Nënshkruhet marrëveshja e re për Përkrahjen Bazë nga Suedia për KCSF-në për periudhën 2024-2028

Në një shoqëri shumë të gjallë e dinamike siç është kjo e Kosovës ku problemet dhe zgjidhjet janë të ndërlidhura në një rrjet gjithmonë e më kompleks, për shoqërinë civile është thelbësore t’i ketë burimet e përshtatshme njerëzore dhe financiare, e mbi të gjitha, qëndrueshmërinë dhe fleksibilitetin për të identifikuar dhe punuar për zgjidhjet e duhura.

KCSF është duke vazhduar me trendin e rritjes institucionale dhe ndikimit pozitiv për t’i mundësuar shoqërisë civile që të bëhet një zë legjitim i qytetarëve në zhvillimin demokratik të Kosovës. Suedia ka qenë përkrahësi ynë kryesor që nga viti 2015, me përkrahje bazë afat-gjate për KCSF-në. Kjo përkrahje fleksibile e bazuar në besim ishte vendimtare për ta fuqizuar KCSF-në që të ndërmarrë fushata vendimtare avokimi për ta mbrojtur dhe avancuar hapësirën qytetare, që ta pajisë shoqërinë civile me dije dhe kapacitete, si dhe t’i ngrisë programet e granteve në nivele të reja, duke mbetur kështu qendra kryesore për shoqëri civile në Kosovë dhe më gjerë.

Të mërkurën, më 22 nëntor, nënshkruam marrëveshjen e re për Përkrahjen Bazë nga Suedia për KCSF-në për periudhën 2024-2028, për të vazhduar me thellimin e cilësisë së programeve ekzistuese, ndërsa paralelisht të zgjerohemi me programe të reja në diversifikimin e burimeve për shoqërinë civile.

Siç theksoi edhe z. Henrik Riby, Udhëheqës i Agjencisë Zhvillimore Suedeze në Kosovë: “Mbështetja e vazhdueshme nga Suedia do t’i mundësojë KCSF-së zhvillimin organizativ, për tu bërë më strategjike në përdorim më të thelluar të hulumtimit dhe për të rritur angazhimin me palë dhe partnerë të rinj, siç është diaspora dhe sektori privat”.