Dita Ndërkombëtare e Gruas: Mbi 30 mijë gra dhe vajza përfshihen në projektet e përkrahura nga Eja Kosovë

Mbi 𝟕𝐦𝐢𝐣𝐞̈ 𝐞 𝟓𝟎𝟎 gra dhe vajza të moshave dhe profileve të ndryshme, janë përfshirë drejtpërdrejtë në aktivitetet e shumta që kanë zhvilluar 𝟏𝟐 𝐨𝐫𝐠𝐚𝐧𝐢𝐳𝐚𝐭𝐚 të shoqërisë civile në tërë Kosovën, të mbështetura përmes fazës së parë të Programit të KCSF-së “EJA Kosovë”.

Pjesëmarrja në politikbërje, edukimi në fushën e të drejtave të njeriut, fuqizimi ekonomik, mirëqenia fizike përmes sportit, mirëqenia shëndetësore dhe siguria, janë fushat në të cilat është intervenuar përmes 𝟏𝟑 𝐩𝐫𝐨𝐣𝐞𝐤𝐭𝐞𝐯𝐞 që janë zbatuar përgjatë tri viteve të fundit, dhe të cilat kanë qenë të destinuara ekskluzivisht për gratë.

Sot teksa shënojmë 🎉𝟖 𝐌𝐚𝐫𝐬𝐢𝐧, 𝐃𝐢𝐭𝐞̈𝐧 𝐍𝐝𝐞̈𝐫𝐤𝐨𝐦𝐛𝐞̈𝐭𝐚𝐫𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐆𝐫𝐮𝐚𝐬, duam të rikujtojmë kontributin e këtyre organizatave drejt fuqizimit dhe prosperimit të të drejtave të grave dhe vajzave në të gjitha aspektet e jetës.

𝟏. Festivali “Shliroj (. )( .)”, organizuar nga Creative Information, Care and Artivism for Tomorrow , është përkrahur në dy edicione me qëllim të shpërndarjes së mesazhit për rrezikun nga kanceri i gjirit, rëndësinë e zbulimit të hershëm dhe vetë-testimit si dhe me qëllim të mbledhjes së fondeve për gratë e prekura nga kanceri i gjirit. Mbi 5 mijë gra janë përfshirë në aktivitete të ndryshme gjatë zbatimit të dy projekteve.

𝟐.Shoqata Multietnike e Grupeve të Grave të Rajonit të Mitrovicës (SHMGGRM), përmes projektit “Fuqizimi i grave dhe vajzave të viseve rurale, të drejtat e tyre dhe përfshirja në këshillat e lagjeve dhe të fshatrave”, përmes një sërë aktivitetesh ka inkurajuar gratë dhe vajzat për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për të kandiduar për këshilla lokalë. Në këto aktivitete janë përfshirë mbi 250 gra.

𝟑.Organizata Artpolis, përmes projektit “Bashkë-ndërtimi i lëvizjes feministe duke sfiduar mentalitetin patriarkal në shoqëri përmes artit dhe kulturës”, ka arritur të themeloj Fondin për Art Feminist, i cili ka mbështetur financiarisht 23 projekte artistike, ka zhvilluar 30 trajnime mbi “Edukimin e Grave të Reja mbi Feminizmin”, ka organizuar 3 marshe vjetore #BollMa si dhe aktivitete të tjera. Në këto aktivitete janë përfshirë mbi 750 gra dhe vajza.

𝟒. Organizata Romano Anglunipe, përmes projektit të përkrahur është angazhuar në edukimin e grave dhe vajzave të komunitetit rom për të drejtat e njeriut. Mbi 200 vajza rome kanë marrë pjesë në ligjërata për të drejtat e njeriut. Gjithashtu kjo organizatë ka zhvilluar edhe aktivitete të tjera me fokus të veçantë në të drejtat pronësore. Mbi 320 gra dhe vajza janë përfshirë në të gjitha aktivitetet e projektit.

𝟓. Organizata AMC, e cila avokon fuqishëm për një kujdes më të mirë shëndetësor për gratë, nënat dhe fëmijët përmes Grantit për zhvillim organizativ ka ngritur kapacitetet e brendshme duke krijuar Planin Strategjik të organizatëa, ka zhvilliuar politika për parandalim të abuzimit dhe shfrytëzimit seksualë si dhe ka siguruar softuerë dhe pajisje të nevojshme për funksionim.

