Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës publikoi sot vendimin me të cilin i shpall jo-kushtetuese nenet e Ligjit për Banka, Institucione Mikrofinanciare dhe Institucione Financiare Jo-bankare (Nr.04/L-093) të cilat e mundësonin transformimin e OJQ-ve mikrofinanciare në shoqëri aksionare.
Në rastin Nr. KO97/12 të ngritur nga institucioni i Avokatit të Popullit me kërkësen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Lëvizjes Fol, Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) dhe 55 OJQ-ve tjera mbështetëse, Gjykata Kushtetuese sot publikoi vendimin me të cilin i vlerëson si jo-kushtetuese nenet e Ligjit për Banka, Institucione Mikrofinanciare dhe InstitucioneFinanciare Jo-bankare të cilat e mundësonin transformimin e OJQ-ve mikrofinanciare në shoqëri aksionare.
Ligji për Banka, Institucione Mikrofinanciare dhe Institucione Financiare Jo-bankare, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës më datë 12 prill 2012, nëpërmjet neneve90, 95 (1.6), 110, 111 dhe 116 ka mundësuar transformimin e OJQ-ve mikrofinanciare në shoqëri aksionare, dhe me këtë shndërrimin e kapitalit të OJQ-ve në kapital privat.
I gjithë procesi ishte shoqëruar me kundërshti të vazhdueshme nga shoqëria civile dhe probleme të shumta ligjore dhe procedurale, ndërsa pas shterrjes së të gjitha mjeteve juridike, një numër i madh i OJQ-ve kanë shfrytëzuar institucionin e Avokatit të Popullit për të parashtruar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve të lart përmendura. Me vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese është ndaluar shkelja e një ndër parimeve më të rëndësishme të sektorit të shoqërisë civile, e që ka të bëjë me mos-shpërndarjen e pasurisë dhe ndalimin e përfitimit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohet në linkun: http://www.gjk-ks.org/repository/docs/KO97_12_AGJ_SHQ.pdf