Raporti rajonal i BCSDN-së mbi Matricën e Monitorimit 2020

Rrjeti Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN) është i ngazëllyer të njoftojë lansimin e edicionit të vitit 2020 të Raportit rajonal të Matricës së Monitorimit mbi Krijimin e Mjedisit të Favorshëm për Zhvillimin e Shoqërisë Civile, i cili shqyrton zhvillimet e shoqërisë civile në shtetet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia).

I karakterizuar nga pandemia e COVID-19, viti 2020 ka qenë një vit jashtëzakonisht sfidues për vendet e Ballkanit Perëndimor. Disa nga trendet e zakonshme të këtyre vendeve, të cilat janë përmbledhur në raportin rajonal të MM-së, kanë të bëjnë me sulmet kundër lirive themelore të njeriut, qasjen në fonde dhe mungesën e mbështetjes financiare, dialogun e kufizuar me institucionet publike dhe mungesën e transparencës nga aspekti i përfaqësimit të OShC-ve në grupe ndërsektoriale. Raporti adreson gjithashtu legjislacionin problematik për parandalimin e shpërlarjes se parave në disa nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, trajtimin fiskal dhe tatimor të OShC-ve, politikat që nuk nxisin punësimin dhe vullnetarizmin, etj. Pavarësisht këtyre sfidave, raporti nënvizon se OShC-të kishin një rol vendimtar në ofrimin e shërbimeve sociale për përfituesit e ndryshëm dhe në mbrojtjen e grupeve të cenueshme anembanë rajonit.

Gjetjet dhe rekomandimet kryesore të raportit do të prezantohen edhe në një prezantim publik online, më 12 korrik 2021 (e hënë), në ora 11:00. Për të marrë pjesë në këtë ngjarje, ju lutemi që të regjistroheni paraprakisht këtu.

Matrica e Monitorimit trajton 3 fusha kryesore: 1. Garancitë themelore ligjore të lirive; 2. Korniza për zbatueshmëri dhe qëndrueshmëri financiare të OShC-ve; 3. Marrëdhënia Qeveri-OShC. Ajo paraqet parimet dhe standardet kryesore që janë identifikuar si vendimtare për të ekzistuar, në mënyrë që mjedisi ligjor të konsiderohet si mbështetës dhe favorizues për funksionimin e OShC-ve

Ky raport është pjesë e aktiviteteve të projektit “Mbrojtja e hapësirës publike – Qendra rajonale për zhvillimin e shoqërisë civile”, që financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe implementohet nga Rrjeti Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN) në bashkëpunim me organizatat anëtare nga Ballkani Perëndimor.

Klikoni këtu për të lexuar më shumë dhë shkarkuar raportin.