëndetësore, arsimore, fetare, shkencore, kulturore, të mbrojtjes së ambientit dhe sportive, lejohen si zbritje me vlerë maksimale prej pesë për qind (5%) të të ardhurave të tatueshme të llogaritura përpara se të jetë zbritur ky kontribut, me kusht që pranuesi të jetë OJQ me Status të Përfitimit Publik.

11. Cilat janë obligimet e organizatave me Status për Përfitim Publik në Kosovë?

Në bazë të Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ, organizatat të cilat kanë Statusin për Përfitim Publik u nënshtrohen disa obligimeve shtesë për raportim në DRNOJQ. Organizatat me Status për Përfitim Publik duhet që t’i dorëzojnë DRNOJQ-së raport vjetor financiar dhe të aktiviteteve të organizatës. Raporti duhet të dërgohet më së voni deri më 31 mars të vitit pasues. Po ashtu, organizatat me Status për Përfitim Publik me të hyra ose shpenzime vjetore mbi 100.000 euro duhet ta dorëzojnë në DRNOJQ edhe raportin e auditimit financiar për vitin paraprak, i certifikuar nga një auditor i pavarur.

12. Si ta regjistroj OJQ – në?

Regjistrimi i OJQ-së bëhet vetëm online, përmes web-faqes së Departamentit për OJQ, ku përfshihen të gjitha informatat mbi procesin e aplikimit. Të gjitha dokumentet e kërkuara për regjistrim (aktin e themelimit dhe statutin, si dhe caktojnë një përfaqësues të autorizuar), përfshi informatat personale të themeluesve të OJQ-së, duhet të shtohen në Sistemin Elektronik të Organizatave Joqeveritare. Departamenti për OJQ  do t’i shqyrtoj të gjitha dokumentet në emër të organizatës dhe duhet të lëshojë certifikatën e regjistrimit në një afat prej më së shumti 30 ditësh, përveç nëse kërkohen dokumente shtesë apo refuzohet me shkrim regjistrimi. Varësisht nëse OJQ-ja regjistrohet si shoqatë, fondacion apo institut, numri i themeluesve dhe struktura e qeverisjes dallojnë. Shoqata mund të themelohet nga të paktën 3 (tre) persona ose më shumë persona, ku të paktën njëri prej tyre ka vendbanimin ose zyrën në Kosovë. Fondacioni dhe Instituti mund të themelohen nga një apo më shumë persona. Fondacioni, gjithashtu mund të themelohet nëpërmjet testamentit ose lënies së trashëgimisë.

13. Cili është dallimi në mes të shoqatës, fondacionit dhe institutit?

Shoqatat janë organizata të anëtarësisë,  fondacionet themelohen për të menaxhuar një pasuri ose fond, dhe si të tilla nuk kanë anëtarë, instituti është organizatë pa anëtarësi, themelohen për realizimin e qëllimeve të ligjshme për përfitim publik ose për interes të ndërsjellë.  Organi më i lartë drejtues i shoqatës është Kuvendi i Anëtarëve, i cili duhet të takohet të paktën një herë në vit. Në Kuvendin e Anëtarëve përfaqësohen të gjithë anëtarët e OshC-së (ose me nga një anëtar të gjitha organizatat anëtare, në rastet kur shoqata është rrjet i disa organizatave). Organi më i lartë drejtues i fondacionit dhe institutit është Bordi i Drejtorëve, i cili duhet të takohet të paktën një herë në vit. Bordin e Drejtorëve e cakton themeluesi i fondacionit/institutit (vetëm përbërjen e parë), ndërsa në vazhdim anëtarët e Bordit zgjidhen nga vetë Bordi.

ORGANIZIMI DHE QEVERISJA E BRENDSHME E OSHC – VE

1. Çka nënkuptojmë me qeverisjen e brendshme të OShC – ve?

