OpEd: Kujt i takon publikja: Kush duhet të vendosë për shfrytëzimin dhe destinimin e pronës publike?

nga Dren Puka | 06.08.2026 | K2.0

Vendimi i Komunës së Prishtinës për t’ia ndërprerë BIRN Kosovës kontratën për përdorimin e hapësirave në “Grand Hotel”, ku funksionon muzeu “Reporting House” dhe financimin e projektit, e rikthen në vëmendje pyetjen e pazgjidhur se çfarë ndodh me pronën publike kur diskrecioni i pushtetit zë vendin e rregullave dhe të mirës publike.

Kjo çështje u trajtua gjatë punës së grupit punues për ndryshimin e Ligjit për dhënien në shfrytëzim të pronës publike komunale në vitin 2024, dhe atëkohë debati më i madh në grupin punues nuk u zhvillua rreth pronës publike, por rreth kontrollit mbi të. Shoqëria civile kërkonte që prona publike të jepej në shfrytëzim përmes procedurave të hapura, kritereve të qarta dhe gjithëpërfshirëse. 

Në anën tjetër, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) këmbëngulte që kryetarëve të komunave t’u mbetej sa më shumë diskrecion, ndërsa Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) nuk ishte aq e bindur se publikja i takon edhe shoqërisë civile. 

Në shikim të parë dukej si një mosmarrëveshje teknike, që sillej rreth efikasitetit dhe menaxhimit sa më të mirë. Në të vërtetë, ishte një përplasje konceptuale: kujt i takon publikja dhe kush duhet të vendosë për shfrytëzimin dhe destinimin e pronës publike?

Resurset publike pushojnë së qeni vërtet publike atëherë kur pushteti fillon t’i përdorë ato për t’i shpërblyer të dëgjueshmit dhe për t’i disiplinuar të tjerët. Një hapësirë për zyre, një grant, një leje për përdorim të sheshit mund të duken si çështje krejt periferike dhe administrative, por kur qasja në to varet nga fakti nëse një organizatë e kënaq, e kritikon apo e zemëron pushtetin, ato shndërrohen në mjet kontrolli. Mesazhi është se resurset publike janë në dispozicion për aq kohë sa marrëdhënia me pushtetin mbetet e përshtatshme. Në mungesë të proceseve dhe llogaridhënies, kjo “përshtatshmëri” reduktohet në një vlerësim të çastit e subjektiv të pushtetit.

Prona publike nuk i takon as kryetarit të komunës e as partisë që e qeveris atë. Ajo u përket qytetarëve, përfshirë atyre që e kundërshtojnë pushtetin dhe kërkojnë llogari prej tij. Institucionet publike vetëm e menaxhojnë atë përkohësisht, në përputhje me mandatin që u është dhënë. Megjithatë, ky mandat nuk u jep të drejtën të vendosin se kush duhet të shpërblehet e kush të ndëshkohet.

Përdorimi i pushtetit si mjet disiplinimi

Gjithçka nisi me polemikat lidhur me profilin anonim “Lule Gjeli”, i cili prej vitesh shpërndante dezinformata dhe gjuhë të urrejtjes në Facebook, përfshirë edhe ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Së voni, mediet raportuan se ky identitet ishte përdorur edhe si autorësi në një artikull të publikuar në mediumin KALLXO.com, në vitin 2020. Këto zhvillime, brenda pak orësh, u shndërruan në një nga temat kryesore të debatit publik. 

Kjo bëri që Rama të kërkojë publikisht shpjegime nga BIRN Kosova dhe KALLXO.com lidhur me këtë çështje. Madje, ai paralajmëroi se, nëse përgjigjet nuk do t’i konsideronte të kënaqshme, do ta rishqyrtonte çdo formë të bashkëpunimit institucional me organizatën. Pyetjet u publikuan në llogarinë personale të Ramës në Facebook, në formën e një ultimatumi publik, në vend se kjo gjë të komunikohej drejtpërdrejt me organizatën, ashtu siç do duhej të komunikonin dy palë që kanë të nënshkruar një kontratë.

Pak ditë më vonë, BIRN Kosova ofroi sqarimet e veta, megjithatë, marrëveshja për shfrytëzimin e hapësirës u ndërpre. Duket se, për pushtetin komunal, kriteri i “kënaqshmërisë” nuk ishte plotësuar.

