MUNDËSI PUNËSIMI: ZYRTAR(E) PËR NDËRLIDHJE ME GRUPE TË QYTETARËVE (OUTREACH OFFICER)

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), është organizatë e pavarur, jofitimprurëse, e fokusuar në zhvillimin e shoqërisë civile dhe përkrahjen e procesit të integrimit europian të Kosovës. Aktivitetet kryesore të KCSF-së shtrihen në informim dhe ngritje të kapaciteteve të sektorit jo-qeveritar, përkrahje financiare të nismave të shoqërisë civile dhe hulumtim dhe avokim në fushat e zhvillimit të shoqërisë civile dhe integrimit europian.

KCSF kërkon zyrtar(e) për ndërlidhje me grupe të qytetarëve (outreach officer), për punësim me orar të plotë.

Kandidatët(et) e interesuar(a) duhet të kenë:

  • Mbaruar shkollimin e lartë, të paktën në nivelin bachelor, në drejtimet e shkencave shoqërore, ose minimalisht 5 vite përvojë relevante në mungesë të shkollimit të lartë;
  • Njohuri të thellë të zhvillimeve socio-ekonomike, proceseve të demokratizimit, aktivizmit qytetar dhe shoqërisë civile në Kosovë;
  • Përvojë të konsiderueshme të prezantimit në publik dhe komunikimit me palët e interesit;
  • Aftësi të shkëlqyeshme analitike;
  • Aftësi të mira të shkrimit në gjuhën shqipe dhe angleze, ndërsa aftësitë e njejta në gjuhën serbe do të konsiderohen përparësi;
  • Marrëdhënie të mira me shoqërinë civile në Kosovë dhe ti ndërtojnë ato;
  • Vullnet për punë në teren dhe me grupe të komunitetit, qasje pro aktive dhe aftësi për vetorganizim të aktiviteteve me palët e interesit;
  • Gatishmëri për punë ekipore dhe për angazhim në disa detyra njëkohësisht;
  • Gatishmëri për t’u angazhuar në temat e fushëveprimtarisë së KCSF-së; dhe
  • Kenë leje të vozitjes, kategoria B.

Përparësi do të kenë kandidatët(et) që kanë:

  • Përvojë të dëshmuar paraprake në pozita të ngjashme, preferohet të paktën 3 vite; dhe,
  • Punime, analiza e raporte të publikuara nga fusha e shoqërisë civile.

Zyrtari(ja) do t’i ketë këto detyra dhe përgjegjësi:

  • Vendos dhe mirëmban kontakte të rregullta me organizata të shoqërisë civile, përfshirë nisma të paregjistruara dhe aktivistë individualë, në fushat e përkrahjes nga grantet e KCSF-së për shoqëri civile;
  • Identifikon mundësi për përkrahje të nismave të shoqërisë civile nga grantet e KCSF-së për shoqëri civile;
  • Planifikon, propozon, zbaton dhe menaxhon aktivitete informuese mbi mundësitë e përkrahjes nga programi i KCSF-së për grante për shoqëri civile;
  • Jep kontribut aktiv në zhvillimin, zbatimin dhe rishikimin e programit;
  • Analizon kanalet e komunikimit për target grupe të ndryshme dhe siguron që promovimi i mundësive për përfitim nga grantet e KCSF-së janë të përshtatshme për target grupet e ndryshme;
  • Identifikon trendet kryesore nga dokumentet e aplikimit dhe raportimit të grantistëve dhe mbledh informata të strukturuara për rishikime të brendshme të programit;
  • Siguron që puna në terren komunikohet drejt publikut dhe përkrah me informata promovimin e përgjithshëm të punës së KCSF-së, sidomos me informata prej grantistëve të KCSF-së;
  • Organizon dhe menaxhon aktiviteteve e prezantime të ndryshme publike të KCSF-së;
  • Komunikon dhe këshillohet rregullisht me kolegë(e) dhe mbikëqyrës(e); dhe,
  • Udhëton rregullisht nëpër Kosovë, dhe nëse ka nevojë edhe jashtë saj.

Të gjithë kandidatët(et) e interesuar duhet të aplikojnë përmes formularit në vegzën në vijim: www.surveymonkey.com/r/znderlidhje, deri më 9 shkurt 2020. N? faz?n e par? t? aplikimit, nuk k?rkohet d?rgimi i asnj? informate apo dokumenti shtes?.

KCSF synon që të angazhojë një zyrtar(e) për ndërlidhje me grupe të qytetarëve, duke filluar prej muajit mars ose prill 2020. Ambienti dhe kushtet e punës janë të shkëlqyeshme ndërsa pagesa vendoset varësisht nga kandidatët(et) e përzgjedhur(a).

Vetëm kandidatët(et) e përzgjedhur(a) në listën e ngushtë do të kontaktohen. Varësisht nga cilësia e aplikacioneve dhe numri i kandidatëve(eve) të përzgjedhur(a) në listën e ngushtë, KCSF mund të kërkojë nga kandidatët(et) e listës së ngushtë t’i nënshtrohen testeve dhe/ose intervistave shtesë.

Në mungesë të aplikacioneve të përshtatshme, KCSF mban të drejtën që të mos përzgjedh asnjë nga kandidatët(et) e paraqitur(a).