PUNËTORIA ‘UDHËRËFYESI PËR VIZA PËR KOSOVËN – SFIDAT E ZBATIMIT TË UDHËRËFYESIT’

U mbajt punëtoria e organizuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe e titulluar “Udhërëfyesi për viza për Kosovën – Sfidat e zbatimit të udhërëfyesit”, 15 – 16 dhjetor 2012 në Durrës, Shqipëri.

Meqenëse Kosova përballet me sfida në fushën e liberalizimit të vizave, ne kemi vlerësuar se sfidat e përmbushjes së këtyre kritereve janë më të mëdha se sa që dëgjohet në mediat e përditshme. Qëllimi i kësaj punëtorie ka qenë të prezantohen dhe të analizohen në formë të detajuar kërkesat nga udhërfëyesi dhe 4 blloqet e tij. Diskutimi dhe krahasimi i këtyre kërkesave është bërë duke i krahasuar me sfidat dhe të arriturat në rajon duke marrë parasysh përvojën e vendeve si të Shqipërisë, Malit të zi, Maqedonisë dhe Serbisë.

Diskutimet kryesore u fokusuan në bllokun e II-të dhe të III-të, pra të sigurisë së kufijve, menaxhimi i integruar i kufirit, menaxhimi i migrimit dhe azilit, respektivisht rendi dhe siguria publike, parandalimi dhe luftimi i korrupcionit dhe krimit të organizuar, bashkëpunimi gjyqësor në luftimin e këtyre dukurive. U konstatua që Kosova ka arritur progres në bllokun e I-rë dhe të IV-të, pra të sigurisë së dokumenteve dhe të drejtave fundamentale të njeriut që lidhen me lirinë e lëvizjes, por mbeten sfida dhe punë për tu bërë gjatë vitit në vijim në blloqet II dhe III. U konstatua që ka një vullnet të mirë nga ana e të gjitha institucioneve të përfaqësuara në punëtori duke nënvizuar rolin e madh që kanë mediat në raportimin dhe komunikimin e drejtë ndaj qytetarëve dhe shoqëria civile për të kërkuar llogari nga ky proces.

Pjesëmarrës dhe diskutues në këtë punëtori ishin vijuesit nga Shkolla për Integrim Europian, panelist nga Kosova dhe rajoni, gazetarë dhe OJQ, ekspert nga vendet anëtare të BE-së si dhe deputet nga Komisioni për Integrim Europian i Kuvendit të Kosovës.

SHIE do të vazhdoj të trajtoj në mënyrë sektoriale tema të ndryshme që lidhen me agjendën Europiane të Kosovës edhe gjatë vitit 2013.