PREZANTIMI I GJETJEVE TË MONITORIMIT PËR AMBIENTIN PËR ZHVILLIM TË SHOQËRISË CIVILE

Të martën, më 11 mars 2014, KCSF prezantoi gjetjet e monitorimit të ambientit të favorshëm për zhvillim të shoqërisë civile në Kosovë për vitin 2013. Prezantimi u mbajt në sallën e konferencave “Orion”, ndërsa gjetjet u diskutuan me organizatat dhe institucionet relevante të ftuara në këtë prezantim.

“Matrica e monitorimit për ambientin e favorshëm për zhvillim të shoqërisë civile” është një instrument i monitorimit i zhvilluar nga vet shoqëria civile e Ballkanit Perendimor dhe përcakton standardet optimale që duhet të ekzistojnë për të krijuar një ambient të favorshëm për zhvillim të shoqërisë civile. Indikatorët e shumtë masin cilësinë e legjislacionit në fuqi, por në veçanti nivelin e zbatimin e legjislacionit që ndërlidhet me punën e sektorit të shoqërisë civile.

KCSF, si organizatë anëtare e BCSDN-së, ka qenë e pjesë e grupit të ekspertëve që kanë hartuar standardet dhe indikatorët, ndërsa ka marrë përsipër edhe monitorimin e gjendjes aktuale në Kosovë në baza vjetore. Disa nga fushat që janë monitoruar përfshijnë kornizën ligjore bazë për shoqërinë civile, lirinë e tubimit dhe të shprehjes, ambientin financiar për shoqërinë civile, aspektet tatimore dhe fiskale, fondet publike për shoqërinë civile, bashkëpunimin në mes të autoriteteve publike dhe shoqërisë civile, ofrimin e shërbimeve nga shoqëria civile, etj.