1. Në platformë nuk më pranohet data për aplikim, pse ndodh kjo?
Zbatimi i granteve është paraparë të fillojë në mars 2026, aplikimi me datë më herët nuk është i mundur.
2. Në platformë nuk më pranohet shuma e mjeteve për aplikim, pse ndodh kjo?
Tek shuma, formati duhet të jetë me vetëm numra, pa pikë ose presje në mes.
3. Ne kemi shkarkuar paketën e dokumenteve për thirrjen e hapur për Grante Institucionale (EJA Kosovë). Në këtë paketë kemi gjetur formularin e aplikimit narrativ dhe udhëzuesit shoqërues, por nuk kemi arritur të gjejmë formularin e buxhetit.
Formulari i buxhetit mund të shkarkohet në platformë gjatë aplikimit.
4. Organizata jonë është themeluar në janar të këtij viti dhe, si organizatë e re, ende nuk posedojmë pasqyrat financiare vjetore për dy vitet e fundit (2023 dhe 2024), ashtu siç kërkohet në udhëzues për organizatat që përzgjidhen në listën e ngushtë. Prandaj, do të dëshironim të dimë nëse mungesa e këtyre dokumenteve për shkak të kohës së shkurtër të operimit të organizatës do të na penalizojë në procesin e përzgjedhjes, apo nëse kjo nuk përbën arsye diskualifikimi.
Sa i përket pyetjes suaj, duam të ju sqarojmë se mungesa e pasqyrave financiare për organizatat e reja nuk është arsye për penalizim. Siç ceket në udhëzues, tek pjesa e fusnotave – “Pasqyrat financiare vjetore duhet në minimum të tregojnë bilancin dhe pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve. Raportet e auditimit duhet të mbulojnë dy pasqyra financiare të organizatës. Për organizatat e krijuara së fundmi, vetëm nëse është e aplikueshme”.
5. Nëse dy organizata të shoqërisë civile aplikojnë në partneritet (njëra si aplikues kryesor dhe tjetra si partner), por drejtuesit ekzekutivë të tyre kanë lidhje familjare, a konsiderohet kjo si konflikt interesi? Të dyja organizatat janë të regjistruara ligjërisht, kanë statute dhe llogari bankare të ndara, si dhe struktura vendimmarrëse të pavarura.
Dëshirojmë t’ju informojmë se në kuadër të grantit institucional nuk është e mundur të aplikoni në partneritet, pasi natyra e këtij granti parasheh mbështetje vetëm për një organizatë.
Sa i përket çështjes së konfliktit të interesit, dëshirojmë të theksojmë se praktikat ku individë me lidhje familjare aplikojnë së bashku në kuadër të thirrjeve për projekte nuk përputhen me parimet e mira të qeverisjes së brendshme. KCSF angazhohet fuqishëm për promovimin e këtyre parimeve në sektorin e shoqërisë civile dhe i konsideron ato thelbësore për ruajtjen e integritetit dhe transparencës.
6. Sistemi online i aplikimit nuk e lejon aplikimin në kohëzgjatje 36 muaj.
Sa i përket kohëzgjatjes, siç është cekur në udhëzues, organizatat mund të aplikojnë për përkrahje për një periudhë 24 deri në 34 muaj.
7. Në Logical Framework template, a duhet të vendosim vetëm pjesën e strategjisë me të cilën aplikojmë, apo tërë strategjinë e organizatës?
Në kornizën logjike duhet të reflektohet e tërë strategjia e organizatës me të cilën aplikohet, pavarësisht nëse kërkesa për mbështetje nga KCSF e mbulon vetëm një pjesë të saj.
8. Në Udhëzuesin për Aplikim potencohet se “Aktivitetet e llojit të shërbimit, si ato të ngjashme me Asistencën Teknike” dhe “Fushata ndërgjegjësuese pa veprime të duhura pasuese” janë aktivitete jo të kualifikueshme.
Do t’ju ishim mirënjohës nëse mund të na sqaroni më gjerësisht se çfarë nënkuptoni me “aktivitetet e llojit të shërbimit”, duke marrë parasysh që projektet tona fokusohen kryesisht në ofrimin e shërbimeve psikologjike, logopedike e të tjera për personat me aftësi të kufizuara.
Sa i përket “aktiviteteve të llojit të shërbimit, si ato të ngjashme me Asistencën Teknike”, nënkuptohet çdo aktivitet që ka karakter këshillimor, konsulence ose asistence të drejtpërdrejtë për institucione, biznese apo palë të treta, ku organizata luan rolin e ofruesit të një shërbimi teknik apo profesional për palë të jashtme, pa përfshirje domethënëse të qytetarëve apo komunitetit.
9. Po ashtu, do të vlerësonim një sqarim më të detajuar edhe mbi kuptimin e “veprimeve të duhura pasuese” pas fushatave ndërgjegjësuese.
Me “veprime të duhura pasuese” nënkuptojmë veprime që sjellin ndryshime domethënëse dhe të matshme në komunitet, të cilat nuk kufizohen vetëm në informim, por përfshijnë ndërveprim të drejtpërdrejtë me komunitetin dhe adresojnë realisht nevojat dhe sfidat e tij.
10. A duhet që buxheti të paraqitet në detaje për secilën aktivitet, apo mjafton një buxhet i përgjithshëm? Gjithashtu, a është buxheti i detajuar i destinuar më shumë për thirrjen specifike për propozime, apo për strategjinë e përgjithshme institucionale të organizatës aplikuese?
Buxheti duhet të plotësohet për secilin aktivitet të paraparë në propozim, duke u përshtatur me natyrën e instrumentit. Meqenëse ky është një grant institucional, buxheti duhet të jetë në përputhje dhe të mbështesë objektivat strategjike të përgjithshme të organizatës. Është e rëndësishme që aktivitetet e propozuara dhe buxheti përkatës të kontribuojnë në mënyrë domethënëse në qëllimet më të gjera institucionale, dhe jo të kufizohen vetëm në kuadrin e një thirrjeje të vetme për propozime.
11. Udhëzimet përmendin se aplikuesit nuk duhet të kenë një kontratë aktive në kuadër të programit EJA Kosovë në kohën kur pritet të fillojë zbatimi i grantit institucional. A zbatohet kjo vetëm për thirrjen për Grantet Institucionale, apo për çdo kontratë që lidhet me KCSF? A mund të sqaroni çfarë nënkuptohet me “kontratë aktive” në këtë kontekst?
Një kontratë aktive i referohet një kontrate granti ndërmjet KCSF-së dhe një grantisti, e cila është aktualisht në fuqi dhe e zbatueshme. Kjo përfshin të gjitha kontratat për grante në kuadër të programit EJA.
12. A mund të elaboroni më shumë se çfarë nënkuptohet me “shoqata kulturore amatore”? A i referohet kjo vetëm grupeve kulturore të bazuara në komunitet, apo përfshin edhe nisma të pavarura kulturore si ato në fushën e arteve pamore, skenike apo multidisiplinare?
“Shoqata kulturore amatore” i referohet organizatave të përbëra nga praktikues kulturorë joprofesionistë (amatorë) të cilët promovojnë ose ushtrojnë forma të ndryshme të artit. Kjo nuk kufizohet vetëm te organizatat kulturore të bazuara në komunitet dhe mund të përfshijë edhe nisma që përfshijnë arte multidisiplinare.