𝟔. Organizata DemSport, përmes projektit “Gardianët e Barazisë”, ka bërë ndërgjegjësimin e institucioneve dhe qytetarëve për rëndësinë që ka aktiviteti fizik në mirëqenien e secilit e secilës, e në veçanti është marrë me problematizimin e hapësirës së vogël që vajzat dhe gratë e kanë, për të praktikuar aktivitet fizik. Gjithashtu ka avokuar me qëllim të hapjes së debatit publik rreth konceptit të aktivitetit fizik në shoqërinë tonë. Mbi 360 gra dhe vajza janë përfshirë në aktivitete të kësaj organizate.

𝟕. Organizata Inject, ka punuar në avancimin e qasjes në drejtësi për gratë që jetojnë në Kosovë, duke trajtuar sfidat dhe pengesat e shumanshme që gratë hasin kur përballen me shërbimet gjyqësore. Krahas aktiviteteve që lidhen me hulumtim dhe monitorim në gjykata, kjo organizatë ka ofruar këshillim falas për 55 gra. Ndërkaq në aktivitetet e ndryshme në kuadër të projektit janë përfshirë afro 160 gra dhe vajza.

𝟖. Organizata QKSS, përmes projektit “Gratë, Paqja dhe Siguria”, ka kontribuuar në adresimin e sfidave me të cilat përballen gratë dhe krijimin e një ambienti sa më të sigurt e të drejtë kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave në Kosovë, si dhe në të njëjtën kohë ka avokuar për përfshirje më aktive të grave në jetën publike e shoqërore, me theks të veçantë në Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Këtë e kanë realizuar përmes takimeve, diskutimeve, fokus grupeve dhe aktiviteteve të ndryshme në të cilat janë përfshirë mbi 100 gra dhe vajza.

𝟗. Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës (KGVK), përmes Grantit për zhvillim organizativ ka zhvilluar kapacitetet e brendshme të organizatës përmes ndërtimit të politikave të ndryshme me qëllim që të avancohet angazhimi i organizatës për të fuqizuar gratë dhe vajzat e verbëra dhe me të pamë të dobësuar.

𝟏𝟎. Organizata QIKA që angazhohet të praktikojë dhe zhvillojë një feminizëm gjithëpërfshirës, në mënyrë që të gjitha gratë të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të jetojnë pa shtypje dhe diskriminim, po ashtu përmes Grantit për zhvillim organizativ ka zhvilluar kapacitetet e brendshme të organizatës në disa drejtime.

𝟏𝟏. Organizata EcoKos Women, përmes projektit “Qasja e grave nё pronё si e drejtё dhe fuqizimi ekonomik i tyre”, ka punuar drejt përmirësimit të politikave për të siguruar më shumë prona të regjistruara në emër të grave si dhe ka arritur që të informoj më mirë gratë dhe vajzat për të drejtën e tyre në pronë. Në aktivitetet në kuadër të këtij projekti janë përfshirë rreth 150 gra.

𝟏𝟐. Instituti për Zhvillim dhe Integrim (IZHI) përmes projektit “Fuqizimi socio-ekonomik i grave në tregun e punës dhe të drejtat e tyre në biznes”, ka arritur të përgatis 17 gra për tregun e punës përmes trajnimeve direkte në fushën e administrimit të biznesit. Po ashtu ka krijuar grup joformal avokues i grave në fushën e biznesit si dhe janë zhilluar shumë aktivitete për gratë me qëllim të nxitjes së përfshirjes së tyre në tregun e punës.

Krahas këtyre projekteve të dedikuara enkas për gratë, përmes Programit EJA Kosovë kanë arritur të përfshihen mbi 30 mijë gra në afro 100 projekte të mbështetura deri më tani nga ky program.

Tashmë është evidente se në mbarë botën barazia gjinore mbetet ende një ndër sfidat më të mëdha kur flasim për të drejtat e njeriut, prandaj edhe angazhimi i mbarë shoqërisë për të luftuar diskriminimin në baza gjinore është i një rëndësie të veçantë. KCSF mbetet e vendosur që të përkrahë shoqërinë civile në këtë përpjekje.