NORVEGJIA MBËSHTET SHOQËRINË CIVILE NË KOSOVË DHE SHQIPËRI ME 1.5 MILION EURO

Më 23 tetor të vitit 2018, Shkelqësia e tij z. Per Strand Sjaastad, Ambasador i Norvegjisë në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë dhe Drejtori ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, z. Taulant Hoxha, zyrtarisht lansuan Programin trevjeçar të shoqërisë civile për Shqipëri dhe Kosovë. Me një buxhet të gjithëmbarshëm prej 1.5 milion euro, programi financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhohet nga KCSF në partneritet me Partnerët Shqipëri.    

Qëllimi i programit është të mbështesë pjesëmarrjen demokratike dhe zhvillimin e një shoqërie civile të fuqishme dhe aktive në Shqipëri dhe Kosovë në këto fusha: 1. Mos diskriminimi dhe barazia gjinore; 2. Mediat e pavarura; 3. Pakicat dhe grupet e margjinalizuara; 4. Mbrojtja e mjedisit dhe 5. Lufta kundër korrupsionit.

Në fjalën e tij hapëse, z. Hoxha theksoi rolin e shoqërisë civile në demokratizimin e Kosovës dhe mbështetjen që KCSF i ofron këtij sektori për tashmë më shumë se dy dekada. Paralelisht me ofrim të njohurive dhe ngritjes së kapaciteteve, KCSF ka pasur rol kyç në përshtatjen dhe maksimizimin e mbështetjes financiare të donatorëve për shoqërinë civile në Kosovë. Z. Hoxha e vlerësoi lartë vendimin e Norvegjisë për të bashkëpunuar me KCSF-në, si vazhdimësi e mbështetjes së tyre shumëvjeçare ndaj shoqërisë civile.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Ambasadori Sjaastad nënvizoi se shoqëria civile ka një funksion të rëndësishëm mbikëqyrës në Kosovë dhe Shqipëri dhe është pjesë e mekanizmave të kontrollit në një demokraci të fuqishme. Jemi të kënaqur që KCSF do ta menaxhojë Fondin norvegjez për OJQ, theksoi Ambasadori, dhe shpresojmë se ky Fond do të sigurojë mundësi të reja në ndërtimin e një shoqërie civile të fuqishme, të pavarur dhe me bazë në komunitet në Kosovë dhe Shqipëri, përfundoi fjalimin e tij Ambasadori.

Thirrja e parë për Aplikim në kuadër të kësaj skeme u lansua më 10 tetor të vitit 2018 dhe afati i fundit për aplikim është më 5 nëntor 2018.