RAPORTI PËR KOSOVË 2016 I KOMISIONIT EUROPIAN KONFIRMON ÇËSHTJET E NGRITURA NGA KCSF RRETH AMBIENTIT TË FAVORSHËM PËR ZHVILLIM TË SHOQËRISË CIVILE

Bruksel, Prishtinë – 10 nëntor 2016

Dje, më 9 nëntor 2016, Komisioni Europian publikoi Raportin për Kosovë për vitin 2016. Kapitulli i Kritereve Politike, ndër të tjera përfshin edhe një vlerësim të çështjeve kryesore mbi shoqërinë civile dhe ambientin e favorshëm për veprimtarinë e këtij sektori. KCSF vëren që Raporti për Kosovë i këtij viti ka reflektuar shumicën e çështjeve të ngritura nga KCSF në kontributet me shkrim dërguar Komisionit Europian. Kontributet e KCSF-së bazohen në hulumtimin dhe avokimin e rregullt e të gjerë për zhvillimin e shoqërisë civile.

Raporti e njeh përparimin e arritur nëpërmjet aprovimit të Rregullores për Standarde Minimale, ndërsa thekson nevojën për një zbatim efektiv dhe sistematik të saj. Paralelisht me këtë, ngrit shqetësimin me mungesën e vullnetit politik për të siguruar pjesëmarrje të duhur të shoqërisë civile, e cila shfaqet edhe nëpërmjet konsultimeve të kufizuara për ligje e strategji të cilat bartin interesa të veçanta politike e ekonomike.

Sa i përket zbatimit të Strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile, raporti thekson mungesën e angazhimit nga shumë ministri dhe pamjaftueshmërinë e kapaciteteve dhe ndarjeve buxhetore, të cilat e pengojnë zbatimin dhe ngrisin dyshime mbi vullnetin politik për këtë çështje.

Raporti qartë shpreh brengën rreth ndërhyrjes së pajustifikuar shtetërore në çështjet e brendshme të OJQ-ve nëpërmjet mundësisë për pezullim të OJQ-ve nga një organ administrativ, duke kërkuar që në raste të tille të sigurohet shqyrtim gjyqësor i shpejtë dhe transparent.

Gjithashtu, raporti thekson që Ligji i ri për parandalim të pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit nuk ka adresuar si duhet brengat e shoqërisë civile mbi dispozitat kufizuese për OJQ.

Duke e njohur si arritje identifikimin e modelit për fonde publike për OShC dhe duke inkurajuar miratimin e rregulloreve përkatëse në këtë fushë, raporti kërkon që të gjitha informatat mbi fondet publike të dhëna për OShC të bëhen lehtë të qasshme për publikun. Për më tepër, raporti thekson që korniza ligjore për lehtësirat tatimore për donatorë mbesin të paqarta.
Në fund, raporti gjithashtu i vlerëson si jo të barabarta kapacitetet e shoqërisë civile në Kosovë.

Për më tepër, shihni kontributin me shkrim të KCSF-së për Raportin e KE-së për Kosovë 2016, si dhe Raportin e KE-së për Kosovë 2016 (fq 9-11).