Qeverisja e brendshme e organizatave të shoqërisë civile nënkupton parimet, sistemet, rregullat, mekanizmat dhe praktikat në bazë të të cilave drejtohet një organizatë. Qeverisja e mirë nënkupton që parimet dhe praktikat e qeverisjes së brendshme ofrojnë një sistem të brendshëm të kontrollit që siguron se udhëheqësit e organizatës i shfrytëzojnë burimet dhe autoritetin në mënyrë efektive dhe llogaridhënëse bazuar në vlerat e përbashkëta të organizatës.

2. Cilat janë parimet themelore për qeverisje të brendshme të OShC – ve?

Edhe pse ka dallime varësisht nga lloji i organizatës, disa nga parimet kryesore të qeverisjes së brendshme janë: ekzistenca e një misioni të qartë dhe veprimtaria në kuadër të atij misioni, ekzistenca e strukturave të brendshme me përgjegjësi të ndara dhe të qarta, ndarja në mes të organeve udhëheqëse dhe menaxhmentit, menaxhimi i rregullt financiar, transparenca dhe llogaridhënia ndaj hisedarëve, standardet etike të punës dhe sjelljes, etj.

3. Cili është burimi i obligimeve për qeverisje të brendshme të OShC – ve?

Qeverisja e brendshme e OShC-ve në Kosovë bazohet në detyrime të jashtme ligjore dhe kontraktuale, dhe parime të brendshme. Detyrimet e jashtme kryesisht përfshijnë kërkesat ligjore për OShC-të e regjistruara në raport me strukturat formale të brendshme dhe obligimet për raportim të kategorive të ndryshme të organizatave, ndërsa parimet e brendshme përfshijnë sisteme të funksionimit të bazuara në vlera, statut, rregullore, kode të mirësjelljes, etj. Shumica e detyrimeve ligjore dalin nga Ligji për Liri të Asociimit në OJQ. Detyrimet kontraktuale burojnë zakonisht në momentin e përkrahjes së organizatës me fonde apo mjete tjera, e për të cilat organizata shfrytëzuese obligohet t’i shfrytëzojë në përputhje me detyrimet kontraktuale.  Parimet e brendshme përcaktohen kryesisht me dokumentet e brendshme të vetë organizatave përkatëse dhe lindin nga organet udhëheqëse, anëtarët, përkrahësit, organizatat partnere, etj.

4. Cilat janë format e organizimit të OShC – ve në Kosovë?

Shumica e organizatave të shoqërisë civile në Kosovë janë të regjistruara si OJQ. Sa u përket formave ligjore që përcaktojnë mënyrën e organizimit dhe qeverisjes së brendshme të OJQ-ve, ato ndahen në shoqata dhe fondacione.

5. Cilat janë dallimet në mes të shoqatës, fondacionit dhe institutit?

Shoqatat janë organizata të anëtarësisë,  fondacionet themelohen për të menaxhuar një pasuri ose fond, dhe si të tilla nuk kanë anëtarë, instituti është poashtu organizatë pa anëtarësi,  për realizimin e qëllimeve të ligjshme për përfitim publik ose për interes të ndërsjellë.

6. Cili është organi më i lartë drejtues i shoqatës?

Organi më i lartë drejtues i shoqatës është Kuvendi i Anëtarëve, i cili duhet të takohet të paktën një herë në vit. Në Kuvendin e Anëtarëve përfaqësohen të gjithë anëtarët e OShC-të (ose me nga një anëtar të  gjitha organizatat anëtare, në rastet kur shoqata është rrjet i disa organizatave).

7. Cili është organi më i lartë drejtues i Fondacionit?

Organi më i lartë drejtues i fondacionit është Bordi i Drejtorëve, i cili duhet të takohet të paktën një herë në vit. Bordin e Drejtorëve e cakton themeluesi i fondacionit (vetëm përbërjen e parë), ndërsa në vazhdim anëtarët e Bordit zgjedhen nga vetë Bordi.

8. Cili është organi më i lartë drejtues i Institutit?

Organi më i lartë drejtues i një  instituti është Bordi drejtues, i cili përbëhet nga të paktën tre (3) anëtarë dhe duhet të takohet të paktën një herë në vit.

