LAJMI I FUNDIT: Thirrje për aplikim - Kontributi në zbatimin e Marrëveshjes... më shumë
FONDACIONI KOSOVAR PËR SHOQËRI CIVILE

Fondet e BE – së për shoqëri civile

1. Çka është ngritja e fondeve?

Ngritja e fondeve është procesi përmes së cilit një OShC u qaset fondeve të nevojshme për t’i zbatuar aktivitetet e organizatës. Ngritja e fondeve ka kuptime të ndryshme, mirëpo më së shpeshti i referohet mbledhjes së fondeve nga donatorë të ndryshëm. Pra, ngritja e fondeve u referohet të gjitha aktiviteteve që ndërmerren nga një OShC për t’i siguruar burimet e duhura për ta përmbushuur misionin e vet.

2. Cilat janë burimet kryesore për ngritje të fondeve?

Edhe pse një pjesë e rëndësishme e punës së sektorit të shoqërisë civile bëhet në mënyrë vullnetare, për aktivitete më specifike nevojiten fonde të veçanta që mundësojnë ofrimin e shërbimeve, ekspertizës apo infrastrukturës së domosdoshme për aktivitetin e caktuar. Burimet e fondeve mund të rrjedhin nga individët dhe/ose organizatat të cilat kryesisht i takojnë njërit nga tre grupet në vijim: 1) përfituesit direkt – anëtarësia e OShC-ve, ata për të cilët organizata ekziston, dhe jeta e të cilëve ndikohet nga misioni, aktivitetet dhe shërbimet e organizatës; 2) mbështetësit – ata të cilët janë të interesuar në misionin dhe aktivitetet e një OShC-je dhe që dëshirojnë të mbështesin punën e OShC-së në përmbushjen e misionit të caktuar, dhe 3) gjenerimi i të hyrave vetjake nga ofrimi i shërbimeve me pagesë.

3. A duhet të regjistrohem si OJQ para se të aplikoj për fonde?

Rregull i përgjithshëm i shumicës së donatorëve që përkrahin shoqërinë civile është që një OShC duhet të jetë e regjistruar dhe të ofrojë këtë dëshmi përmes certifikatës së regjistrimit. Kjo cerfitikatë pastaj është një nga dokumentet e duhura për të hapur një xhirollogari bankare e cila është e domosdoshme dhe kërkohet nga donatori. Në Kosovë regjistrimi bëhet në Ministrinë e Administratës Publike në Departamentin për ndërlidhje dhe regjistrim të OJQ-ve. Megjithatë, në raste specifike dhe shumë të rralla donatorë të caktuar mund të përkrahin një iniciativë qytetare ose një projekt pa pasur nevojë për regjistrim.

4. A mund të organizojë OSHC-ja aktivitet me qëllim të ngritjes së fondeve?

OShC-të mund të organizojnë aktivitete dhe të ofrojnë shërbime me qëllim të ngritjes së fondeve. Fondet e mbledhura nuk mund të shpenzohen për qëllime të përfitimit personal të punonjësve apo anëtarëve të bordit dhe ky paraqet dallimin esecial ndërmjet një OShC-je dhe operatori ekonomik. Fondet e mbledhura duhet shpenzuar në aktivitete që ndihmojnë arritjen e misionit të organizatës duke përfshirë edhe pagesën e punonjësve të cilët janë të angazhuar për të arritur këtë mision.

5. A mund të përfitojë fonde një OShC për të njëjtin projekt nga më shumë se një donator?

Trendi i kohëve të fundit është që disa donatorë bëhen bashkë për të përkrahur një projekt ose iniciativë. Pra, një OShC mund të ketë fonde nga më shumë se një donator për të njëjtin projekt, por duhet definuar qartë vijat buxhetore se çka përkrahet nga secili donator duke u siguruar edhe për fizibilitetin e të gjithë donatorëve.

6. Çka nënkuptojmë me kapacitete për ngritje të fondeve?

Duke mos pasur të ardhura të vazhdueshme nga një burim i vetëm, karakteristikë e veçantë e sektorit civil është nevoja për ngritje të vazhdueshme të fondeve dhe përdorimi i tyre për të zbatuar misionin e organizatës. Aktiviteti që ushtrojnë OShC-të për të përgatitur kuadrot e tyre me qëllim të mbledhjes së fondeve nga donatorë të ndryshëm për të ushtruar veprimtarinë e tyre njihet me termin kapacitete për ngritjen e fondeve.

