PROGRAMI I SHOQËRISË CIVILE PËR SHQIPËRINË DHE KOSOVËN
Programi i Shoqërisë Civile për Shqipëri dhe Kosovë ishte një program katër-vjeçar (2018-2022) i financuar nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme e përfaqësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Organizatë udhëheqëse e zbatimit të programit ishte Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) me organizatë partnere Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).
Qëllimi i përgjithshëm i programit ishte mbështetja për një shoqëri civile demokratike dhe të zhvilluar në Shqipëri dhe Kosovë duke mbështetur OJQ që shtyjnë para procesin e anëtarësimit në BE përmes kontributit në njërën nga pesë fushat tematike si në vijim:
- Mosdiskriminimi dhe barazia gjinore;
- Mediet e pavarura;
- Pakicat dhe grupet e margjinalizuara;
- Mbrojtja e mjedisit;
- Lufta kundër korrupsionit.
Programi synonte arritjen e objektivave në vijim:
- Rritja e numrit të OJQ-ve që kontribuojnë në fushat tematike të programit;
- Zhvillimi i kapaciteteve të OJQ-ve ashtu që të përforcohet edhe kontributi i tyre në fushat tematike dhe anëtarësim në BE.