THIRRJE PËR APLIKIM PËR GRANTE INSTITUCIONALE

Angazhimi për Veprim të Përbashkët (EJA Kosovë) është program i KCSF-së që mbështet nismat e shoqërisë civile përmes granteve dhe ngritjes së kapaciteteve, me synimin e përgjithshëm për kontribut domethënës në zhvillimin demokratik dhe socio-ekonomik të Kosovës. E themeluar si mekanizëm i financimit me bashkim të fondeve, EJA Kosovë aktualisht bashkëfinancohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.

Duke vënë në plan të parë angazhimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në punën e shoqërisë civile, EJA Kosovë synon të kontribuojë drejt dy objektivave kryesorë (a) rritjes së angazhimit të qytetarëve në jetën publike nëpërmjet avokimit me pjesëmarrje të shoqërisë civile dhe (b) t’u mundësohet OSHC-ve që t’i forcojnë marrëdhëniet me qytetarët e tyre dhe t’i përmirësojnë kapacitetet e tyre organizative.

EJA Kosovë bazohet në premisën që përmes sistemeve të përshtatura të gjithëpërfshirjes, transparencës dhe llogaridhënies nga njëra anë, dhe qasjes dhe komunikimit më të mirë me komunitetin, nga ana tjetër, OSHC-të, duke i përfshirë qytetarët në punën e tyre, mund të ndërtojnë bazë më të fortë dhe më të angazhuar të mbështetjes. Kjo forcon qytetarët e tyre dhe mundëson që ato t’i përfaqësojnë më mirë nevojat dhe shqetësimet e komunitetit. Së bashku me qeverisje të brendshme, transparencë dhe angazhim më të mirë të qytetarëve, kjo do të kontribuojë në rritjen e besimit të publikut në OSHC-të. Qytetarët i shohin ato si platformë legjitime dhe efektive për ngritjen e shqetësimeve dhe avokimin për ndryshim.

Grantet institucionale janë krijuar për ta mbështetur zbatimin e strategjive organizative duke forcuar njëkohësisht kapacitetet e brendshme, duke u mundësuar organizatave t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve në fushat e tyre tematike përkatëse. Këto grante ofrojnë mbështetje financiare për organizatat e njohura si agjentë të ndryshimit, duke iu mundësuar të përgjigjen menjëherë ndaj zhvillimeve të rëndësishme shoqërore brenda fushave të tyre të ekspertizës. Për më tepër, grantet institucionale ofrojnë fleksibilitet për t’i adresuar çështjet problematike kur ato lindin. Në kuadër të Grantit Institucional, deri në 15% e buxhetit total të propozuar mund të ndahet për zhvillim organizativ.

KUSH MUND TË APLIKOJË?

Organizatat Joqeveritare (OJQ) vendore të regjistruara në Kosovë.

AFATI KOHOR DHE BUXHETI

Organizatat kanë të drejtë të aplikojnë për financim për një periudhë 36 mujore. Buxheti maksimal i kërkuar për financim nga kjo thirrje për një grant nuk duhet të kalojë 40,000 euro/vit.

DORËZIMI I APLIKACIONEVE

Aplikantët duhet t’i dorëzojnë aplikacionet e tyre të plotësuara nëpërmjet grants.kcsfoundation.org. Vetëm aplikacionet që i përmbushin plotësisht kërkesat e thirrjes të përshkruara në udhëzimet për

aplikim dhe formularin e aplikimit do të merren parasysh. Afati i fundit për aplikim është 15/07/2024 në ora 23:59 sipas kohës lokale.

Për informata shtesë, duke përfshirë udhëzimet për aplikim, ju lutemi vizitoni www.kcsfoundation.org. Nëse keni ndonjë pyetje në lidhje me përgatitjen e aplikacionit ose detaje rreth aplikimit për grant, ju lutemi na kontaktoni me e-mail në eja@kcsfoundation.org.