Pjesëmarrja qytetare në procesin e vendimmarrjes do të thotë mundësi për qytetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe palët e tjera të interesit. Konsultimi publik, edhe pse konsiderohet ndër format më bazike të pjesëmarrjes qytetare, megjithatë është shndërruar në njërën nga mënyrat më të shpeshta të komunikimit në mes të autoriteteve publike dhe qytetarëve e shoqërisë civile në demokracitë e zhvilluara.
Viti 2017 do të shënojë një momentum të rëndësishëm për ligjbërjen dhe politikbërjen në Kosovë përmes pjesëmarrjes qytetare. Nga 1 janari i vitit 2017, ka hyrë në fuqi Rregullorja për Standardet Minimale të Procesit të Konsultimit Publik, si akt juridik që do të normojë në mënyrë të ve?antë procesin e konsultimit publik. Ky akt nënligjor, i miratuarnga Qeveria e Kosovës në vitin 2016, është produkt i punës intenzive të viteve të fundit të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
Duke qenë që nismat për konsultime gjithmonë duhet të vijë nga autoritetet publike, ato e bartin barrën dhe përgjegjësinë kryesore për mbarëvajtjen e këtij procesi. Sipas rregullimit kushtetues në Kosovë, Qeveria luan një rol të rëndësishëm në procesin e ligjbërjes, si një nga palët e autorizuara për nisma legjislative. Në praktikë, Qeveria sponzorizon shumicën dërmuese të ligjeve, politikave dhe akteve tjera normative. Ndonëse në fillim pa ndonjë rregull e strukturë, gjatë viteve të fundit përfshirja e shoqërisë civile ka ndodhur brenda një kornize ligjore më të favorshme. Edhe pse përmbante parime të përgjithshme mjaft pozitive, kjo kornizë ligjore, nuk i përkthente këto parime në mekanizma konkretë dhe të qartë. Si pasojë, konsultimi publik rrallëherë i plotësonte të gjitha parakushtet e nevojshme për të prodhuar rezultate cilësore.
Duke parë të metat në zhvillimin e procesit të konsultimit publik, viteve të fundit KCSF ka punuar intenzivisht në definimin e standardeve minimale për këtë proces në nivel të Qeverisë. Kjo iniciativë rezultoi me studimin “Zingjiri i pakompletuar”, një propozim i politikave mbi Standardet Minimale për procesin e konsultimit publik. Dokumenti përmbante një analizë të kornizës ligjore në fuqi dhe nivelit të zbatimit e sfidave kryesore për konsultimin publik si dhe një listë të detajuar të standardeve dhe nën-standardeve që do të duhej të zbatoheshin nga të gjitha institucionet e nivelit qeveritar. Ky propozimi u mirëprit nga Qeveria e Kosovës, duke u shndërruar në Rregulloren mbi Standardet Minimale të Procesit të Konsultimit Publik, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2017.
Këto standarde minimale janë ndërtuar bazuar në kornizën ligjore dhe përvojën e deritashmë në fushën e konsultimit publik. Me Rregulloren për Standardet Minimale, Qeveria tashmë obligohet që procesin e konsultimit publik ta fillojë që nga faza e caktimit të agjendës, respektivisht përgatitjes së planeve të punës së ministrive përkatëse, ndërsa diskutimet e para me palët e jashtme t’i bëjë ende pa filluar shkrimin e drafteve të ligjeve a politikave. Pasi që projektet fillestare të jenë avancuar dhe komentuar edhe nga organet tjera qeveritare, procesi vijon me një raund të konsultimit të gjerë publik, i cili duhet t’u mundësojë qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve apo grupeve të tjera të interesit t’i japin komentet e tyre me shkrim. Në fund, institucioni propozues duhet t’u përgjigjet të gjithë atyre që kanë dhënë komente, ndër të tjerash duke ofruar arsyet për pranimin apo mos-pranimin e komenteve të tyre. Afatet minimale për të gjitha këto veprime dhe përmbajtja e takimeve dhe dokumenteve të konsultimit, i përcaktojnë pritjet e duhura nga të dyja palët.