7. Cilët janë donatorët kryesorë në Kosovë që përkrahin shoqërinë civile?

Duke u bazuar në nevojat dhe fazat e transicionit nëpër të cilat po kalon Kosova, edhe niveli i përkrahjes dhe prioritetet e donatorëve kanë ndryshuar. Në periudhën e pasluftës kryesisht përkrahja ka shkuar në drejtim të rindërtimit, strehimit dhe nevojave humanitare. Pas shpalljes së pavarësisë përkrahja kryesisht është e orientuar në ndërtimin dhe zhvillimin e demokracisë, në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut, ndërtimin e shtetit dhe përkrahjen e agjendës për integrim europian të Kosovës. Aktualisht ndër donatorët kryesorë për shoqërinë civile në Kosovë janë: Bashkimi Europian, USAID-i, Fondacioni SOROS (KFOS), Ambasada Norvegjeze, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim (SCO-K), SIDA, Ambasada Holandeze, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, ambasadat e tjera të vendeve të BE-së dhe disa donatorë të tjerë rajonalë dhe europianë që mbulojnë edhe Kosovën.

8. Çka është IPA - Instrumenti i Paraanëtarësimit?

Instrumenti i Paraanëtarësimit (IPA) është mekanizëm financiar i Komisionit Europian që përkrah vendet në kuadër të politikës së zgjermit të Bashkimit Europian. Ky instrument financiar kryesisht përkrah projekte nga tri kategori të mëdha: kriteret politike, kriteret ekonomike dhe standardet europiane.

9. Çka është Instrumenti Europian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR)?

EIDHR-ja është një instrument i BE-së në përkrahje të demokracisë që ka për qëllim të sigurojë mbështetje për promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në vendet jashtë BE-së, duke përfshirë edhe Kosovën.

10. Cilat fusha përkrahen nga EIDHR-ja?

Komisioni Europian përmes Instrumentit Europian për Demokraci dhe të Drejtat e njeriut (EIDHR) përkrah shoqërinë civile me projektet që mbrojnë dhe promovojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Që nga viti 2008, EIDHR-ja përkrah OShC-të në Kosovë përmes granteve. Buxheti i  EIDHR-së për vitin 2013 është rreth 1 milion euro.

11. Çka është Programi për përkhraje të shoqërisë civile (Civil Society Facility)?

Instrumenti më i ri përmes të cilit Zyra e BE-së programon fondet IPA në Kosovë quhet Programi për përkrahjen e shoqërisë civile (Civil Society Facility). Programi për përkrahjen e shoqërisë civile është një program i Komisionit Europian, i cili mbështet zhvillimin e shoqërisë civile për të qenë pjesë aktive në debate publike për demokraci, të drejta të njeriut, përfshirje sociale dhe sundim të ligjit, dhe ndërton kapacitetin e tyre për të ndikuar në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse. 

12. Cilat projekte përkrahen nga Programi për përkhraje të shoqërisë civile (Civil Society Facility)?

Përkrahja financiare për sektorin e shoqërisë civile gjatë vitit të kaluar është 1.1 milion euro dhe zbatohet për 2 vjetë e ardhshëm përmes 5 projekteve, të cilat kanë filluar në dhjetor 2012. Projektet zbatohen nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Iniciativa për Zhvillim të Bujqësisë në Kosovë (IADK), Qendra Europiane për Çështje Minoritare (ECMI), Saferworld dhe World Vision. Këto projekte do të mbështesin përpjekjet e shoqërisë civile në krijimin e kushteve të nevojshme për një dialog konstruktiv, sistematik dhe efikas, dhe një partneritet në mes të shoqërisë civile dhe institucioneve qeveritare në të gjitha nivelet e qeverisjes, si dhe përpjekjet në fuqizimin e të rinjve për ndikim në politikëbërje dhe vendimmarrje që ndërlidhen me zhvillimin socio-ekonomik dhe përfshirjen e tyre në procesin e integrimit në BE. 

13. Kur do të ketë thirrje për propozime të reja nga programi për përkrahje të shoqërisë civile (CSF)?

Thirrja për projektpropozime të viteve 2012 dhe 2013 është e hapur për të gjitha OSHC-të deri më 15 prill, 2013. Pakoja vjetore financiare është 2,2 milionë euro. Dosja e tenderit mund të shkarkohet nga linku http://eeas.europa.eu/delegations/kosovo/funding_opportunities/grants/index_en.htm.

Regjistrohu në KCSF

Informohu mbi zhvillimet e fundit duke u regjistruar në databazën e KCSF-së Regjistrohu

Informatori Elektronik i KCSF-së

më shumë

Pyetjet më të shpeshta?

A mund të organizojë OSHC-ja aktivitet me qëllim të ngritjes së fondeve?më shumë