MBAHET PUNËTORIA PËR FINALIZIMIN E UDHËZIMIT ADMINISTRATIV PËR LIGJIN PËR OJQ

Ligji për Liri të Asociimit në OJQ është aprovuar në muajin gusht 2011, si rezultat i një procesi të udhëhequr nga Ministria e Administratës Publike dhe me përfshirjen e një numri të madh të organizatave të shoqërisë civile. Bazuar në dispozitat e këtij ligji, por edhe nevojën e lehtësimit të zbatimit të ligjit, Departamenti për Regjistrim dhe Ndërlidhje me OJQ (DRNOJQ) në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike ka marrë nismën për hartimin e Rregullores për regjistrimin, regjistrin publik, shuarjen dhe çregjistrimin e organizatave joqeveritare, me qëllim të kompletimit të legjislacionit sekondar të nevojshëm për zbatimin e plotë të Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ.

Drafet e para të Rregullores dhe formave përcjellëse janë hartuar bashkërisht nga MAP dhe organizata të shoqërisë civile, gjatë një punëtorie të mbajtur në vitin 2012. Pas përmbylljes së punës në nivel ministror, draft rregullorja është duke u shqyrtuar nga Zyra Ligjore në kuadër të Zyres së Kryeministrit, para se të paraqitet për aprovim në mbledhjen e Qeverisë.
Me qëllim të vazhdimit të punës së përbashkët deri në finalizimin e plotë të këtij dokumenti, dhe para paraqitjes së Rregullores për aprovim në mbledhjen e Qeverisë, Zyra e Ligjore e Kryeministrit, në bashkëpunim me KCSF-në, dhe me pjesëmarrjen e një numri të madh të shërbyesëve civil dhe organizatave të shoqërisë civile, sot organizuan një punëtori për të finalizuar “Rregulloren për regjistrimin, regjistrin publik, shuarjen dhe çregjistrimin e organizatave joqeveritare”.

Gjatë kësaj punëtorie u diskutua përmbajtja e Rregullores dhe shtojcave dhe formularëve të nevojshëm për të lehtësuar regjistrimin dhe raportimin e OJQ-ve, si dhe komunikimin në mes të DRNOJQ dhe OJQ-ve të regjistruara në Kosovë. Puna në finalizimin e këtij dokumenti do të vazhdojë edhe gjatë javës së ardhshme, nëpërmjet komenteve me shkrim dhe punëtorisë përfundimtare të këtij procesi.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Qendrës së KCSF-së.