MBAHET TRAJNIMI “OBLIGIMET E OSHC-VE NDAJ ATK-SË”, NË KUADËR TË KËRKESËS NGA CIVIKOS

Mbi kërkesën që ka ardhur nga Platforma CiviKos për organizatat partnere që ata kanë identifikuar si nevojë, KCSF organizoi trajnimin “Obligimet e organizatave të shoqërisë civile ndaj Administratës Tatimore të Kosovës”.

Për të adresuar këto nevoja, si pjesë e trajnimeve dhe punëtorive për ngritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile, KCSF organizoi një trajnim dyditor me temë “Obligimet e organizatave të shoqërisë civile ndaj Administratës Tatimore të Kosovës”, me ligjërues Zana Llapashtica, Hasime Shabanaj dhe Sami Salihu.

I dizajnuar specifikisht për organizatat e shoqërisë civile, trajnimi që u mbajt në datat 18 dhe 19 maj 2017, trajtoi aspektet kryesore ligjore dhe konceptet që lidhen me legjislacionin tatimor të Kosovës.

Synimi parësor i këtij trajnimi ishte që të shpjegojë Ligjin mbi TVSh-në, Ligjin për Tatimin në të Ardhura Personale dhe Ligjin për Tatimin në të Ardhura të Korporatave. Gjithashtu, u trajtuan mënyra e deklarimit dhe pagesës së tatimeve dhe raportimet e kërkuara sipas ATK-së, si dhe u përdorën shumë shembuj dhe ushtrime praktike për të kuptuar më qartë legjislacionin tatimor.