Zyra e projektit TACSO në Kosovë në bashkëpunim me Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), ju fton të kontribuoni në numrin e veçantë të “Shtojcës për Shoqëri Civile” e cila do të botohet në kuadër të numrit festiv të fundvitit të gazetës “Koha Ditore”.
Kjo shtojcë ka për qëllim promovimin e punës së organizatave të shoqërisë civile të cilat me punën e tyre kanë ndikuar në ndryshime pozitive në jetën e qytetarëve, zhvillimin e demokracisë në vend, respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe çështje tjera shoqërore.
Përveç organizatave të shoqërisë civile të regjistruara, kontributet pranohen edhe nga nismat qytetare të paregjistruara/jo-formale.
Artikulli juaj duhet t’i përmbajë informatat kryesore për aktivitetin ose nismën dhe të jetë jo më i gjatë se 1000 fjalë. Aktivitetet ose nismat e përshkruara në artikull duhet të jenë të zhvilluara ose përmbyllura gjatë vitit 2014. Artikujt mund të shkruhen në gjuhën shqipe ose serbe.
Artikujt e pranuar do të redaktohen nga gazetarë profesionist me qëllim të përshtatjes në stilin dhe formatin e Shtojcës.
Ju lutemi që gjatë shkrimit të artikullit tuaj të keni parasysh:
- Hyrje: përshkrim të situatës paraprake dhe nevojës për ndryshim;
- Çështjet kryesore: në pika të shkurta, çështjet kryesore të trajtuara nga organizata;
- Procesi: përshkrim për procesin, me theks në rolin e shoqërisë civile;
- Përmbyllje: përmbledhje e shkurtë të përfundimeve kryesore;
- Faktorët e suksesit: përmbledhje e shkurtë për faktorët e suksesit nga ana e shoqërisë civile.
Ju lutemi që kontributet tuaja t’i dërgoni deri më 7 dhjetor 2014 në e-mail adresën info.ko@tacso.org. Bashkë me artikullin ju mund të dërgoni dhe fotografi ilustrative.
Ky projekt financohet nga Bashkimi Europian.