Dialogu Strategjik vazhdoi sot me takime, vizita dhe diskutime mes përfaqësuesve institucionalë dhe ekspertëve nga vende të ndryshme të Evropës, përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile.
Qëllimi i këtyre takimeve ishte shkëmbimi i perspektivave mbi zgjerimin e BE-së dhe implikimet e tij për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, duke trajtuar ndërlidhjen mes zhvillimeve gjeopolitike, sigurisë rajonale dhe tranzicionit energjetik.
Delegacioni u takua me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti dhe kryenegociatorin e Kosovës me Bashkimin Evropian, z.Jeton Zulfaj, si dhe me ministrin e Mbrojtjes, z.Ejup Maqedonci.
Në kuadër të programit, delegacioni vizitoi edhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ku u njoh nga afër me sfidat e sigurisë dhe tranzicionit energjetik në Kosovë.
Dita u përmbyll me një diskutim pune mbi sigurinë energjetike, ku u trajtua roli i saj në procesin e zgjerimit të BE-së, ndikimi gjeopolitik i investimeve dhe infrastrukturës, si dhe rreziqet e varësive të reja energjetike në Ballkanin Perëndimor.
Dialogu Strategjik u organizua nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Austro-French Centre for Rapprochement in Europe, Balkan Research Institute dhe French Institute of International Relations. Ai u mbështet nga Open Society Foundations Western Balkans, Ambasada e Austrisë në Prishtinë dhe Suedia.