SHKOLLA PËR INTEGRIM EUROPIAN VJEN ME FORMAT DHE AKTIVITETE TË REJA NË VITIN 2014

Shkolla për Integrim Europian (SHIE ose Shkolla) është projekt i nisur në vitin 2005 nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS)  dhe i zbatuar nga  Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). E themeluar në kohën kur Kosova sapo kishte filluar marrëdhëniet me Bashkimin Europian, qëllimi kryesor i Shkollës ka qenë të ofronte një format unik të shkollimit dhe të ngritjes së njohurive rreth funksionimit të BE-së, politikave kryesore dhe procesit të vendimmarrjes në BE për aktorët e involvuar në këtë proces, qoftë në kuadër të institucioneve të Kosovës apo në sektorët e tjerë, si mediet, organizatat e shoqërisë civile, sektori privat etj.

Deri më sot Shkollën e kanë vijuar 17 gjenerata dhe rreth 1 000 pjesëmarrës nga sektorë të ndryshëm, si: shoqëria civile, administrata publike, mediet, bizneset, organizatat e ndryshme profesionale dhe zyrat ndërkombëtare në Kosovë. Rëndësi e veçantë gjatë për zgjedhjes së pjesëmarrësve për Shkollë u është kushtuar anëtarëve të shoqërisë civile, me qëllim të fuqizimit të këtij sektori si palë e rëndësishme në procesin e integrimit europian. Numri i anëtarëve të shoqërisë civile që kanë vijuar Shkollën gjatë këtyre viteve është rreth 220. Në këtë mënyrë,ngritja e njohurive të pjesëmarrësve nga ky sektor,  u ka ofruar atyre mundësinë që të kontribuojnë në procesin e integrimit europian dhe të jenë më kërkues nga institucionet përgjegjëse për reformat që duhen ndërmarrë në kuadër të agjendës europiane.

Nga vlerësimet e rregullta që janë realizuar përgjatë këtyre viteve rezulton se një nga arsyet e interesimit të lartë për pjesëmarrje në Shkollë janë cilësia e programit, ligjëruesit me përvojë nga vendet e rajonit dhe të BE-së, si dhe metodat e trajnimit/ligjërimit. Megjithatë, njohuritë bazike nga kjo fushë kohëve të fundit kanë filluar të ofrohen edhe nga universitetet private dhe ato publike. Po ashtu, projekte të ndryshme të asistencës teknike ofrojnë trajnime specifike për shërbyesit civilë mbi kapituj të ndryshëm të acquis communautaire. Andaj, për t’iu përgjigjur sa më mirë nevojave të kohës, Shkolla do t’i nënshtrohet procesit të riformatimit.

Zhvillimet në Bashkimin Europian, hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës, ofrimi i mundësive për të nënshkruar marrëveshje kontraktuale mes Kosovës dheBE-së, nevojat për gazetari hulumtuese nga fusha e BE-së, programimi dhe zbatimi i Kornizës financiare 2014-2020, si dhe intensifikimi i kësaj agjende në vendin tonë, janë elemente që do të ndikojnë në formatin e ri të Shkollës. Duke filluar nga ky vit, Shkolla do të ofrojë aktivitete në disa nivele, të dizajnuara enkas për fillestarë apo studime më të thelluara, ku mund të aplikojnë të diplomuarit e programeve tona dhe të interesuar të tjerë, varësisht nga niveli i njohurive paraprake.

Ndër aktivitetet që do të ofrohen nga Shkolla gjatë vitit 2014 janë:

  • Ligjëratat e hapura me ligjërues eminentë nga Bashkimi Europian;
  • Çmimi për punimin më të mirë hulumtues-gazetaresk nga fusha e integrimit europian;
  • Module bazike të trajnimit për grupe të përzgjedhura; dhe
  • Trajnime specifike të bazuara në nevojat e artikulara nga vetë administrata lokale.

Të gjitha informatat mbi aktivitetet e reja do të shpallen gjatë muajit prill 2014, në webfaqen e Shkollës www.shkollaeuropiane.org. Po ashtu, ju inkurajojmë që informatat për formatin e ri të Shkollës t’i rekomandoni edhe tek kolegët tuaj, te organizatat partnere dhe tek të interesuar të tjerë.