Shumëkush do të ndalet te pyetja nëse KALLXO.com ka vepruar drejt duke publikuar një opinion me pseudonim. Të tjerë do ta mbrojnë atë vendim. Disa do t’i konsiderojnë si të arsyeshme pyetjet e Ramës, e të tjerët jo. Të gjitha këto, janë dilema legjitime. Por pyetja më thelbësore në këtë debat është: a mund të varet qasja në pronën dhe resurset publike nga marrëdhënia që një organizatë ka me pushtetin në një moment të caktuar?

Megjithëse hapësira për kritika lidhur me një raportim të një mediumi i takon secilit, kur vjen puna tek kritikat që vijnë nga personat me pushtet, ka rëndësi se si ushtrohet kjo kritikë.

Kryetari i komunës apo ndonjë zyrtar tjetër i lartë nuk mund të ndërmarrë masa ndaj një mediumi apo organizate të shoqërisë civile vetëm për shkak të punës që ajo bën. As mediet as organizatat e shoqërisë civile, që në këtë rast janë një, nuk e kanë për obligim ta dëshmojnë pafajësinë e tyre sa herë që pushteti dyshon lidhur me punën e tyre. Kur ekziston dyshimi për shkelje ligjore, atë e vlerësojnë institucionet kompetente dhe gjykatat, jo individët – e aq më pak kryetari i komunës përmes një postimi në Facebook.

Pikërisht këtu fillon përdorimi i pushtetit si mjet disiplinimi dhe prona publike fillon ta humbasë karakterin e saj publik. Kjo bëhet edhe më shqetësuese nga paralajmërimi i kryetarit se do t’i rishikojë të gjitha kontratat që Komuna e Prishtinës ka me organizatat e shoqërisë civile. Dhe, kjo nuk është hera e parë që ai bën një paralajmërim të tillë. 

Kosova ka histori të rasteve kur prona komunale u është dhënë bizneseve në kundërshtim me ligjin, pa transparencë, e me pasoja që kanë përfunduar në hetime, aktakuza dhe dënime të zyrtarëve të lartë publikë, përfshirë kryetar komune. Megjithatë, rrallë dëgjojmë kryetarë komunash të paralajmërojnë publikisht se do t’i rishikojnë të gjitha kontratat me bizneset. Rrallë i dëgjojmë të pyesin nëse prona po përdoret ende për qëllimin për të cilin është destinuar dhe nëse biznesi po e përmbush kontratën. Megjithatë, ky zell shfaqet shumë më shpejt kur pala tjetër është një organizatë e shoqërisë civile. 

Një institucion duhet t’i mbikëqyrë kontratat e veta, ai ka të drejtë edhe t’i rishikojë ato, të sigurohet se ato zbatohen sipas marrëveshjes dhe për të mirën publike, njejtë sikurse e ka për detyrë që t’i përmbushë obligimet e veta karshi entiteve që i kanë ato në shfrytëzim. Por kjo lloj mbikëqyrje duhet të jetë e rregullt, e planifikuar dhe e mbështetur në kritere që vlejnë njësoj për të gjithë. Megjithatë, kur ajo ndodh në kulmin e një përplasjeje publike me një organizatë dhe menjëherë pas ndërprerjes së bashkëpunimit me të, ajo përceptohet si kërcënim publik. Mesazhi nuk i drejtohet vetëm BIRN. Si i tillë, u drejtohet të gjitha organizatave që përdorin një hapësirë komunale, marrin mbështetje publike apo bashkëpunojnë me komunën.

Kjo qasje nuk ka të bëjë me qeverisje të përgjegjshme e as me ruajtje të resurseve publike. Prona publike nuk është e kryetarit dhe me përfundimin e mandatit të tij, ajo mbetet po aty ku ishte. Kjo është diçka aq e vetëkuptueshme, sa nuk do të duhej as të thuhej. 

Dikush mund të argumentojë se bëhet fjalë vetëm për një zyrë dhe financim të projektit; se BIRN mund të gjejë ndonjë hapësirë a donator tjetër; se askujt nuk i është mohuar ndonjë e drejtë themelore. Ndoshta.

Por çështja nuk është te shfrytëzimi i një zyre.

Liria për të vepruar rrallë humbet përmes një vendimi a momenti të caktuar.Paramendojeni veten si një udhëheqës/e e një organizate të shoqërisë civile, qoftë ajo qendër kulturore, teatër apo organizatë tjetër që shfrytëzon një hapësirë komunale. Nesër publikoni një hulumtim kritik, organizoni një debat që nuk i pëlqen pushtetit ose kundërshtoni një vendim të komunës.

A do të hezitonit, qoftë edhe për një çast? A do të mendonit se marrëdhënia juaj me komunën tanimë ka një një peshë që dje nuk e kishte, dhe se veprimet tuaja duhet të jenë më të kujdesshme? 

Liria për të vepruar rrallë humbet përmes një vendimi a momenti të caktuar. Ajo zakonisht fillon të tkurret me veprime të vogla, deri sa ta merr formën përfundimtare. Një paragraf rishkruhet. Një reagim publik nuk përkrahet. Një aktivitet nuk organizohet. Një aktiviteti tjetër i ndryshohet emri sepse pushtetit nuk i konvenon dhe zyrtarët e pushtetit janë në qendër të çdo ngjarjeje. Dhe, gradualisht krijohet një qasje që bëhet pothuajse e rregullt, e cila thotë me zë të ulët: “Ndoshta nuk është momenti”.

Nga jashtë mund të duket sikur nuk ka ndodhur asgjë, megjithatë hapësira e lirisë së veprimit tashmë ka filluar të tkurret. Pikërisht për këtë arsye ky rast nuk duhet të trajtohet si rast i izoluar, ai tingëllon i njohur dhe kërkon vëmendje e reagim.

Në fillim të këtij viti, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) u gjend në qendër të sulmeve publike pas organizimit të një serie ligjeratash rreth sistemit të drejtësisë në Kosovë, ku përfshiheshin edhe Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinës. Rrethanat ishin të ndryshme, por qasja e komunës jo. Edhe atëherë, vëmendja u largua shumë shpejt nga përmbajtja dhe përgjegjësia institucionale, dhe në qendër u vendos organizata, ku ndër të tjera, u kërcënua edhe me masa ndëshkuese nga Komuna.

Pak muaj më vonë, Rama pezulloi lejen për ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, të organizatave Admovere dhe Integra, e cila ishte e vendosur në sheshin “Nëna Terezë”. Ekspozita u bë objekt kritikash për shkak të pasaktësive që përmbante në paraqitjen e disa prej masakrave të kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit. Në vend që kjo situatë të trajtohej përmes një procedure të qartë, dhe mbi të gjitha, me një ndjeshmëri e përgjegjësi shtesë për faktin që bëhej fjalë për një pjesëve më të dhimbshme të historisë sonë, Rama njoftoi pezullimin e menjëhershëm të saj përmes një reagimi në Facebook. Me shpejtësi, ekspozita u largua nga hapësirat e sheshit të kryeqytetit. Në atë moment, komuna mori rolin e prokurorit, gjykatësit e policisë. Përsëri, rrethanat ishin të ndryshme, por qasja e njejtë.

Një debat i ndërlikuar për historinë, faktet dhe përgjegjësinë publike përsëri u zhvendos nga procesi institucional te ndërhyrja e drejtpërdrejtë e pushtetit lokal në përdorimin e hapësirës publike. Rama vendosi se çfarë mund të ekspozohej në shesh dhe çfarë duhej të largohej. 

“Kur krijohet një polemikë, reagimi i parë nuk është gjithmonë ndërtimi i një procedure dhe marrja e përgjegjësisë publike. Është ndërhyrja”.

Organizata vendoset në shënjestër, i pezullohet leja, i rishikohet kontrata, dhe përfundimisht, i merret hapësira.

Një rast mund të shihet si incident i izoluar. Por, tri raste kërkojnë që domosdoshmërisht ta shtrojmë pyetjen nëse kjo është një model qeverisjeje.

Nuk kemi nevojë për më shumë diskrecion

Nuk është e nevojshme që pas çdo vendimi të fshihet një qëllim i keq. Mjafton që shumëçka të varet nga bindja personale e atij që është në pushtet. Pikërisht për këtë arsye ekzistojnë rregullat, që interesi publik të mos ndryshojë sipas vullnetit të individit.

Nuk është rastësi që edhe Ligji për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare e ndërton marrëdhënien ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave mbi disa parime të thjeshta.

Institucionet publike duhet të krijojnë kushte që organizatat e shoqërisë civile të veprojnë lirishëm, t’i trajtojnë ato në mënyrë të barabartë e pa diskriminim dhe të mos ndërhyjnë në ushtrimin e veprimtarisë së tyre. Këto garanci ligjore janë vetëm një nga mënyrat se si shteti i së drejtës përpiqet ta mbrojë shoqërinë civile nga arbitrariteti i pushtetit.

