Sukseset e CEL Kosova, përfitues të Grantit Urgjent nga KCSF

CEL Kosova – Qendra për Barazinë dhe Lirinë e Komunitetit LGBT në Kosovë, u krijua në korrik 2013 me qëllim forcimin e komunitetit LGBT në vend. CEL është njëra prej përfitueseve të grantit urgjent nga programi EJA Kosovë i KCSF-së.

Me Programin e strehimit urgjent, prej datës 1 mars e deri më 1 shtator 2021, CEL Kosova është duke e shpenzuar grantin urgjent nga KCSF për të krijuar një hapësirë të sigurtë jetese për personat LGBTI që janë viktima të dhunës në familje dhe diskriminimit, veçanërisht gjatë izolimit të krijuar nga pandemia COVID-19.

“Ishim keq me kohën sepse kishim rastet në pritje të personave të komunitetit që po përjetonin dhunë fizike në shtëpitë e tyre, në situatë pandemie. Na duhej një strehim dhe pagesë që mbulonte këtë strehim. Në anën tjetër, edhe seancat me psikologët vazhdonin. Granti urgjent na ndihmoi për t’i dalë ballë këtyre nevojave që ishin të tilla, urgjente” tregon Blert Morina, drejtor ekzekutiv në CEL.

Më specifikisht, katër vajza lezbike janë strehuar nga ky grant, prej të cilave dy veçse kanë gjetur vende pune dhe tanimë janë pavarësuar. Ky edhe ka qenë qëllimi fillestar nga CEL.

“Këto suksese të vogla për neve kanë shumë rëndësi, sepse kemi ndërhyrë në momentin e duhur dhe për vajzat në fjalë është siguruar një mirëqenie dhe një situatë jetese normale, pa dhunë. Granti urgjent ka qenë shumë i përshtatshëm në këtë aspekt sepse nuk është dashur të presim gjatë, por na ka mundësuar reagim të shpejtë dhe fleksibil” tregon Morina.

Grantet Urgjente ofrojnë mundësinë e intervenimit të shpejtë dhe me kohë nga shoqëria civile për t’iu përgjigjur çështjeve të identifikuara që kontribuojnë drejt qëllimit të programit EJA Kosovë.

EJA Kosovë është program i KCSF-së që i mbështetë nismat e shoqërisë civile përmes granteve dhe ndërtimit të kapaciteteve, me synimin e përgjithshëm për t’i kontribuar një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse në Kosovë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. EJA Kosovë përkrahet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).