9. A mund të shndërrohet shoqata në fondacion dhe anasjelltas?

Pas regjistrimit si OJQ, forma e organizimit nuk mund të ndryshohet.

10. A mund të ndërmarrin OShC – të aktivitet ekonomik?

Bazuar në parimet ndërkombëtare për funksionim të OJQ-ve, si dhe Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ, OShC-të mund të ndërmarrin aktivitete ekonomike me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve të saja jofitimprurëse dhe me kusht që të ardhurat e realizuara nëpërmjet aktiviteteve ekonomike të shfrytëzohen për të arritur misionin dhe qëllimet e organizatës. Të hyrat nga aktiviteti ekonomik në asnjë mënyrë nuk guxojnë të shpërndahen te ndonjë udhëheqës apo anëtar i organizatës, përveç pagesës për punën e bërë. Varësisht nga lloji i organizatës, në praktikën ndërkombëtare ka kufizime të caktuara për aktivitetet ekonomike.

11. Ku duhet të raportojnë OShC – të?

OShC-të, varësisht nga lloji dhe niveli i organizimit, kanë obligime të ndryshme të raportimit. Si rregull, të gjitha llojet e OShC-ve duhet t’i raportojnë në baza të rregullta organit më të lartë udhëheqës të organizatës. Raportimi te institucionet shtetërore bëhet vetëm për aspektet administrative/fiskale, sa herë që OShC-të janë të regjistruara si persona juridikë (OJQ) dhe ndërmarrin aktivitete administrative apo bëjnë pagesa dhe paguajnë taksa. Vetëm organizatat me Status për Përfitim Publik duhet të raportojnë në baza vjetore në Departamentin për Regjistrim dhe Ndërlidhje me OJQ lidhur me veprimtarinë dhe financat e tyre. OShC-të, në momentin që pranojnë fonde nga një donator, obligohen që t’i raportojnë donatorit për mënyrën dhe rregullësinë e shfrytëzimit të atyre fondeve. Niveli i raportimit te donatori dallon varësisht nga rregullat e secilit donator.

Përveç raportimit obligativ, OShC-të mund të zgjerojnë grupet të cilave u raportojnë në mënyrë vullnetare, me qëllim të rritjes së përkrahjes publike për punën e OShC-së dhe fuqizimin e veprimtarisë së vet.

PJESËMARRJA E SHOQËRISË CIVILE NË PROCESIN E INTEGRIMIT EUROPIAN

1. Cili është roli i shoqërisë civile në procesin e integrimit europian?

Shoqëria civile ka rol të rëndësishëm në hartim dhe zbatim të politikave sidomos në kuadër të procesit të integrimit europian. Rëndësia e bashkëpunimit  me shoqërinë civile është vënë në pah me futjen e nenit 11 në Traktatin e Lisbonës të Bashkimit Europian në të cilin ceket rëndësia e dialogut civil, si dhe me kushtëzimin nga  BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor që të stimulojnë këtë dialog në mënyrë që shoqëria civile të ushtrojë rolin e saj në këtë proces dhe të ngrejë nivelin e përfaqësimit demokratik të shoqërisë. Në Kosovë pjesëmarrja e shoqërisë civile në procesin e integrimit europian zhvillohet në dy platforma: në atë të bashkëpunimit shoqëri civile – institucione të BE-së dhe shoqëri civile – institucione vendëse.

2. Cilët mekanizma të BE-së janë të hapur për organizatat e shoqërisë civile në Kosovë?

Mekanizmat kryesorë të bashkëpunimit në mes të organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të BE-së në Kosovë janë: Dialogu i procesit të Stabilizim – Asociimit (DpSA), Instrumenti Europian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut (EIDHR), IPA – Programimi i asistencës së paraanëtarësimit dhe kontributi i OShC-ve në Raport të Progresit.

