SEMINARI MBI SFIDAT E REFORMËS SË ADMINISTRATËS PUBLIKE NË KOSOVË

“Sfidat e reformës së administratës publike në Kosovë” ishte tema e seminarit të mbajtur më 23.11.2015 në Prishtinë me përfaqësuesit e zyrës së BE-së në Kosovë, përfaqësuesit e qeverisë dhe të shoqërisë civile. Në kuadër të këtij organizimi u diskutua rreth sfidave kryesore të reformës së administratës publike në Kosovë, në bazë të raporteve të OECD/SIGMA pas monitorimit të vendeve, Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike 2015-2020 të miratuar rishtazi, si dhe prioriteteve për mbështetje sektoriale të buxhetit për reformën e admonistratës publike. Ky diskutim u zhvillua para mbajtjes së takimit të Grupit të Veçantë për Reformën e Administratës Publike, të cilit do t’i paraqiten edhe konluzionet e diskutimit si instrumenti për diskutimin e prioriteteve të Reformës së Administratës Publike në mes të Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës.

Në një proces kompleks dhe tejet të rëndësishëm në përmbushjen e agjendës evropiane të Kosovës sic është reformimi i administratës publike, kontributi i shoqërisë civile  është i një rëndësie të veçantë. Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile si bashkorganizator i këtij seminari, së bashku me përfaqësuesit e tjertë të shoqërisë civile, theksuan se për rezultate të mira dhe të kënaqshme në mbarëvajtjen e këtij procesi, duhet hapje e procesit, konkretisht bashkëpunim më i madh në mes të institucioneve qendrore dhe shoqërisë civile.

Të pranishëm në këtë organizim ishin përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, ndërsa diskutimi në panel u zhvillua nga Mahir Yagcilar – Ministër i Administratës Publike, Libor Chlad – Zv. Shef i sektorit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së, Keit Kasemets – Zv. Shefe e OECD/SIGMA, moderuar nga Venera Hajrullahu – drejtoreshë ekzekutive e KCSF-së. Panelistët fillimisht prezantuan perspektivën e tyre në raport me aspekte të ndryshme të temës së diskutimit. Në diskutimin që vijoi tutje u përfshinë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile të cilët ofruan këndvështrimin e tyre.

Ky seminar u organizua nga OECD/SIGMA, në bashkëpunim me Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile dhe me Zyrën e BE-së në Kosovë.