Ka diplomuar gjenerata e radhës e Shkollës për Integrim Europian. Pas katër punëtorive që trajtuan Bashkimin Europian dhe procesin e integrimit të Kosovës në BE nga perspektiva të ndryshme, u përmbyll edicioni i 21-të i Shkollës.
Në kuadër të punëtorive të mbajtura, pjesëmarrësit u njohën nga afër me BE-në si koncept, historikun e zhvillimit, strukturën organizative, institucionet dhe perspektivën e BE-së drejt së ardhmes, parimet e së drejtës së BE-së, si dhe raportin e të drejtës së BE-së me të drejtën e brendshme të shteteve anëtare dhe rendin ndërkombëtar, ilustruar me shembuj të vendimeve nga jurisprudenca e Gjykatës Europiane të Drejtësisë. U trajtua edhe aspekti ekonomik i procesit të integrimit të Kosovës në BE nga perspektiva e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Deri më tani, Shkolla për Integrim Europian ka ofruar një program të veçantë të ngritjes së njohurive mbi historikun, institucionet, kornizën ligjore, politikat dhe proceset e politikave në BE, Europën si një faktor global, si dhe të ardhmen e rajonit brenda procesit të Integrimit Europian, me fokus të veçantë në marrëdhëniet Kosovë – BE.
Qëllimi i përgjithshëm i Shkollës është përgatitja e kuadrove rreth sfidave drejt integrimit europian. Ky qëllim është arritur në masë të madhe duke ngritur nivelin e njohurisë dhe vetëdijes ndër pjesëmarrësit në çështjet dhe politikat europiane, rrjedhimisht duke i bërë të gatshëm që njohuritë e fituara t’i transferojnë dhe përdorin në punën e tyre.