MBAHET TRAJNIMI I DYTË MBI “STANDARDET MINIMALE PËR PROCESIN E KONSULTIMIT PUBLIK”

U mbajti trajnimi i dytë rreth Rregullores për standardet minimale për konsultim publik për përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile. Ky trajnim u organizua më 21-22 dhjetor me ligjërues njohësin e fushës Visar Sutaj. Trajnimi u organizua në prag të hyrjes në fuqi të kësaj Rregulloreje, e cila do të normojë procesin e pjesëmarrjes qytetare në procesin e hartimit të ligjeve dhe politikave në nivel të Qeverisë.

Gjatë këtyre dy ditëve pjesëmarrësit u njohën nga afër me parimet e përgjithshme të pjesëmarrjes qytetare dhe elementet praktike të kontributit të shoqërisë civile në procesin e hartimit të politikave dhe ligjeve në nivel të Qeverisë. Gjithashtu pjesëmarësit u informuan rreth dokumenteve, formave dhe teknikave të konsultimeve publike sipas rregullores përkatëse.

Me qëllim që organizatat e shoqërisë civile të njihen nga afër me këtë rregullore dhe të aftësohen për të dhënë kontribut sa më domethënës në procesin e konsultimit publik, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile do të vijojë organizimin e një serie tjetër të trajnimeve mbi këtë temë edhe përgjatë vitit 2017.

Ky program i ngritjes së kapaciteteve është hartuar dhe po zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile mbi bazën e Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunim në Trajnimin mbi Standardet Minimale të Konsultimeve Publike të nënshkruar me Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyres së Kryeministrit të Kosovës (ZQM/ZKM).