LAJMI I FUNDIT: KCSF shpall Programin Ekzekutiv në Bashkëpunim me Kolegjin e... më shumë
Shoqëria civile

Historiku i shoqërisë civile

Gjurmët e veprimeve të shoqërisë civile në hapësirën kosovare ekzistojnë qysh para shumë dekadash. Në kuptim modern të shoqërisë civile, iniciativat dhe organizatat e para të shoqërisë civile në Kosovë datojnë nga fundi i viteve ‘80 dhe fillimi i viteve ‘90, pas rënies së komunizmit në Europën Qendrore dhe atë Lindore dhe fillimit të një forme të re të shtypjes politike dhe jetës paralele në Kosovë. Për shkak të situatës specifike të Kosovës në atë kohë, shoqëria civile është zhvilluar si pjesë e rëndësishme e një sistemi tërësisht paralel dhe rezistencës civile ndaj regjimit serb, që ishte ndërtuar nga nevojat bazë dhe kishte trajtuar çështjet e mbijetesës së popullsisë.

 

Ndihma humanitare dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, të plotësuara me lëvizje të ndryshme civile, kanë qenë fushat më të rëndësishme të  aktiviteteve të shoqërisë civile. Organizatatat kryesore dhe mirë të ndërtuara në atë kohë ishin: organizata humanitare bamirëse ” Nëna Terezë” – e cila numëronte në radhët e veta më tepër se 7.200 vullnetarë, ku me një sistem të ndërtuar në të gjithë Kosovën arriti që të bënte grumbullimin e ndihmave brenda dhe jashtë vendit, dhe t’i shpërndante ato në gjithë Kosovën; Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut – ka monitoruar, identifikuar dhe ngritur vetëdijen për shkeljet e të drejtave të njeriut, duke kontribuuar drejtpërdrejt në informimin e komunitetit ndërkombëtar për shtypjen sistematike të popullsisë shqiptare nga regjimi serb. I përbërë nga avokatët më të dalluar në Kosovë, Këshilli ka bashkëpunuar me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi (GJNKJ) për mbledhjen e dëshmive mbi krimet e luftës në Kosovë.


Përfundimi i luftës dhe intervenimi i NATO-s, si dhe krijimi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes (IPVQ) në vitin 1999, kanë qenë pika kthese për zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë civile në Kosovë. Nevojat shumë të mëdha për ndihmë emergjente dhe rindërtim, si dhe për pajtim ndëretnik, bënë që shoqëria civile të transformojë aktivitetin e saj dhe t’i adaptohet realitetit të ri. Përkrahja e madhe financiare dhe teknike nga donatorët ndërkombëtarë, e ardhur si nevojë e kanalizimit të fondeve ndërkombëtare për Kosovën e pasluftës, rezultoi me rritjen masive të numrit të OShC-ve, që jo domosdo është përcjellë me cilësinë e rritur të punës së tyre. Fondet  “lehtë të arritshme”, të kombinuara me varësinë nga donacionet e huaja, krijuan shumë OJQ të nxitura nga donatorët, si dhe OJQ “pasive”, që aktivizohen vetëm kur ka fonde në dispozicion. Nga më tepër se 7.000 OJQ të regjistruara deri në vitin 2013,  më pak se 10% vlerësohet të jenë ende aktive ose pjesërisht aktive.

 

Aktualisht shoqëria civile në Kosovë është duke përjetuar një numër të zhvillimeve, por që ende përballet me sfida të mëdha. Edhe pse disa OShC janë duke ngritur kapacitetet e tyre njerëzore dhe financiare, pjesa më e madhe e sektorit mbetet e varur nga financimi ndërkombëtar. Përveç kësaj, rritja e vazhdueshme e proporcionit të Bashkimit Europian në fondet e shoqërisë civile, procedurat burokratike të aplikimit dhe shumat mjaft të mëdha minimale të granteve të BE-së përjashtojnë shumë organizata nga përfitimi i këtyre fondeve, pasi që shumica e organizatave janë shumë të vogla për t’i zbatuar ose absorbuar shumat e tilla, duke rritur kështu ndarjen në mes të OShC-ve “të mëdha” dhe të “vogla”. Në përpjekje për të mbijetuar në këtë situatë, prioritetet e shoqërisë civile në shumicën e rasteve kanë pasqyruar prioritetet e donatorëve, duke i bërë të shumtë ata që vlerësojnë që shumë iniciativa të shoqërisë civile nuk janë nxitur nga interesi i komunitetit.

Informatori Elektronik i KCSF-së

më shumë

Pyetjet më të shpeshta?

Kush është organi përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ?më shumë