Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ndau sot Çmimin për Demokraci 2022, për dy nisma të përfaqësuara nga dy aktivistë të shoqërisë civile znj. Sebahate Hajdini – Beqiri dhe z. Lend Mustafa, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në dy kauza të ndryshme, që i kontribuojnë demokratizimit të shoqërisë kosovare.
Sebahate Hajdini-Beqiri, aktiviste për komunitetin e sindromës Down në Kosovë, si nënë e një fëmije me Sindromën Down dhe themeluese e Down Syndrome Kosova, me vite të tëra i është përkushtuar përmirësimit të mirëqenies së përgjithshme të personave me Sindromën Down në Kosovë. Ajo së bashku me kolegët e saj përgjatë vitit 2022 mobilizoi komunitetin e Sindromës Down në Gjilan dhe hapi me sukses qendrën e parë të Down Syndrome Kosova në këtë qytet.
Kurse Lend Mustafa, aktivist dhe themelues i pub-it të parë queer në Kosovë – Bubble, është përfshirë në angazhim qytetar që nga mosha 16 vjeçare duke pasur një ndikim të rëndësishëm në komunitetin LGBTIQ+ në Kosovë. Në vitin 2022, Lendi hapi pub-in e parë queer në Kosovë- Bubble, vend ky i cili ka ofruar një hapësirë të sigurt dhe gjithëpërfshirëse për komunitetin LGBTIQ+, pa ngacmime e paragjykime dhe duke ju ofruar qasje në mbështetje dhe burime që më parë nuk ishin të disponueshme.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit, z. Taulant Hoxha, drejtor ekzekutiv i KCSF-së ka theksuar se përkundër sfidave të mëdha me të cilat ballafaqohet sektori i shoqërisë civile në Kosovë, gjatë vitit 2022 ka pasur zhvillime pozitive në zgjerimin e hapësirës së veprimit të të gjithë sektorit.
“Sot jemi mbledhur këtu për të festuar për dy rastet e veçanta fituese të Çmimit, por gjithashtu edhe gjithë angazhimin qytetar. Për të festuar një sektor qytetar i cili problemet nuk i përjeton si pengesë për t’u ndalur, por si sfida të cilat duhen tejkaluar me angazhim të përditshëm. Dy nismat që sot do të pranojnë Çmimin për Demokraci janë vetëm disa prej shumë e shumë nismave tjera të jashtëzakonshme që kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar”, ka thënë ndër të tjera Hoxha.
Ndërkaq znj. Katharina Stocker, udhëheqëse e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë pasi ndau çmimin për znj. Hajdini – Beqiri, vlerësoi lartë aktivizmin e guximshëm dhe dedikimin e znj. Hajdini – Beqiri në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme të personave me sindromën Down në Kosovë.
Kurse znj. Nasrin Pourghazian, udhëheqëse e Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në Kosovë, pasi ndau çmimin për z. Lend Mustafa, theksoi se për Suedinë, mbështetja ndaj personave LGBTIQ+ është shumë e rëndësishme dhe mbetet një nga fushat prioritare kur bëhet fjalë për bashkëpunimin për zhvillim dhe të drejtat e njeriut. “Është gjithashtu një nga fushat më të vështira – një fushë me sfida dhe rreziqe për të gjithë njerëzit e përfshirë. Njerëzit si Lendi dhe shokët e shoqet e tij luftojnë dhe përballen me kërcënime, dhunë dhe diskriminim në forma të ndryshme…Guximi është thelbësorë në këtë betejë, dhe është shumë mbresëlënëse të shohësh se si kjo është vërtetuar nga Lendi”, plotësoi ndër të tjera ajo.
Laureatja e Çmimit për Demokraci znj. Sebahate Hajdini – Beqiri potencoi se me këtë çmim po konfirmohet që kauza që udhëheqë ka sensibilizuar shumë qytetarë e institucione duke qenë një kauzë me një histori frymëzuese, me një të tashme sfiduese por me shumë plane e përpjekje për një të ardhme me më shumë mirëqenie për personat me sindromën Down.
Ndërkaq z. Yll Rrahmani që pranoi çmimin për laureatin Lend Mustafa, përcolli mesazhin e Lendit që Çmimi i Demokracisë i përket të gjithë atyre personave të guximshëm që e bënë Bubble një shtëpi të dytë. Sipas tij, prezenca e tyre në një hapësirë publike queer është transformuese në lëvizjen queer në Kosovë.
Ky çmim tashmë tradicional ka për qëllim të vlerësojë kontributet e individëve, nismave të paregjistruara dhe të organizatave jo-qeveritare në fusha të ndryshme, që janë rezultat i mobilizimit të komunitetit dhe angazhimit të qytetarëve, guximit intelektual ose arritjeve të theksuara, dhe që kanë kontribuar në demokratizimin e shoqërisë kosovare përmes punës dhe përkushtimit të tyre.
Çmimi për Demokraci është pjesë e programit EJA Kosovë, program ky i KCSF-së për përkrahje të shoqërisë civile që bashkë-financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Suedia.