  • Qëllimi kryesor i takimeve politike dhe teknike në kuadër të dialogut të Procesit të Stabilizim -Asociimit është për të përcjellë dhe monitoruar reformat e Kosovës dhe procesin e përafrimit me BE-në. Në kuadër të dialogut politik , për çdo vit OShC-të ftohen në një takim, i cili zhvillohet një ditë para seancës plenare të DpSA-së, ku ato kanë mundësi të japin vlerësimet dhe shqetësimet e tyre për zhvillimet e fundit, bazuar në fushën e ekpertizës së tyre, ndërsa përfaqësuesit e KE-së këto pyetje dhe çështje i ngrenë zyrtarisht gjatë takimit zyrtar plenar mes KE-së dhe autoriteteve kosovare.
  • Instrumenti Europian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut (EIDHR) është instrumenti kryesor i Komisionit Europian për përkrahjen e shoqërisë civile dhe në Kosovë ky instrument është implementuar që nga viti 2008.
  • IPA – Programimi i asistencës së paraanëtarësimit (IPA) është instrument i Komisionit Europian, i cili ka për qëllim asistencën teknike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe, së fundmi, OShC-të të konsultohen edhe gjatë programimit të Dokumentit Indikativ për Planifikim Shumëvjeçar (MIPD).
  • Raporti i Progresit – Zyra Europiane në Kosovë po ashtu fton për komente OShC-të për përgatitjen e Raportit të Progresit, ku shoqëria civile ka rastin t’i dërgojë inputet e saj direkt tek Zyra e BE-së për fushat të cilat ata kanë ekspertizë.

3. Çka është Dialogu i procesit të Stabilizim – Asociimit?

Komunikata “Kosova – përmbushja e perspektivës europiane”, e miratuar nga Komisioni në nëntor 2009, filloi një dialog politik të intensifikuar, Dialogun e procesit të Stabilizim – Asociimit. Në kuadër të DpSA mbahen takime politike dhe teknike për të përcjellë dhe monitoruar reformat e Kosovës dhe procesin e përafrimit me BE-në, në veçanti lidhur me prioritetet e përkufizuara në Partneritetin Europian, i miratuar nga Këshilli i Europës më 18 shkurt 2008. Mbledhjet e Dialogut të PSA-së bashkëkryesohen nga Komisioni Europian dhe Qeveria e Kosovës. Çdo mbledhje rezulton me veprime pasuese të pajtuara bashkërisht që duhet të ndërmerren nga autoritetet kosovare. Takimet plenare të dialogut të PSA-së mbahen një herë në vit. Deri tani janë organizuar dhjetëra takime për të thelluar diskutimet teknike në fushat e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë; inovacionit, shoqërisë së informatës, dhe politikave sociale; tregtisë; tregut  të brendshëm dhe konkurrencës, bujqësisë dhe peshkatarisë; transportit, ambientit, energjisë dhe zhvillimit rajonal; zhvillimit ekonomik. Mbledhjet sektoriale të Dialogut të PSA-së mbahen një herë në vit, në Prishtinë ose në Bruksel. Koha midis mbledhjeve mundëson zbatimin e rekomandimeve dhe veprimeve të pajtuara.

4. Cilët mekanizma të Qeverisë së Kosovës janë të hapur për shoqërinë civile në Kosovë?

Mekanizmat kryesorë të Qeverisë së Kosovës që janë të hapur për shoqërinë civile janë: : 1) Këshilli Kombëtar për integrim evropian i udhëhequr nga Presidenca; 2) Task Forca për integrim evropian e udhëhequr nga Ministria e Integrimit Evropian; 3) Komisioni për Integrim Evropian i Kuvendit të Kosovës; 4) Ministria e Integrimit Evropian,  kryesisht për programimin e asistencës financiare dhe zbatimin e projekteve nga fusha e edukimit, e komunikimit dhe e informimit.

5. Cili është roli i Këshillit Kombëtar për Integrim Europian?

Këshilli Kombëtar për Integrim Europian i udhëhequr nga Presidenca (KKIE) është forum konsultativ dhe koordinues, i cili synon formulimin e politikave konsensuale kombëtare të Republikës së Kosovës për integrim evropian, duke lehtësuar koordinimin e aktiviteteve të të gjitha palëve të përfshira. Këshilli është formuar dhe udhëhiqet nga Presidentja e Kosovës.

