Trina Binaku, koordinatore e granteve në KCSF, mori pjesë në sesionin interaktiv online “Hapësira qytetare nën presion: Nga rreziku te mbrojtja”, organizuar nga SCiDEV, i cili trajtoi sfidat dhe rreziqet me të cilat përballen aktivistët, gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile në ushtrimin e angazhimit të tyre qytetar, me fokus të veçantë në kontekstin e Shqipërisë.
Takimi ofroi një hapësirë praktike diskutimi mbi sigurinë fizike dhe digjitale, duke trajtuar çështje si sulmet online, cenimi i llogarive digjitale dhe frikësimi gjatë aktiviteteve publike. Gjithashtu, u diskutua për mënyrat e mbrojtjes nga këto rreziqe dhe mundësitë për të kërkuar mbështetje në situata emergjente.
Gjatë sesionit, Trina prezantoi Fondin për Përkrahje Emergjente të Shoqërisë Civile (Civic Emergency Fund), një mekanizëm i reagimit të shpejtë që ofron mbështetje fleksibile për organizatat e shoqërisë civile, aktivistët, mediat e pavarura dhe nismat jo – formale që përballen me kërcënime për shkak të punës së tyre.
Fondi, i zbatuar nga KCSF dhe Trag Foundation në shtatë vende të Ballkanit Perëndimor, synon t’u mundësojë shoqërisë civile të përballojnë situatat emergjente dhe të vazhdojnë angazhimin e tyre në mënyrë të sigurt edhe në kohë krize.
Për më shumë mbi fondin, vizitoni www.civicemergencyfund.com.