Angazhimi i një eksperti/eje të digjitalizimit për zhvillimin e programit trajnues
Akademia Digjitale për OShC-të (DIGITCSO)
Për KCSF-në
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) është organizatë udhëheqëse në përkrahjen e nismave qytetare në Kosovë që nga viti 1998. KCSF ofron fonde për shoqërinë civile përmes mekanizmave të avancuar të dhënies së granteve, ndërton kapacitete dhe dije për sektorin përmes programeve të ndryshme të zhvillimit, si dhe kontribuon në avancimin e hapësirës për qytetari dhe ambientit të veprimit të shoqërisë civile në Kosovë dhe më gjerë përmes hulumtimit të politikave, avokimit dhe mobilizimit të sektorit.
KCSF beson se një shoqëri civile e fuqishme dhe e angazhuar është element kyç për një qeverisje përfshirëse, transparente dhe llogaridhënëse, duke kontribuar në zhvillimin demokratik dhe socio-ekonomik të Kosovës.
Në kuadër të programeve të saj për ngritje të kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile, KCSF angazhon ekspertë/e të fushave të ndryshme për të kontribuar në zhvillimin e moduleve të trajnimit, ofrimin e trajnimeve tematike, mentorimin e organizatave përfituese dhe ofrimin e këshillave profesionale.
Akademia Digjitale për OShC-të (DIGITCSO)
Programi DIGITCSO synon të fuqizojë Organizatat e Shoqërisë Civile (OShC) në përdorimin strategjik, të sigurt dhe të qëndrueshëm të teknologjisë në punën e tyre. Programi do t’u ofrohet 20–24 OShC-ve të përzgjedhura dhe do të fokusohet në përdorimin e teknologjisë për transformimin digjital, përmirësimin e proceseve të brendshme, menaxhimin e projekteve dhe rritjen e sigurisë digjitale, si dhe për komunikim, avokim dhe angazhim më efektiv të komunitetit.
Për zhvillimin dhe zbatimin e programit kërkohet angazhimi i një eksperti/eje, i/e cili/a do të kontribuojë në hartimin e kurrikulës dhe materialeve trajnuese, përcaktimin e metodologjisë së punës dhe/ose realizimin e moduleve të trajnimit.
Fushat e ekspertizës
Fushat e ekspertizës për këtë program përfshijnë, por nuk kufizohen në:
- – Transformimin digjital dhe planifikimin strategjik të digjitalizimit të OShC-ve;
- – Menaxhimin e të dhënave dhe përdorimin e mjeteve digjitale për planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e projekteve;
- – Komunikimin, angazhimin e publikut dhe avokimin digjital;
- – Sigurinë digjitale, privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave;
- – Përdorimin e mjeteve digjitale për mobilizimin e komuniteteve dhe fuqizimin e pjesëmarrjes qytetare;
- – Automatizimin e proceseve organizative dhe përdorimin e platformave digjitale për bashkëpunim, koordinim dhe menaxhim të punës;
- – Integrimin efektiv, të përgjegjshëm dhe etik të inteligjencës artificiale (IA) në komunikim, planifikim, vendimmarrje dhe procese të tjera organizative.
Ekspertët/et mund të angazhohen për zhvillimin e moduleve të trajnimit, mbajtjen e trajnimeve dhe/ose ofrimin e mentorimit për OShC-të pjesëmarrëse.
Si të aplikoni?
Për të shprehur interesimin tuaj, ju lutemi të dërgoni:
- – CV të përditësuar, me theks në përvojën relevante;
- – Propozim të shkurtër, deri në 2 faqe, i cili, duke u bazuar në informatat e përgjithshme të kësaj thirrjeje, paraqet idenë fillestare për zhvillimin e programit, temat kryesore dhe qasjen metodologjike të propozuar;
- – Dëshmi për përvoja të ngjashme, si trajnime, publikime, materiale trajnimi etj.
Të gjitha dokumentet duhet të dërgohen përmes emailit në adresën: aplikimi@kcsfoundation.org , më së largu deri më 23.08.2026.
KCSF do të kontaktojë ekspertët/et nga lista e aplikuesve për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit eventual.
Shprehja e interesit nuk nënkupton obligim të KCSF-së për të angazhuar ndonjë ekspert/e apo për të vendosur marrëdhënie kontraktuale.
Ky aktivitet bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të Suedisë.