Një nga aspektet e rëndësishme të funksionimit të organizatave të shoqërisë civile është funksionimi i tyre në pajtueshmëri të plotë me ligjet në fuqi. Por pajtimi me to, dhe sidomos ndaj detyrimeve të natyrës financiare, shpesh paraqitet i ndërlikuar.
Për të adresuar këto nevoja, si pjesë e trajnimeve dhe punëtorive për ngritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile, KCSF organizoi një trajnim dyditor me temë “Obligimet e organizatave të shoqërisë civile ndaj Administratës Tatimore të Kosovës”, me ligjërues Zana Llapashtica, Hasime Shabanaj dhe Sami Salihu.
I dizajnuar specifikisht për organizatat e shoqërisë civile, trajnimi që u mbajt në datat 8 dhe 9 shkurt 2017, trajtoi aspektet kryesore ligjore dhe konceptet që lidhen me legjislacionin tatimor të Kosovës.
Synimi parësor i këtij trajnimi ishte që të shpjegojë Ligjin mbi TVSh-në, Ligjin për Tatimin në të Ardhura Personale dhe Ligjin për Tatimin në të Ardhura të Korporatave. Gjithashtu, u trajtuan mënyra e deklarimit dhe pagesës së tatimeve dhe raportimet e kërkuara sipas ATK-së, si dhe u përdorën shumë shembuj dhe ushtrime praktike për të kuptuar më qartë legjislacionin tatimor.