MBAHET TRAJNIMI “PLANIFIKIMI STRATEGJIK DHE NGRITJA E FONDEVE”

U mbajt trajnimi nga KCSF për organizata të shoqërisë civile me temë “Planifikimi strategjik dhe ngritja e fondeve”. Ky trajnim dyditor, me ligjërues ekspertin Uragan Alija, u përqendrua në aftësimin e OSHC-ve për të prodhuar vendime dhe veprime themelore, të cilat i japin formë dhe përcaktojnë se çfarë është një organizatë, çfarë bën ajo dhe pse.

Në kuadër të këtij trajnimi, në datat 18-19 janar 2017, pjesëmarrësit u pajisën me mjetet dhe njohuritë e nevojshme për të vendosur objektiva, si dhe veprime të qarta që duhet të merren për të arritur ato objektiva.

Pjesëmarrësit mësuan se si të përcaktojnë qëllimet organizative dhe mundësitë strategjike për t’i arritur këto qëllime, përfshi edhe se si të planifikojnë, organizojnë dhe menaxhojnë organizatën. Si pjesë e këtij trajnimi u shtjellua edhe nevoja për planifikim strategjik, pyetjet kryesore të cilat duhet të marrin përgjigje dhe fakte të ndryshme për strategji, të cilat argumentojnë nevojën për planifikim strategjik nga secila organizatë.

Gjithashtu, u trajtuan në mënyrë të mëvetshme 11 hapat në ndërtimin e strategjisë së një organizate, duke filluar nga misioni, mandati i organizatës, auditimi i situatës aktuale dhe hapave të tjerë në ndërtimin, aprovimin dhe realizimin e strategjisë.