Në këtë strukturë shoqëria civile është e përfaqësuar me tre anëtarë. Përfaqësuesit e shoqërisë civile janë përzgjedhur pas një procesi të hapur të nomiminit. Tre përfaqësuesit e shoqësisë civile vijnë nga organizata me përvojë dhe projekte nga fusha e integrimit europian, si Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) ose përfaqësojnë rrjete me ndikim në Kosovë sikur Platforma Civikos.

6. Cili është roli i Task Forcës për Integrim Europian?

Task Forca për Integrim Europian është mekanizëm kombëtar i zhvillimit të konsensusit që synon të mbledhë ekspertë të ndryshëm nga mbarë strukturat qeveritare dhe joqeveritare të vendit me qëllim të diskutimit dhe analizës së gjithmbarshme të gjendjes momentale, dhe të sfidave që duhet adresuar në kuadër të procesit të integrimit europian. Task Forca ka për qëllim të shumëfishojë përpjekjet dhe angazhimin përmes pjesëmarrjes dhe kontributit të të gjithë aktorëve në qeverisje, politikë, jetën akademike, shoqëri civile, media, dhe të tjerë me interes në proces të integrimit europian. Kjo po bëhet përmes organizimit të punës në 7 tryeza tematike. Në këtë strukturë ftohen përfaqësuesit e shoqërisë civile bazuar në ekspertizën e tyre në sektorë të caktuar për të kontribuuar dhe parashtuar shqetësimet e tyre, ndërsa disa nga tryezat tematike edhe udhëhiqen nga ekspertë që vijnë nga shoqëria civile. Duke u bazuar në sfidat e dala nga tryezat tematike, Task Forca do të dalë me rekomandime konkrete për politikat strategjike mbi procesin e integrimit europian. Synimi kryesor i Task Forcës është zhvillimi i Strategjisë Nacionale për Integrim Europian.

7. Si është e përfshirë shoqëria civile në programimin e IPA – së dhe EIDHR – së?

Instrumenti i asistencës së paraanëtarsimit (IPA) është instrument i Komisionit Evropian, i cili ka për qëllim asistencën teknike drejtuar vendeve me perspektivë anëtarësimi. Zyra e BE-së në Kosovë i konsulton OShC-të për përshkrime të projekteve përmes një komisioni të përbashkët të monitorimit për të siguruar efikasitetin më të mirë të ndihmës dhe shmangjen e duplifikimeve. Gjithashtu, shoqëria civile konsultohet edhe gjatë programimit të Dokumentit Indikativ për Planifikim Shumëvjeçar (MIPD), si dhe planeve vjetore për asistencë nga IPA-ja për Kosovën e po ashtu edhe asistencës direkte për shoqërinë civile qoftë përmes IPA-së apo instrumentit EIDHR rajonal apo të Kosovës.

8. Çka është Raporti i Progresit i Komisionit Europian dhe cili është kontributi i shoqërisë civile në hartimin e raportit të progresit të KE-së për Kosovën?

Raportet e progresit nxirren nga Komisioni Europian për secilin vend të Ballkanit Perëndimor të përfshirë në Procesin e Stabilizim-Asociimit. Këto raporte përshkruajnë marrëdhëniet në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian. Zakonisht këto raporte Komisioni Europian i nxjerr në vjeshtë të çdo viti. Raportet janë pasqyrim njëvjetor i të arriturave, ngecjeve dhe sfidave nga reformat që dalin nga kriteret e Kopenhagës, pra kriteret politike, ekonomike dhe standardet europiane. Përmes Raportit të Progresit bëhet një shqyrtim i kapaciteteve të vendeve që synojnë anëtarësimin në BE rreth zbatimit të standardeve europiane, që do të thotë përafrimin e legjislacionit dhe politikave të saja me ato  Acquis Comunitare të BE-së. Përparimet për secilin vend të Ballkanit Perëndimor maten në bazë të vendimeve të marra, legjislacionit të aprovuar, dhe zbatimit të masave. Me qëllim të sigurimit të qasjes së barabartë, ligjet apo masat që janë në përgatitje e sipër apo janë në pritje të ndonjë aprovimi nuk merren parasysh. Kjo qasje tregon trajtim të barabartë dhe vlerësim objektiv për të gjitha vendet. Raportet e Progresit shkruhen për secilin vend të Ballkanit Perëndimor veç e veç dhe kanë të njëjtën strukturë. Raportet analizojnë situatën politike të këtyre vendeve sa u përket fushave, siç janë: funksionimi i institucioneve, demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, mbrojtja e pakicave, çështjet rajonale, reformat ekonomike, financiare dhe ato të fushave sektoriale të BE-së.

