Dita Ndërkombëtare e Rinisë, mblodhi sot në Gjakovë dhjetëra të rinj e të reja në një sërë aktivitetesh të organizuara nga Activism Roots, përmes projektit “Ndërto karrierën përmes vullnetarizmit”, që mbështetet përmes Grantit për Vullnetarizëm.
Activism Roots, përgjatë 7 muajve sa ka zbatuar këtë projekt, ka arritur të përfshijë mbi 300 të rinj/reja të moshave 15-24 vjeç nga komuna e Gjakovës, në trajnime dhe diskutime të ndryshme që kanë pasur për qëllim edukimin e tyre mbi rëndësinë e vullnetarizmit me fokus në avantazhet e shumta të vullnetarizmit që mund të ndikojnë pozitivisht në karrierën e tyre në të ardhmen.
Sot këta të rinj/reja patën rastin që krahas përfshirjes në aktivitete edhe të certifikohen nga kjo organizatë për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre në aktivitete vullnetare gjatë këtij viti.
Grantet për Vullnetarizëm ofrohen në kuadër të Qendrës së Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë, projekt që bashkëfinancohet nga Bashkimi Europian (BE) dhe Suedia dhe zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM).