TRYEZË DISKUTIMI DHE EKSPOZITË FOTOGRAFIKE PËR VITIN EUROPIAN TË VULLNETARIZMIT 2011

Viti 2011 është shpallur si Viti Europian i Vullnetarizimit. Kjo nismë synon të jetë njëkohësisht festë dhe sfidë.

KCSF, përmes Qendrës Informative dhe Kulturore e Bashkimit Europian në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve të saj për shënimin e Vitit Europian të Vullnetarizmit, organizoi një tryezë diskutimi ku u disktua për vullnetarizmin, si kuptohet e si pranohet puna vullnetare dhe cilat janë sfidat e vullnetarizmit në Kosovë . Paraprakisht, një aksion rruge u mbajt në sheshin Nëna Tereze për të promovuar vullnetarizmin dhe për të ngjallur interesimin për vullnetarizëm tek qytetarët e Kosovës.

Në një diskutim të frytshëm me vullnetarë, përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare të cilët operojnë me vullnetarë dhe të tjerë, ndër të tjera u theksua se Kosovës i mungon Ligji të përgjithshëm për Vullnetarizëm i cili duhet të përfshinte të gjitha moshat dhe i cili do të sqaronte njohjen e punës vullnetare dhe do të ndikonte në vetëdijësimin e qytetarëve për rëndësinë dhe të mirat e kësaj pune. Organizatorët ftuan të gjithë të promovojnë dhe të merren me vullnetarizëm, derisa UNDP ftoi pjesëmarrësit që me datë 5 Dhjetor 2011 t’i bashkangjiten aktivitetit kryesor vjetor në kinemanë ABC për të kremtuar dhe shënuar Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit.

Pas përfundimit të diskutimit u bë hapja e një ekspozite fotografike ku u paraqitën 26 fotografi rreth vullnetarizmit në Kosovë. Ekspozita do të jetë e hapur deri me 5 Dhjetor 2011 – Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit e shpallur nga Kombet e Bashkuara.