9. Nga cilat programe komunitare përfiton shoqëria civile në Kosovë?

  • IPA – Instrumenti i Asistencës së Paraanëtarësimit – i cili ka për qëllim mbështetjen e Procesit të Stabilizm- Asociimit përmes asistencës teknike;
  • EIDHR – Instrumenti Europian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut  është instrumenti kryesor i Komisionit Europian për përkrahjen e shoqërisë civile;
  • TAIEX – është programi i asistencës teknike dhe shkëmbimi i informatave që ka për qëllim përafrimin, aplikimin dhe fuqizimin e legjislacionit të BE-së;
  • Twinning ose binjakëzimi – është instrumenti i  bashkëpunimit ndërmjet administratës publike të shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve përfituese;  dhe
  • TEMPUS – programi  i cili ka për qëllim përkrahjen e arsimit të lartë përmes projekteve për bashkëpunim universitetesh.
PJESËMARRJA QYTETARE NË VENDIMMARRJE

1. Çka kuptojmë me pjesëmarrje qytetare në vendimmarrje?

Pjesëmarrja qytetare nënkupton një veprim individual ose kolektiv, me qëllim të identifikimit dhe adresimit të çështjeve me interes publik. Pjesëmarrja qytetare është një proces ku qytetarët organizojnë veten dhe qëllimet e tyre në nivelin praktik dhe punojnë së bashku qoftë në nivel individual ose përmes organizatave të shoqërisë civile për të ndikuar në procesin e vendimmarrjes. Pjesëmarrja në procese vendimmarrëse do të thotë mundësi për qytetarët, OShC-të dhe palët e tjera të interesuara për të ndikuar në zhvillimin e politikave dhe ligjeve të cilat i prekin ata.

2. A mund të zëvendësojë pjesëmarrja qytetare përgjegjësitë kushtetuese të institucioneve publike?

Pjesëmarrja qytetare nuk i pezullon kompetencat kushtetuese dhe ligjore të përfaqësuesve të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në procedurën e miratimit dhe zbatimit të ligjeve, si dhe të instrumenteve të politikave publike, por për më tepër ua mundëson autoriteteve t’i zbatojnë këto kompetenca në mënyrë më efikase.

3. Cilat janë nivelet kryesore të pjesëmarrjes qytetare?

Ekzistojnë katër nivele të pjesëmarrjes qytetare, nga ai me më së paku pjesëmarrje deri tek ai me pjesëmarrësi. Këto janë: informimi; konsultimi; dialogu dhe partneriteti.

4. Çfarë është informimi?

Qasja në informata është baza e të gjithë hapave pasues në përfshirjen e OshC-ve në procesin e vendimmarrjes politike. Ky është një nivel relativisht i ulët i pjesëmarrjes i cili zakonisht konsiston në ofrimin njëkahor të informatave nga autoritetet publike, duke mos kërkuar dhe duke mos pritur ndërveprim ose përfshirje të OJQ-ve. Informimi është relevant për të gjithë hapat e procesit të vendimmarrjes. Pa qenë të informuar paraprakisht për planet dhe punën e institucioneve publike, qytetarët nuk mund të marrin pjesë në asnjë fazë të mëvonshme të punës së institucionit përkatës.

 5. Çfarë është konsultimi?

