U MBAJT TAKIMI PËR DISKUTIMIN DHE VALIDIMIN E TË GJETURAVE PËRFUNDIMTARE PËR INDEKSIN KOSOVAR TË SHOQËRISË CIVILE 2013

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), në kuadër të angazhimit për zhvillimin e sektorit të shoqërisë civile, çdo dy vite harton Indeksin Kosovar të Shoqërisë Civile që synon analizimin e gjendjes aktuale të shoqërisë civile dhe identifikimin e rrugës përpara për zhvillimin e sektorit të shoqërisë civile në Kosovë.

Për diskutimin dhe validimin përfundimtar të të gjeturave për këtë hulumtim, KCSF së bashku me një grup të ngushtë të përfaqësuesëve të shoqërisë civile, institucioneve publike, medieve dhe komunitetit të donatorëve, mbajti takimin më 11 dhjetor 2013.

Për Indeksin Kosovar të Shoqërisë Civile 2013, deri më tani, KCSF ka anketuar 100 OShC aktive në Kosovë, 30 përfaqësues të sektorëve të ndryshëm jashtë shoqërisë civile dhe 1,300 qytetarë të Kosovës, si dhe ka zhvilluar mbi 50 intervista të thella me përfaqësues të organizatave dhe institucioneve të ndryshme që funksionojnë në Kosovë. Aktualisht, këto të dhëna janë përmbledhur në një raport i cili ofron të dhëna sasiore dhe analiza cilësore të fushave kryesore të shoqërisë civile, siç janë struktura dhe organizimi i brendshëm, fondet, pjesëmarrja në vendim-marrje, ndikimi i perceptuar, ambienti i jashtëm për funksionimin e shoqërisë civile, etj.

Pas këtij takimi, KCSF do të finalizojë dhe publikojë raportin me të gjeturat përfundimtare për gjendjen e sektorit të shoqërisë civile në Kosovë.