“Sfidat e shërbimeve sociale në Kosovë dhe ngritja e fondeve për OShC-të” ishin çështje diskutimi në ngjarjen tematike të radhës

31 maj 2023- “Sfidat e shërbimeve sociale në Kosovë dhe ngritja e fondeve për OShC-të” ishin çështje që u diskutuan sot në Ferizaj, në ngjarjen tematike të radhës në kuadër të programit EJA Kosovë, që ju dedikua Ditës së Fëmijëve-1 Qershorit.

Nën organizimin e Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara –Handikos Ferizaj në bashkëpunim me KCSF, përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore, shoqërisë civile, prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe pjesëmarrës të tjerë patën rastin të diskutojnë lidhur me sfidat që përballen organizatat e shoqërisë civile që ofrojnë shërbime sociale në Kosovë.

Diskutimi nxori në pah perspektiva të ndryshme rreth shërbimeve sociale, pritjet nga Ligji i ri për shërbime sociale e familjare që është në fazat e fundit të hartimit, si dhe mundësitë për të siguruar financim të qëndrueshëm për organizatat jo-qeveritare në Kosovë që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.

Me këtë rast drejtori ekzekutiv i KCSF-së, Taulant Hoxha, pasi theksoi angazhimin e KCSF-së në këtë fushë qysh nga viti 2010, u ndal tek ndryshimi i mendësisë sa i përket zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve që ofrojnë shërbime sociale.

“Ofrimi i shërbimeve sociale për qytetarët në nevojë është obligim themelor i shtetit, dhe financimi i këtyre shërbimeve duhet të shihet si investim në përmbushjen e këtij obligimi, e jo si ndihmë ose lëmoshë për organizatat që ofrojnë shërbime të tilla”, ka thënë ai.

Hoxha ofroi një listë argumentesh që duhet pasur në konsideratë lidhur me aspektin e financimit të shërbimeve sociale që ofrohen nga OShC-të, të cilat përveç kapaciteteve dhe kompetencës profesionale, kanë edhe lidhje me komunitetin, punë parandaluese dhe fleksibilitet për t’u përshtatur në nevoja të reja, elemente këto që i dallojnë pozitivisht nga ofruesit publik dhe privat të këtyre shërbimeve.

Kjo ngjarje u organizua në kuadër të programit EJA Kosovë, program i KCSF-së i cili përkrahet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Suedia.