Suzana Arni ka qenë pjesë e ekipit të KCSF-së për gati 23 vite, nga themelimi në 1998 e deri në pensionimin e saj në vitin 2021, ndërsa ka shërbyer si Drejtore Ekzekutive e KCSF-së në periudhën mars 2004 – shkurt 2006.
E diplomuar si inxhiniere e teknologjisë, Suzana që nga vitet e 70-ta kishte qenë e angazhuar në laboratorin e hulumtimit të materialeve ndërtimore, deri në largimin masiv nga puna të punëtorëve shqiptarë të Kosovës në vitin 1991, kur angazhohet në sektorin e shoqërisë civile.
Në vitin 1998 do të pranonte një donacion prej tre kompjuterësh, moment i cili do të shënonte themelimin e CeDeCis (Qendrës për Zhvillimin e Shoqërisë Civile), që më vonë do të shndërrohej në KCSF. Suzi, siç njihet nga kolegët e bashkëpunëtorët e shumtë, do të angazhohej në KCSF në departamente e role të ndryshme, nga Koordinatore e projekteve te Drejtore e programeve, nga pjesë e ekipit bërthamë të njësisë së granteve te Drejtore Ekzekutive.
Përderisa roli i saj në zhvillimin e KCSF-së ishte i gjithanshëm përgjatë 23 viteve të angazhimit të saj, Suzi dha kontribut vendimtar pikërisht në periudhën 2004-2006 kur edhe e udhëhoqi KCSF-në dhe siguroi mbijetesën e organizatës në një nga periudhat më të vështira për shkak të ndryshimit të modelit të financimit nga BE-ja, si donatori kryesor i deriatëhershëm.