Dje, më datë 19 korrik 2016, Zyra për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Çështje Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryesministrit të Republikës së Kosovës (ZQM/ZKM) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), nënshkruan Memorandum të Mirëkuptimit për Bashkëpunim në Trajnimin mbi Standardet Minimale të Konsultimeve Publike.
Ky Memorandum i Mirëkuptimit u nënshkrua nga ZQM-ja dhe KCSF-ja duke pasur parasysh rregulloren e miratuar rishtazi nga Qeveria e Kosovës për Standardet Minimale të Procesit të Konsultimit Publik dhe obligimet që rrjedhin nga ky akt juridik, rëndësinë e ndërgjegjësimit të mëtejmë të organizatave të shoqërisë civile dhe shërbyesve civilë kundrejt standardeve minimale të konsultimeve publike, si dhe vetë mandatin e ZQM-së dhe fushëveprimtarinë e KCSF-së. Memorandumi është një marrëveshje e përgjithshme në mes të dy subjekteve për hartimin dhe zbatimin e programit të ngritjes së kapaciteteve së shërbyesve civilë për procesin e konsultimeve publike.
Aktiviteti është pjesë e projektit dy vjeçar “Mbështetje për Zbatimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile”, të financuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe Programi për Zhvillimin e Shoqërisë Civile i KCSF-së.