Angazhimi për Veprim të Përbashkët (EJA Kosovë) është program i KCSF-së që mbështet nismat e shoqërisë civile përmes granteve, çmimit vjetor për demokraci dhe ndërtimit të kapaciteteve me synimin e përgjithshëm për t’i kontribuar një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse në Kosovë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Duke vënë në plan të parë angazhimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve përgjatë tërë punës së shoqërisë civile, EJA Kosovë synon të kontribuojë drejt dy qëllimeve kryesore ku: (a) shoqëria civile shfrytëzon hapësirat për avokim dhe synon krijimin e mundësive/hapësirave të reja për pjesëmarrje të qytetarëve dhe qytetareve në formësimin e çështjeve me interes publik dhe (b) organizatat e shoqërisë civile forcojnë lidhjet me qytetarë dhe përmirësojnë llogaridhënien dhe transparencën ndaj anëtarëve dhe publikut të gjerë.
Çmimi për Demokraci
Përmes Çmimit për Demokraci që ndahet në baza vjetore, EJA Kosovë njeh kontributet e jashtëzakonshme për zhvillimin e demokracisë në Kosovë dhe promovon rastet dhe modelet që duhet ndjekur. Çmimi për Demokraci ka për qëllim të vlerësojë kontributet e individëve, nismave të paregjistruara dhe të organizatave joqeveritare në fusha të ndryshme, që janë rezultat i mobilizimit të komunitetit dhe angazhimit të qytetarëve e qytetareve, ideve të reja, guximit intelektual ose arritjeve të theksuara, dhe që kanë kontribuar në demokratizimin e shoqërisë kosovare përmes punës dhe përkushtimit të tyre.
Nominimet do të vlerësohen nga Ekipi për Vlerësimin e Granteve (EVG) sipas kritereve më poshtë:
- Dizajnimi dhe zbatimi i një nisme të suksesshme (qasje, aktivitet, projekt, etj.) në promovimin dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë, gjatë vitit 2020;
- Natyra inovative e nismës;
- Ndikimi aktual ose i pritur i kësaj nisme, duke përfshirë potencialin për zgjerim/përsëritje;
- Guximi i organizatës, nismës së paregjistruar a individit shprehur përmes nismës në fjalë;
- Përfshirja e drejtpërdrejtë e qytetarëve në nismë ose kontributi i jashtëzakonshëm i pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën publike dhe/ose politikëbërje.
Ju ftojmë të nominoni kandidatët tuaj për edicionin 2020 të Çmimit për Demokraci, deri më 11.01.2021, ora 23:59.
Për informata të hollësishme për kriteret e nominimit dhe për të shkarkuar formularin për nominim, mund të gjenden këtu.
Po ashtu, për çdo pyetje eventuale mund të na shkruani në award@kcsfoundation.org.
*Thirrja për nominim për çmim për demokraci 2020 është mbyllur.