Përmbyllet Moduli 3 i Shkollës për Aktivizëm: “Vlerësimi i ndikimit dhe monitorimi”

Pas përfundimit të dy moduleve të para mbi qeverisjen e brendshme dhe mobilizimin e komunitetit, edicioni i pestë i Shkollës për Aktivizëm vazhdoi me temën “Vlerësimi i ndikimit dhe monitorimi”, duke theksuar rolin që ka mbledhja, analizimi dhe përdorimi i të dhënave për vlerësimin e punës, matjen e ndikimit dhe planifikimin më të mirë të organizatave në shërbim të komuniteteve.

Puna e OJQ-ve merr kuptim të plotë kur ato arrijnë të kuptojë se çfarë ka ndryshuar si rezultat i ndërhyrjeve që kanë bërë dhe se si mund të përdoren të dhënat për të përmirësuar punën në të ardhmen. Duke u ndërlidhur me qeverisjen e brendshme dhe mobilizimin e komunitetit, ky modul vendosi në qendër rëndësinë e matjes së rezultateve si pjesë e planifikimit, mësimit organizativ dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve/eve dhe komuniteteve, si dhe ndaj partnerëve dhe donatorëve.

 Përgjatë dy ditëve sesionet u udhëhoqën nga z. Jon Konjufca, me fokus në dallimin ndërmjet monitorimit, vlerësimit dhe ndikimit, si dhe në pyetjet kryesore që çdo organizatë duhet t’i shtrojë gjatë punës së saj: A po zbatohet projekti siç është planifikuar? A po arrin te grupi i synuar? A po prodhon ndryshimin që synon? Si mund ta dëshmojmë këtë ndryshim përmes të dhënave?

Një pjesë e rëndësishme e modulit iu kushtua lidhjes mes planifikimit dhe matjes së ndikimit. Pjesëmarrësit/et punuan mbi definimin e problemit, pemën e problemeve dhe objektivave, kornizën logjike, indikatorët e matshëm dhe përdorimin e teorisë së ndryshimit dhe të dhënave për vendimmarrje, raportim, avokim dhe përmirësim të punës.

 Ky modul u ofroi pjesëmarrësve/eve mundësinë të reflektojnë mbi mënyrat se si organizatat mund të ndërtojnë sisteme më të qëndrueshme të monitorimit dhe vlerësimit, të lidhura me objektivat strategjike dhe misionin e tyre, duke e bërë më të qartë lidhjen ndërmjet punës së përditshme dhe ndryshimit që synojnë të sjellin në komunitet.

 Shkolla për Aktivizëm organizohet në kuadër të Qendrës së Burimeve për Shoqërinë Civile në Kosovë.

 Ky aktivitet bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të Suedisë.