Konsultimi është një formë e pjesëmarrjes, ku autoritetet publike u kërkojnë qytetarëve dhe OShC-ve mendimin e tyre rreth një teme të caktuar të politikave ose zhvillimeve. Konsultimi zakonisht nënkupton informimin e qytetarëve dhe OShC-ve nga autoritetet për zhvillimet e ndryshme të politikave dhe kërkesën për komente, qëndrime dhe reagim. Iniciativa dhe temat dalin nga autoritetet publike, e jo nga qytetarët dhe OShC-të.

6. Çfarë është dialogu?

Dialogu është një proces i vazhdueshëm i konsultimit në mes të autoriteteve publike dhe OShC-ve, i cili ndodh në të gjitha fazat e bërjes dhe zbatimit të politikave, që nga përcaktimi i agjendës e deri te vlerësimi dhe riformulimi i politikës. Dialogu mund të jetë i gjerë apo specifik. Dialogu i gjerë nuk është i lidhur me ndonjë proces specifik të zhvillimit të politikave, por mbetet i përgjithshëm dhe kryesisht synon përcaktimin e agjendës. Dialogu specifik ndërtohet në interesa të përbashkëta për zhvillim të një politike të caktuar, ndërsa rezulton me rekomandime dhe veprime konkrete.

7. Çfarë është Partneriteti?

Partneriteti nënkupton përgjegjësi të përbashkëta në secilin hap të procesit të vendimmarrjes politike në mes të autoriteteve publike dhe OShC-ve, duke filluar nga caktimi i agjendës, draftimi, vendimi dhe zbatimi i ndonjë nisme të politikave. Kjo është edhe forma më e lartë e pjesëmarrjes. Në këtë nivel OShC-të dhe autoritetet publike nisin një bashkëpunim të ngushtë, por duke u siguruar që në të njejtën kohë OShC-të të vazhdojnë të mbesin të pavarura dhe të kenë të drejtën e fushatave dhe veprimeve pavarësisht nga situata e partneritetit.

8. A kanë obligim institucionet publike në Kosovë që të përfshijnë qytetarët dhe OShC – të në punën e tyre?

Të gjitha institucionet publike në Kosovë e kanë obligim kushtetues që të përfshijnë qytetarët në punën e tyre, qoftë në hartim apo zbatim të politikave dhe programeve të tyre. Obligimet më të mëdha i ka niveli komunal, ku secila komunë duhet t’i njoftojë qytetarët mbi “planet ose programet e rëndësishme për interesin publik”. Qytetarët e një komune kanë të drejtë për të marrë pjesë në aktivitetet e komunës përkatëse, për të drejtën e peticionit, iniciativës qytetare, referendumit lokal, ndërsa komunat obligohen që të themelojnë komitete konsultative brenda sektorëve, në të cilat duhet të ftohen edhe përfaqësues të OShC-ve. Në nivelin qeveritar, të gjitha aktet qeveritare (përveç vendimeve me karakter administrativ) duhet që paraprakisht të konsultohen me publikun, ndërsa qeveria obligohet që të ofrojë informata të mjaftueshme rreth dokumentit që konsultohet, kohë të mjaftueshme për kontribut, si dhe të raportojë për rezultatet e konsultimit. Për të gjitha ligjet që aprovohen nga Kuvendi i Kosovës mund të organizohen dëgjime publike, ndërsa OShC-të mund të marrin pjesë edhe në takimet e komisioneve parlamentare.

9. Çfarë kuptojmë me vullnetarizëm?

Vullnetarizmin mund ta definojmë si praktikë të punës së njerëzve, të cilët punojnë për të tjerët apo për një të mirë të përbashkët pa qenë të motivuar nga përfitimet financiare apo materiale. Vullnetarizmi kryesisht lidhet me një veprimtari altruiste, që ka për qëllim promovimin e cilësisë më të lartë jetësore për njerëzit. Po ashtu, puna vullnetare ndihmon njerëzit që të fitojnë shkathtësi praktike për punën që bëjnë.

Dokumentet Kryesore

Lista e dokumenteve

Granti bazë nga Suedia
Të fundit
Thirrjet e hapura
Instrumentet
Arritjet kryesore
Pytjet më të shpeshta
Dokumentet kryesore