Ka edhe një të vërtetë tjetër që duhet thënë.

Problemi nuk filloi kur marrëveshja me BIRN u ndërpre. Ai filloi shumë më herët, kjo hapësirë publike u dha përmes një marrëveshjeje e cila u kuptua vetëm pasi që kishte ndodhur.

Nëse prona publike ndahet sipas diskrecionit të pushtetit, edhe humbja e saj rrezikon të varet po aq nga diskrecioni i tij. Këtë e kemi parë të konfirmohet ndër vite. Nuk zgjidhim asgjë duke mbrojtur një vendim arbitrar kundrejt një tjetri. E as duke heshtur në emër të mëkatit fillestar.

“Rregullat dhe mekanizmat e llogaridhënies ekzistojnë pikërisht për raste si ky”.

Për vite me radhë, kemi kërkuar që Qeveria e Kosovës të vendosë rregulla të qarta, transparente dhe gjithëpërfshirëse për dhënien në shfrytëzim të pronës publike. Kjo kërkesë  shpesh nuk e merr vëmendjen e duhur nga asnjëra palë, pa përjashtim. 

MAPL pati mundësinë e artë për ta adresuar këtë problematikë qysh në vitin 2024,gjatë procesit të ndryshimit të ligjit, por nuk e shfrytëzoi atë. Pas kundërshtimeve të organizatave të shoqërisë civile, dhe përmes ndërhyrjes së Kryetarit të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në mënyrë të suksesshme u ndalua një version i ligjit që nuk ofronte zgjidhje të mjaftueshme dhe, në fakt, rrezikonte t’i thellonte edhe më tej problemet që po trajtojmë këtu. Por, problemi nuk u zgjidh. 

Në përpjekje për të gjetur zgjidhje, në shtator të vitit 2024, një grup organizatash të shoqërisë civile i propozoi Ramës një proces të detajuar për riaktivizimin e hapësirës së ish-Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë. Propozimi parashihte konsultimin dhe përfshirjen e komunitetit, përcaktimin e qartë të destinimit të hapësirës, një proces të hapur dhe të bazuar në kritere, mundësi të barabarta, përzgjedhje publike, mbikëqyrje, si dhe llogaridhënie. Kryetari u pajtua në parim me këtë qasje, por procesi ende nuk ka filluar.

Nuk kemi nevojë për më shumë diskrecion.

Rregullat dhe mekanizmat e llogaridhënies ekzistojnë pikërisht për raste si ky, që prona publike dhe burimet publike të ndahen sepse i shërbejnë interesit publik, jo sepse një organizatë ka marrëdhënie të mira me pushtetin. 

Rastet e BIRN dhe KALLXO.com, YIHR dhe Admovere e Integra tregojnë mungesën e një qasjeje të qëndrueshme në menaxhimin e resurseve publike, ku vendimet merren nën trysninë e debateve ditore, përmes reagime të shpejta dhe ndërhyrje të drejtpërdrejta nga pushteti.

Hapësira publike nuk mund të funksionojë vetëm për aq kohë sa përmbajtja e saj është e pranueshme për pushtetin, sepse ajo keqpërdoret edhe kur përdoret për të vendosur se kush mund të flasë, çka mund të ekspozojë dhe cili zë kritik ende meriton një vend në qytet.

Qytetet tona kanë nevojë për më shumë hapësira ku njerëzit takohen, organizohen, krijojnë, ngrisin zërin kundër pushtetit dhe marrin pjesë në jetën publike. Prona që mbahet e mbyllur, ndahet në heshtje dhe pa transparencë ose kontrollohet sipas afërsisë me pushtetin, nuk është në shërbim të publikut.

Publikja merr me të vërtetë kuptim atëherë kur komunitetet e ndryshme dhe qytetarët mund ta përdorin ose përfitojnë nga ajo, dhe kur përdorimi i saj vendoset përmes rregullave të drejta e transparente që në qendër kanë nevojat e qytetarëve. 

Kjo kërkon angazhim të vazhdueshëm nga secili prej nesh, dhe jo vetëm kur një zyrë merret apo një leje anulohet, por sa herë që vendoset se kujt i takon qyteti dhe si do të përdoren hapësirat e tij publike.


Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0