PËRKRAHJA E NISMAVE TË AVOKIMIT TË OSHC-VE ME BAZË NË KOMUNITET

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) është duke zbatuar një projekt 28-mujor të financuar nga Bashkimi Europian, të quajtur “Skema e granteve për nismat e avokimit nga organizatat me bazë në komunitet”.

Projekti synon të përkrahë nismat për avokim të organizatave të shoqërisë civile (OSHC) me bazë në komunitet përmes krijimit dhe menaxhimit të një skeme të ri-grantimit. Projekti ka filluar në janar të vitit 2016 dhe do të përfundojë në prill të vitit 2018.

Në kuadër të këtij projekti, janë shpallur dy thirrje për aplikime, që kanë ftuar OSHC-të të aplikojnë për përkrahje financiare. Gjithsej, 35 aplikacione për projekte janë përkrahurë nga të dy thirrjet dhe afro 500,000 euro janë zotuar për të mbështetur nismat e avokimit të OJQ-ve me bazë në komunitet.

Projektet e përkrahura synojnë fushat në vijim: të rinjtë, gratë, njerëzit me aftësi të kufizuara, pakicat, arsimin, sigurinë në shkolla, mjedisin, aktivizmin qytetar, avokimin në institucionet lokale dhe qendrore.

Përveç përkrahjes financiare, KCSF ka marrë përsipër rritjen e kapaciteteve të këtyre OJQ-ve me qëllim të konsolidimit të këtyre organizatave dhe sigurimin e qëndrueshmërisë për të ardhmen. Të gjithë përfituesit e granteve kanë marrë pjesë në një seri të tri programeve të përshtatura për ngritjen e kapaciteteve për Menaxhim të Ciklit të Projekteve, Qeverisje të Brendshme të OSHC-ve dhe shkathtësi të Avokimit.

Për më tepër, ky projekt ka ofruar trajnime të përshtatura për përfituesit e granteve për menaxhim financiar dhe strategji të avokimit që synonin përmirësimin e rezultateve të projekteve dhe përmirësimin e qeverisjes së tyre të brendshme.

Ky projekt është unik pasi shënon ndërhyrjet që dalin nga nevojat dhe shqetësimet e komuniteteve dhe përfituesit tanë zbatojnë aktivitetet së bashku me komunitetet që përfaqësojnë.

Shuma e grantit për projekt sillet nga 12.000 deri në 20.000 euro, përderisa nismat e përkrahura kanë arritur sukses të konsiderueshëm në përpjekjet e tyre përkatëse për avokim. Arritjet më të fundit gjatë vitit 2017 përfshijnë fusha si fuqizimi i grave, rinia, mjedisi, aktivizmi qytetar, të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe transparenca financiare.

Për shembull, Nisma për Zhvillim të Qëndrueshëm në Graçanicë – GIOR, një OJQ jo-fitimprurëse me angazhim të fuqishëm në ndërhyrjet në komunitet, ka arritur të bindë autoritetet komunale që të heqin tregun e bagëtive nga qendra e Graçanicës në një vend më të përshtatshëm dhe të hartojnë plane për ta përdorur këtë vend për një shkollë profesionale.

Ndërsa, Rrjeti i të Drejtave të Njeriut (HRN), një tjetër përfitues i grantit nga kjo skemë, ka arritur të bindë komunën e Fushë Kosovës që të pajisë të gjitha mjetet zyrtare me sistem GPS për të rritur kështu transparencën financiare të komunës. Ndërkohë, komuna e Junikut, në sajë të nismës së realizuar nga Shoqata Rinore George William në Kosovë (GWY), do të ketë një kod të posaçëm nën-buxhetor kushtuar rinisë.