SI E NDALOI SHOQËRIA CIVILE TRANSFORMIMIN E OJQ-VE MIKROFINANCIARE NË BIZNESE PRIVATE

Më 12 prill 2013, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës vendosi të shpallë jo-kushtetuese nenet e Ligjit për Banka, Institucione Mikrofinanciare dhe Institucione Financiare Jo-bankare (Nr.04/L-093) të cilat e mundësonin transformimin e OJQ-ve mikrofinanciare në shoqëri aksionare. Ky vendim u mor bazuar në rastin e ngritur nga Institucioni i Avokatit të Popullit me kërkësen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Lëvizjes Fol, Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) dhe 55 OJQ-ve tjera mbështetëse.

Transformimi i Institucioneve Mikrofinanciare OJQ (IMF OJQ) në shoqëri aksionare, respektivisht entitete private,  ishte shtyrë fuqishëm nga një numër i IMF OJQ-ve dhe grupeve tjera të interesit qysh nga viti 2005, dhe përgjatë gjithë kësaj periudhe ishte kundërshtuar vazhdimisht nga shoqëria civile në Kosovë. Procese të ngjajshme për të lejuar me ligj transformimin e tillë ishin bërë edhe në vitin 2009, 2010 dhe 2011, kryesisht nëpërmjet Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ apo akteve të ndryshme nënligjore, por ishin parandaluar në kohë për shkak të kundërshtimit aktiv të shoqërisë civile. Megjithatë, kundërshtimi i shoqërisë civile dhe një numri të madh deputetësh nuk e ndaluan Kuvendin e Kosovës që të miratonte Ligjin për Banka, më 12 prill 2012, dhe ta lejonte një transformim të tillë. Pikërisht një vit pas miratimit të tij kundërthënës, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të kërkesës së shoqërisë civile dhe anuloi të gjitha dispozitat e këtij ligji që e mundësonin transformimin e kapitalit të OJQ-së në kapital privat.
 

Çështjet kryesore

Institucionet Mikrofinanciare origjinën e kanë nga vendet e Lindjes së largët dhe synim kryesor kanë që të ofrojnë asistencë ekonomike për kategoritë më të varfëra të popullësisë, të cilat përndryshe nuk kanë qasje në sistemin privat bankar. Nga vet emri i tyre, këto institucione e arrijnë këtë qëllim duke ofruar kredi të vogla dhe për kategori të caktuara të përjashtuara nga sistemi bankar komercial. Në përgjithësi, synimi kryesor është zbutja e varfërisë dhe jo përfitimi. Si të tilla, aktivitetet e mikrofinancave i shërbejnë të mirës së përgjithshme dhe mund të regjistrohen si OJQ. Për më tepër, duke qenë që me aktivitetin e tyre ato supozohet se marrin përsipër një obligim të shtetit (zhvillimin ekonomik të vendit dhe ndihmën për më të varfërit) dhe si OJQ që nuk mund të gjenerojnë fitim, ato zakonisht përfitojnë edhe Statusin e Përfitimit Publik, që nënkupton lirimin nga disa taksa, kryesisht lirim nga tatimi në fitim. Kjo është edhe arsyeja kryesore që kapitali fillestar i këtyre institucioneve sigurohet nga donatorë ndërkombëtarë, në kuadër të ndihmës së përgjithshme për vendet e vafrëra. Synimi natyral i OJQve mikrofinanciare nuk duhet të jetë rritja e kapitalit, por rritja e asistencës për të varfërit. Rritja e kapitalit që gjenerohet nga kthimi i kredive duhet të shfrytëzohet ngjajshëm për të njejtin  mision, zakonisht duke e rritur numrin e personave përfitues. Duke qenë që mikrofinancat janë karakteristikë e vendeve të varfëra, synimi i tyre është që duke u rritur standardi jetësor i një vendi, kapitali i tyre të zvogëlohet, deri sa në fund të shuhen në tërësi.

Në vendet e zhvilluara nuk ekzistojnë institucione të tilla, ose janë shumë të rralla. Në Kosovë, qysh nga viti 1999, OJQ-të mikrofinanciare kanë rritur kapitalin e tyre shumëfish nga kapitali fillestar, dhe kjo kryesisht duke ofruar kredi me përqindje të lartë interesi. Korniza ligjore e aplikueshme në Kosovë, e që është e bazuar në parimet ndërkombëtare të kësaj fushe, nuk e ka lejuar një gjë të tillë. Përkundër kësaj, në vend që të synohet zbatimi i plotë i obligimeve ligjore, një numër i IMF OJQve dhe institucioneve publike kanë kërkuar që kjo praktikë e jashtëligjshme të legalizohet dhe IMF OJQ edhe zyrtarisht të shndërrohen në kompani private, dhe si të tilla ligjërisht të lejohen të përfitojnë nga aktiviteti i tyre financiar.

Procesi

Pasi që shoqëria civile parandaloi lejimin e transformimit të IMF OJQ-ve nëpërmjet Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ në vitin 2011 gjatë fazës së hartimit të atij ligji, Banka Qendrore e Kosovës dhe Ministria e Financave sponzoruan një Ligj për Bankat, i cili përveç tjerash përfshinte edhe një kapitull të veçantë rreth Institucioneve Mikrofinanciare. Duke shkelur Rregulloren e Punës së Qeverisë 09/2011, drafti i këtij ligji u mbajt i mbyllur për publikun gjatë gjithë procesit të draftimit në nivel të Qeverisë, dhe shoqëria civile u njoh me përmbajtjen vetëm kur ky projekt-ligj kaloi për shqyrtim në Kuvend. Menjëherë pas analizimit të projekt-ligjit, KCSF dhe disa organizata tjerë ftuan për mbështetje sektorin civil dhe filluan përpjekjet e tyre për të larguar dispozitat problematike nga ky projekt-ligj. Procesi i avokimit u bazua në një analizë të thuktë të përmbajtjes së projekt-ligjit, ku evidentoheshin shkeljet kushtetuese dhe ligjore si dhe shkeljet e parimeve ndërkombëtare të së drejtës për përfitim. Për më tepër, shpjegohej edhe koncepti i OJQve mikrofinanciare dhe dëmi që mund t’i shkaktohej shoqërisë civile dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi, në rast të transformimit të tyre në biznese private. Meqenëse përfaqësuesit e shoqërisë civile nuk u lejuan që të paraqesin këto argumente para Komisionit për Buxhet dhe Financa, takime të shumta individuale me kryetarë të grupeve parlamentare dhe komisioneve të Kuvendit mundësuan informimin e drejtë dhe të saktë të atyre që do të votonin për këtë ligj. Gjithashtu, paraqitjet mediale ndihmuan në krijimin e një presioni publik kundër dispozitave problematike të këtij ligji. Megjithë përkrahjen nga deputetët e partive opozitare të cilët bojkotuan disa seanca gjatë të cilave ky ligj duhej të diskutohej, Kuvendi i Kosovës përfundimisht miratoi ligjin më 12 prill 2012. Për më tepër, në seancën e 12 prillit, sipas transkriptit zyrtar të Kuvendit, nuk kishte kuorum të mjaftueshëm, ndërsa projekt-ligji nuk kishte marrë miratimin paraprak të Komisionit Parlamentar për Legjislacion, ashtu siç e kërkonte Rregullorja e Punës e Kuvendit. Shoqëria civile vazhdoi me presionin edhe te Presidentja e Kosovës, duke kërkuar nga ajo që ta kthejë Ligjin për Banka në Kuvend, por një kërkesë e tillë nuk u mor parasysh.

Pas shterrjes së të gjitha mjeteve për ta kundërshtuar këtë ligj, shoqëria civile shfrytëzoi mjetin e fundit juridik që kishte në dispozicion: Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Duke mos pasur të drejtë që të dërgojë ligje për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, organizatat e shoqërisë civile shfrytëzuan Institucionin e Avokatit të Popullit, i cili në emër të organizatave të përfshira paraqiti rastin para Gjykatës Kushtetuese. KCSF dhe organizatat tjera të përfshira ndihmuan Institucionin e Avokatit të Popullit që të përgatisë lëndën për Gjykatë Kushtetuese, si dhe ta mbrojë kërkesën gjatë seancës dëgjimore që u organizua nga kjo gjykatë.

Në kërkesën e saj, shoqëria civile i identifikoi tre nene të Kushtetutës së Kosovës të cilat shkeleshin nga Ligji për Banka, dhe atë:

Neni 44 – Liria e Asociimit

Duke qenë që IMF OJQ ishin themeluar bazuar në Lirinë e Asociimit të garantuar me Kushtetutë, duke e ndryshuar subjektivitetin juridik të IMF OJQ-ve dhe duke lejuar shndërrimin e tyre në shoqëri aksionare, Ligji për Banka i largonte ato nga fushëveprimi i këtij neni dhe pengon të drejtën e tyre për të funksionuar në bazë të lirisë së asociimit.

Neni 46 i Kushtetutës – Mbrojtja e Pronës

Duke qenë që OJQ-të (përfshirë ato mikrofinanciare) themelohen e veprojnë bazuar në të drejtën jo-për-përfitim dhe si të tilla nuk kanë pronarë,  duke lejuar shndërrimin e IMF OJQ në shoqëri aksionare, Ligji për Banka tjetërsonte pronën e OJQ-së në mënyrë arbitrare, duke e kaluar pronën nga OJQ-ja në persona tjerë juridikë apo fizikë bartës të aksioneve.

Neni 10 – Ekonomia

Duke shkelur parimin kushtetues të ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë, duke lejuar shndërrimin e IMF OJQ në shoqëri aksionare, Ligji për Banka lejonte që një kapital i grumbulluar pa paguar tatime të futet në konkurrencë brenda tregut komercial të bankave dhe institucioneve tjera financiare që kanë paguar tatime që nga themelimi i tyre.

Përfundimi

Angazhimi shumëvjeçar i shoqërisë civile në kundërshtim të tjetërsimit të pronës së OJQ-ve mikrofinanciare dhe transformimit të tyre në shoqëri aksionare u kurorëzua me sukses më 12 prill 2013, kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të rrëzimit të dispozitave që e lejonin një transformim të tillë. Ky sukses ishte dëshmi që me një angazhim të pakursyer dhe profesional, përkundër problemeve të shumta të qeverisjes dhe sundimit të ligjit në Kosovë, megjithatë mund të ndalohen nisma të dëmshme për vendin. Disa faktorë që ndikuan pozitivisht në këtë sukses ishin: ndërtimi i argumenteve dhe kundërshtimi i bazuar në ekspertizë; konsistenca në qëndrime dhe veprime; nisma dhe kontributi i vazhdueshëm nga një grup i organizatave të shoqërisë civile të cilat ishin të thirrura dhe kishin ekspertizë në fushën përkatëse; përkrahja e nismës nga një numër i madh i organizatave tjera, të cilat besuan dhe përkrahën argumentet e organizatave nismëtare; kombinimi i mjeteve të avokimit, dhe më e rëndësishmja – kujdesi ndaj procedurave dhe parashtrimi i secilës çështje me shkrim, e të cilat në fund ndihmuan në ndërtimin e rastit fitues para Gjykatës Kushtetuese.

Për më tepër rreth këtij rasti dhe aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, vizitoni linkun http://www.gjk-ks.org/repository/docs/KO97_12_AGJ_SHQ.pdf