U MBAJT NË PRISHTINË KONFERENCA “ROLI I SHOQËRISË CIVILE NË REFORMËN E ADMINISTRATËS PUBLIKE – STANDARDET DHE PRAKTIKAT E BE-SË”

Konferenca “Roli i Shoqërisë Civile në Reformën e Administratës Publike – Standardet dhe Praktikat e BE-së”, organizuar në kuadër të programit “People 2 People” nga TACSO nga KCSF, mblodhi në Prishtinë njohës të shquar të fushës nga rajoni dhe Bashkimi Europian. Përgjatë tri ditëve, nga 6-8 qershori, qyteti i Prishtinës mirëpriti rreth 80 pjesëmarrës nga shoqëria civile, zyret rajonale të TACSO-s, institucionet e BE-së dhe ato shtetërore nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perendimor dhe Turqisë. Të pranishmit patën rastin të diskutojnë çështjen e përfshirjes dhe rolit të organizatave të shoqërisë civile në procesin e reformës së administratës publike në vendet e zgjerimit.

Në pjesën e parë të Konferencës, njohës të fushës nga BE-ja sollën praktikat e mira dhe sfidat në proces, ilustruar me shembuj nga përvoja e tyre, si dhe prezantuan të gjetura nga hulumtime të bëra pikërisht mbi këtë tematikë. Pjesa e dytë e Konferencës vijoi me grupet punuese të organizuara mbi katër tema diskutimi që njëherit përbëjnë çështje kyçe për sa i përket pjesëmarrjes së OShC-ve në procesin e reformës së administratës publike.  Duke theksuar rolin esencial të pjesëmarrjes aktive dhe të mirëfilltë të OshC-ve në procesin e reformës së administratës publike si dhe nevojën e përmirësimit të mekanizmave për pjesëmarrjen e OshC-ve në këtë proces, mbi përfundimet e nxjerra nga grupet punuese, u zhvilluan edhe ato të Konferencës.