OSHC-TË E BALLKANIT MBLIDHEN NË PRISHTINË PËR TË RRITUR KONTRIBUTIN NË INTEGRIMIN EUROPIAN

Programi Ekzekutiv i KCSF-së “Shoqëria Civile në procesin e Integrimit Europian”, në partneritet me Kolegjin e Europës, synon të bëhet një katalizator i angazhimit qytetar në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Njëzet përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Kosova) janë mbledhur në Prishtinë për të forcuar rolin e tyre dhe për të bashkuar forcat në ndikimin e procesit të integrimit në BE për vendet përkatëse dhe për Ballkanin Perëndimor në tërësi.

Përfaqësues të lartë të OSHC-ve të angazhuara në nisma të avokimit, veçanërisht ndaj institucioneve të BE-së, po marrin pjesë në Programin Ekzekutiv “Shoqëria Civile në procesin e Integrimit Europian”, i organizuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në bashkëpunim të ngushtë me Kolegjin e Europës.

Ky aktivitet, i cili po mbahet gjatë datave 11-15 shtator 2017, në Prishtinë, synon të rrisë dijet e përbashkëta dhe të japë njohuri kryesore mbi aspektet kyçe të integrimit të rajonit në BE.

Gjithashtu, ai do të analizojë sfidat dhe strategjitë efektive për angazhim të shoqërisë civile ndaj ndryshimeve brenda Bashkimit Europian dhe prioriteteve të tij.

Disa ndër pikat me interes të veçantë përfshijnë të kuptuarit e roleve të institucioneve kryesore të BE-së, ndikimin e OSHC-ve në vendimmarrjen mbi procesin e integrimit, si dhe raste reale të intervenimit dhe rezultateve përkatëse.

Ligjërues nga Kolegji i Europës, me ekspertizë të shquar në integrimin europian, do të ndajnë njohuritë e tyre me përfaqësuesit e OSHC-ve nga vendet e Ballkanit.

Bashkëpunimi afatgjatë i parashikuar ndërmjet KCSF-së dhe Kolegjit të Europës synon ta zhvillojë këtë nismë në një platformë ekspertize për shoqërinë civile në Ballkanin Perëndimor.

I themeluar në vitin 1949, Kolegji i Europës, është institucioni i parë universitar në botë, që ka ofruar studime dhe trajnime pasuniversitare mbi çështjet europiane. Kolegji i Europës e vendos ekspertizën e tij në shërbim të publikut dhe shoqërisë civile, duke zhvilluar dhe organizuar trajnime të ndërtuara në atë formë që të mundësojnë ndryshim të qëndrueshëm dhe zhvillim profesional.

Prej gati dy dekadash, KCSF mbështet shoqërinë civile përmes formave të larmishme dhe dinamike të përkrahjes, si dhe përmes bashkëpunimit dhe partneriteteve me institucione kyçe ndërkombëtare dhe vendase.

Mbështetja financiare, programet e ngritjes së kapaciteteve dhe kontributi në hartimin e politikave për shoqërinë civile, janë disa ndër aspektet kryesore të punës së KCSF, krahas përkrahjes së rrugëtimit të Kosovës drejt integrimit në BE.

Ky Program Ekzekutiv mbështetet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Sida) dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.