E hëna shënoi fillimin e modulit bazik në kuadër të Shkollës për Integrim Europian. Punëtoria dyditore “Institucionet dhe vendimmarrja në Bashkimin Europian”, e organizuar në vazhdën e punëtorive që do të mbahen në kuadër të Shkollës, u soll para të pranishmëve nga eksperti i shquar i fushës, njëherit edhe Zv. Ministër i Ministrisë së Integrimit Europian në Shqipëri, Gentian Elezi. Përgjatë kësaj punëtorie, pjesëmarrësit u njohën nga afër me BE-në si koncept, historikun e zhvillimit, strukturën organizative, institucionet dhe perspektivën e BE-së drejt së ardhmes.
Deri më tani, Shkolla për Integrim Europian ka ofruar një program të veçantë të ngritjes së njohurive mbi historikun, institucionet, kornizën ligjore, politikat dhe proceset e politikave në BE, Europën si një faktor global, si dhe të ardhmen e rajonit brenda procesit të Integrimit Europian, me fokus të veçantë në marrëdhëniet Kosovë – BE. Qëllimi i përgjithshëm i Shkollës është përgatitja e kuadrove rreth sfidave drejt Integrimit Europian. Ky qëllim është arritur në masë të madhe duke ngritur nivelin e njohurisë dhe vetëdijes ndër pjesëmarrësit në çështjet dhe politikat eurpiane, rrjedhimisht duke i bërë të gatshëm që njohuritë e fituara t’i transferojnë dhe perdorin në punën e tyre. Për gati dhjeshtë vjet të ekzistencës së saj, Shkollën e kanë vijuar mbi 1000 pjesëmarrës nga sektorë të ndryshëm, si: administrata publike, shoqëria civile, mediet, bizneset, organizatat e ndryshme profesionale dhe zyret ndërkombëtare në Kosovë.
Punëtoria “Institucionet dhe vendimmarrja në Bashkimin Europian” i parapriu edhe tri punëtorive që do të vijojnë me tema dhe ligjërues të ndryshëm me bagazh të pasur në fushën përkatëse.