Shkolla për Integrim Europian (www.shkollaeuropiane.org) është një projekt i nisur në vitin 2005 nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS (www.kfos.org) dhe i zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF (www.kcsfoundation.org).
Deri më tani Shkolla për Integrim Europian ka ofruar një program të veçantë të ngritjes së njohurive mbi historikun, institucionet, kornizën ligjore, politikat dhe proceset e politikave në BE, Europën si një faktor global, si dhe të ardhmen e rajonit brenda procesit të integrimit europian, me fokus të veçantë në marrëdhëniet Kosovë – BE. Qëllimi i përgjithshëm i Shkollës është përgatitja e kuadrove rreth sfidave drejt integrimit europian. Ky qëllim është arritur në masë të madhe duke ngritur nivelin e njohurisë dhe vetëdijes tek pjesëmarrësit në çështjet dhe politikat europiane, rrjedhimisht duke i bërë të gatshëm që njohuritë e fituara t’i transferojnë dhe përdorin në punën e tyre. Prej fillimit të saj Shkollën e kanë vijuar mbi 1000 pjesëmarrës nga sektorë të ndryshëm, si: administrata publike, shoqëria civile, mediet, bizneset, organizatat e ndryshme profesionale dhe zyret ndërkombëtare në Kosovë.
Zhvillimet në Bashkimin Europian, hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës, roli dhe ndikimi i politikave kyçe të BE-së në vendin tonë, si dhe intensifikimi i marrëdhënieve Kosovë – BE, janë elemente që kanë ndikuar në ridizajnimin e këtij moduli.
Shkolla do të ofrojë 1 modul bazik me 4 punëtori për një grup prej 20 të përzgjedhurve në temat:
- Institucionet dhe vendimmarrja në Bashkimin Europian, 12 – 13 prill 2016;
- Korniza ligjore e Bashkimit Europian: acquis communautaire, 19 – 20 prill 2016;
- Politikat kyçe të Bashkimit Europian, 26 – 27 prill 2016;
- Kosova dhe Bashkimi Europian, 4 maj 2016.
Pas përfundimit të 4 punëtorive, pjesëmarrësit e Shkollës do t’i nënshtrohen testit vlerësues.
Të gjitha punëtoritë do të mbahen në Prishtinë. Pjesëmarrësit do të njoftohen paraprakisht për ndryshime eventuale në datat e mbajtjes së punëtorive. Të drejtë aplikimi kanë të gjithë qytetarët e moshës madhore që veprojnë në Kosovë dhe që janë në marrëdhënie pune. Përparësi në përzgjedhje do të kenë kandidatët të cilët dëshmojnë se pjesëmarrja do t’i ndihmojë me njohuri institucionit apo organizatës në të cilën ai/ajo punon.
Aplikacioni plotësohet online dhe duhet të përmbajë të gjitha dokumentet e mëposhtme:
1) Formulari për aplikim i plotësuar online (webfaqja www.shkollaeuropiane.org)
2) Rezyme profesionale – CV
3) Letër motivimi për pjesëmarrje
4) Letër rekomandimi e dedikuar për këtë shkollë (nënshkruar dhe e vulosur nga punëdhënësi)
Afati i fundit për aplikim është 3 prill 2016, ora 12:00.
Vetëm kandidatët e përzgjedhur do të kontaktohen përmes email-it. Informata më të hollësishme mund të gjeni në webfaqen e Shkollës www.shkollaeuropiane.org ose çdo ditë pune prej orës 10:00 – 12:00 në tel. 038 248 – 636 ose përmes email adresës info@shkollaeuropiane.org.