MOUNT EVERESTI I ZGJEDHJEVE LOKALE

E drejta e qytetarit për të qenë aktiv rreth çdo gjëje që e rrethon atë nuk është ndonjë koncept i librave Fantastiko-Shkencor, por është një ndër parimet themelore të çdo shteti demokratik.  E drejta për të qenë i informuar lidhur me çështjet publike, përfshirë shprehjen e lirë të opinionit ose e drejta për të votuar, janë në mesin e shumë elementeve që e përkufizojnë pjesëmarrjen qytetare. Pra, pjesëmarrja qytetare, në kontekstin e këtij shkrimi, është emëruesi i përbashkët në pyetjen se “Çfarë kanë të përbashkët personat me aftësi të kufizuar dhe zgjedhjet komunale?”, si shkak i barrierave infrastrukturore që vuri në pikëpyetje pjesëmarrjen gjatë ditës së zgjedhjeve.

Në rastin e Kosovës, e drejta për të votuar është e siguruar me ligj dhe e bazuar në parimet e barazisë. Ligji mbi zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, mes tjerash, ka për synim edhe sigurimin e të drejtës së qytetarit për të votuar pa u penguar e diskriminuar. Sipas ligjit, e drejta për të votuar u garantohet edhe personave me aftësi të kufizuar në Kosovë. Konkretisht, rregullorja Nr.04/2013, e nxjerrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, rregullon mënyrën e votimit për gjithë personat me aftësi të kufizuara në rrethana të veçanta. Rregullorja u mundëson gjithë personave, që si rezultat i aftësisë së tyre të kufizuar janë të ngujuar në shtëpi, duke kryer procedurat paraprake të regjistrimit, ta kenë mundësinë të votojnë nga shtëpia.

Nga ana tjetër, edhe pse ligji mbi zgjedhjet komunale garanton të drejtën e qytetarit për të votuar pa u diskriminuar në bazë të përkatësisë sociale, rregullorja e KQZ-së nuk e specifikon çështjen e personave me aftësi të kufizuar, që përkundër kufizimeve, qofshin ato si rezultat i pengesave të tyre fizike apo barrierave sociale, dëshirojnë të jenë pjesëmarrës në ushtrimin e të drejtës së votimit në qendrat e rregullta të votimeve. Sigurisht se çështja e heqjes së barrierave i tejkalon kompetencat e KQZ-së, megjithatë, ky organ, mbetet përgjegjës për organizimin dhe implementimin e zgjedhjeve në Kosovë, me mision të sigurojë që zgjedhjet të arrijnë standardet ndërkombëtare!

Në ditën e zgjedhjeve komunale, gjersa i afrohesha Fakultetit Ekonomik – qendër e votimit në komunën e Prishtinës – shkallët e objektit po më ngjasonin me malin Everest, që për t’i dalë në maje nevojitet ndihma e alpinistëve më të shkathët. Rolin e alpinistëve atë ditë e morën shokët dhe një gazetar, të cilët me vështirësi, më bartën deri në katin e tretë të ndërtesës së fakultetit, më ndihmuan ta kryej obligimin tim qytetar. Të njëjtën ditë, mediet raportuan se shumë persona me aftësi të kufizuara e kishin pasur të pamundshëm votimin si shkak i pengesave të ndryshme. Qasja joadekuate në qendrat e votimeve dhe paaftësia e KQZ-sëpër ta mundësuar një proces të lehtë votimi ishin disa nga barrierat që po i pengonin personat me aftësi të kufizuara ta ushtronin të drejtën e tyre qytetare, theksohej në edicionet e lajmeve. Në rastin tonë, për shembull, instalimi i një lifti për qasje në katet e larta të Fakultetit Ekonomik apo aranzhimi i procesit të votimit në katin e parë, do të ishte zgjedhje që do ta bënte të mundur ushtrimin e të drejtës për të votuar për gjithë personat me aftësi të kufizuar.

Dita e diel po afrohet dhe pa dyshim përsëri, pas rundit të dytë të zgjedhjeve, do të dëgjojmë deklarata lidhur me procesin zgjedhor. Nëse, kësaj radhe, vërtet dëshirojmë të kemi zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare, bashkëpunimi ndër institucional është shumë i nevojshëm që personave me aftësi të kufizuara t’u krijohet një ambient që siguron mundësi të barabarta dhe pjesëmarrje të plotë qytetare. Në të kundërtën, edhe pse për shumicën e njerëzve shkallët shërbejnë si instrumente përqasje në objekte të ndryshme, për personat me aftësi të kufizuara, ato mbesin një Mount Everest i pakalueshëm që kufizon pjesëmarrjen e plotë qytetare.

Valon Osmani
Hulumtues në KCSF